Karakteri i shqiptarit sipas 45 albanologëve

 

Të lëkundur, të padisiplinuar, lakmitarë të parasë, të ndjeshëm, krenarë, inatçorë, por edhe trima, të vetëdijshëm, besnikë, mikpritës dhe me një zgjuarsi të jashtëzakonshme… Këto janë disa cilësi të karakteri të shqiptarit. Baron Franc Nopça ka mbledhur përcaktimet dhe vlerësimet e 45 autorëve të huaj, të cilët kanë shkruar për shqiptarët, duke krijuar kështu një portret të pazakontë të shqiptarit të fillimviteve ‘900.

Ky shkrim i veçantë i albanologut të njohur është shkëputur nga vepra e tij “Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe E Drejta Zakonore e tyre”, një libër i përkthyer nga Dr. Jur. Mihallaq Zallari dhe përgatitur për botim në gjuhën shqipe dhe redaktuar nga Akad. Assoc. Marenglen Verli dhe Dr. Edmond Malaj. Vepra prej më shumë se 500 faqesh e ndarë në pesë kapituj del së shpejti në qarkullim si një botim i Institutit të Historisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike.

Siç e shpjegon vetë autori Franc Nopça në hyrje të librit, qëllimi i kësaj vepre është të hetojë, sesi zhvillohet një popull me karakter specifik dhe i veçuar nga bota përreth nën ndikime kryekëput të caktuara. “Ky popull është populli malësor i Shqipërisë së Veriut gjer në vitin 1912, të cilit i mungonte ndikimi i huaj qysh shekuj më parë”, shënon Nopça.

Pjesa e parë e veprës merret me karakterin e malësorëve të lirë, por të egër të Shqipërisë së Veriut, gjatë rrjedhës së viteve 1905-1907, dhe, njëkohësisht, me farefisninë e tyre më të “qytetëruar”, të shpërngulur në një trevë tjetër. – Rrethanat historike të vendit, si edhe lufta e vazhdueshme e malësorëve kundër administratës turke, përshkruhen në pjesën e dytë të veprës, e cila merret me historinë lokale, nga shkaku i orientimit të përgjithshëm, nga viti 1853 gjer në vitin 1894.

Në pjesën e tretë të veprës përshkruhet historia e fiseve të Shqipërisë së Veriut dhe njëkohësisht bëhet tentativa të lidhet ajo me gjendjen e egër, e cila fillon relativisht vonë, siç provohet në pjesën e dytë. Në pjesën e katërt të librit përshkruhet kanuni i Malësisë, siç është zbatuar afërsisht 20 vjet më parë dhe në pjesën e pestë, të fundit, provohet shpjegimi i zhvillimit të kanunit nga karakteri i banorëve, tradita dhe e kaluara.

Franc Nopça

Asgjë nuk është më e zorshme, sesa një i huaj të njohë thelbin e karakterit të një populli dhe asgjë nuk kërkon më tepër qetësi dhe sundim të vetvetes sesa ta përshkruajë pastaj atë në mënyrë objektive dhe siç ndodh në realitet. Për ta njohur karakterin e një populli në natyrën e tij të vërtetë, duhet të njohë fare mirë gjuhën e tij, doket dhe zakonet e tij, se vetëm atëherë mund t’i shfaqet vëzhguesit një popull i natyrshëm, i thjeshtë dhe i papenguar; pastaj duhet aftësia të futet vëzhguesi në ambientin që kërkon të përshkruajë, ta asimilojë atë, se vetëm kështu mund të paralizohen paragjykimet, që sjell ai me vete.

Kush do të përshkruajë karakterin e një shqiptari, ai nuk duhet p.sh. të “xhindoset” aty për aty, që shqiptari e vret tjetrin prapa krahëve me gjakftohtësi, përkundër duhet të mundohet ta vështrojë vrasjen e rastit të lirë nga çdo tronditje pikërisht siç bën vrasësi ose, së paku, rrethi në të cilin është rritur vrasësi. Zemërimi i madh nuk e bën të mundshëm këtë përshkrim, përkundër shpie pa dashur te një dënim të njeriut, që duam të përshkruajmë. Teknikisht përshkrimi i karakterit të një populli bëhet më i lehtë, sa më shumë largohet nga ai i popujve të Evropës Qendrore, se tiparet e tij janë aq më të shprehshëm.

Jeta për shumë vite, që kam kaluar së bashku me shtresat e ndryshme të popullit të Shqipërisë së Veriut dhe fakti që malësorët e këtij vendi më shikonin më në fund si njeriun e tyre, kështu që më pranonin të merrja pjesë në lodrat e tyre dhe më jepnin lirisht të drejtën të them mendimin tim në çështje dhe grindje private, së fundit fakti, që unë besoj, se kisha hyrë t’i kuptoj thellë motivet e shumicës së veprimeve të tyre, dhe prandaj filluan të harmonizonin në sytë e mi tiparet heterogjenë të karakterit shqiptar; të gjitha këto, me gjithë vështirësitë e përmendura, më japin guximin të tentoj një përshkrim të karakterit popullor shqiptar dhe t’i zgjidh kontradiktat e shumta të tij, duke u nisur nga e njëjta pikëpamje.

Ndryshimet e karakterit të malësorit shqiptar mund t’i pozicionoj, duke vërtetuar se karakteri i malësorëve sot i afrohet pak e nga pak atij të shqiptarëve të shkolluar.

Gjykimi i përgjithshëm përmbi karakterin e shqiptarëve ndryshon shumë. Herë i gjykojnë si njerëz jo fort me besë, herë si përtacë, në anë tjetër mburrin besën e tyre dhe zellin në punë; një autor, Murray, arrin të thotë në “Handbook for Travellers in Greece” (Londër 1884): “The very failings of the national Character are generaly for a kind more congenial to Englishmen thon the timid negative virtues of the Greeks or Armenians” .

Nga shkaku i këtyre ndryshimeve mendoj se do të jetë mirë të përsërit shkurt disa nga përshkrimet më të rëndësishme të karakterit shqiptar.

1. BOLLE (1891)

Përshkruan mirditasit si trima, të patrembur, gjakësorë (të pamëshirshëm), me prirje për grabitje, të kënaqur me pak, të ftohtë (të esëllt)**, mikpritës, mendjelehtë, fals, lakues, hakmarrës në mënyrë qesharake të kotë, kokëfortë, kryelartë, me vetëbesim dhe liridashës; janë të lidhur pas truallit të vet, pas familjes, se vetëm atje gjejnë mbrojtje. Mirditasi punon sa është e domosdoshme; vjedhjen dhe grabitjen nuk i ka për turp.

2. BALDACI (1901):

Të gjithë shqiptarët janë mikpritës, i vetmi ligj i kelmendasve është arma e tyre. Hotjanët janë trima, të mirë, të qetë; seljanët më pak të egër se të gjithë malësorët e tjerë, njëkohësisht të gjallë, të shkallët prej natyre; shaljanët janë veçanërisht të egër.

3. BOUÉ (1840):

Shqiptarët janë të gjallë, të qeshur, të shkathët, i kapin shpejt gjërat; krenarë dhe trima; punojnë sa u duket e domosdoshme. Egërsia dhe mungesa e mëshirës janë rezultati i rrethit në të cilin jetojnë. I mungon ndjenja e hakmarrjes dhe shqiptari hakmerret se është për të një detyrë shoqërore. Shqiptari është kamerativ. Gegët, meqenëse nuk dinë të mposhtin gabimet e tyre, kanë diçka naive në karakterin e tyre. Veçanërisht krerët e tyre janë politikisht të lëkundshëm dhe marrin “ryshfet”; toskët e kanë këtë edhe më tepër.

4. BRAILSFORD 1906:

Brailsfordi i quan shqiptarët të ndershëm, besnikë, njerëz që mund të mbështetesh te ta, pa frikë, që i dallon mirësjellja dhe ndjenja e pavarësisë. Sipas Brailsfordit janë të shkathët, kanë diçka agresive në krenarinë e tyre, që varion (ndryshon) nga kotësia e thjeshtë në vetëdije morale (sedër). Shqiptari e urren gënjeshtrën, dhe e mban fjalën që ka dhënë, edhe kur mund t’i sjellë ndonjë rrezik.

5. CALLAN (1899):

Callani i quan shqiptarët racë fisnike e vjetër, besnike, e virtytshme dhe mikpritëse. Shqiptarët i kapin gjërat shpejt, si grekët, por janë më të qëndrueshëm dhe si sllavët, kanë kujdesin të thellohen, pa qenë të bezdisshëm si ata. Ata nuk çajnë kryet për ligjet.

6. CHLUMCKY (1907):

Chlumcky shkruan midis të tjerave këtë: Fanatizmi fetar është një tipar i karakterit shqiptar, që e dallon atë veçanërisht. Në veri ka ruajtur një religjiozitet naiv të thellë, që e shoqëron një zell fanatik. Shkeljen më të vogël të nderit, grindjen më të vogël për pronë e lan pushka; hakmarrja çmohet si detyra më e shenjtë. Askush nuk do të guxonte të thyejë të drejtën e shenjtë të mikpritjes. Lirinë pa fre shqiptari e çmon përmbi të gjitha.

7. COZEM-HARDY (1894) :

Malësori nuk e njeh tradhtinë. Premtimi mbahet, mikpritja vihet në zbatim, por pastaj jeta e njeriut për ta nuk vlen shumë

8. COZZI (1912):

Malësorët janë krenarë. Hakmarrja është për ta detyrë nderi. Preken shumë lehtë; në marrëdhënie me grua janë të sjellshëm. Në shoqëri tregohen sikur nuk interesohen për tituj, ndërsa në realitet i duan fort. Morali i tyre në lidhje me femrat dhe mikpritja e tyre qëndrojnë shumë lart.

9. CVIJIĆ (CVIJIQ) (1908):

Si të gjithë popujt e ciklit patriarkal të Gadishullit Ballkanik edhe shqiptarët dallohen për kuptimin moral të qartë, të palëkundshëm, për moralitetin e tyre gati të rëndë, për mënyrat e prera, shumë herë të egra, të veprimit. Kanë një ndjenjë të fortë për bashkësinë e fisit dhe të familjes dhe, njëkohësisht, tregojnë një shpirt të sakrificës, që nuk sprapset përpara asnjë pengese.

10. DEGRAND (1901):

Malësorët pranë Shkodrës janë krenarë dhe shumë mikpritës; mirditasit veçanërisht hakmarrës, fetarë fanatikë, por besnikë të fjalës, që kanë dhënë. Vjedhin nga viset përreth, vetëm se trualli i tyre është i varfër dhe se nevojat e mikpritjes dhe të festave janë tepër të mëdha. Janë gjaknxehtë dhe sensibël; morali shoqëror në lidhje me femrat, qëndron shumë lart.

11. DUMONT (1872) THOTË PËR SHQIPTARËT SA VIJON:

Veprimet e tyre ndikohen vetëm nga instinkti; veprojnë shpejt dhe pa i peshuar konsekuencat; janë të mirë prej natyre dhe pranojnë dhurata pa u detyruar për mirënjohje, por gjithashtu janë dorëhapur dhe nuk pretendojnë mirënjohje. Kjo pikëpamje dhe prirje që të nderojnë shpejt vendin, i jep karakterit të tyre një ngjyrë naive. Shqiptarët janë mikpritës dhe shumë sensibël; fesë i japin pak rëndësi. Urrejtja zë rrënjë të thella në shpirtin e tyre, por zhduket sapo kënaqet. Shqiptari aty qesh aty qan, aty gëzohet aty zemërohet. Pendimi ose dhimbja e vazhdueshme në qetësi, nuk janë për të. Sipas pikëpamjes shqiptar i mirë është trimi dhe i keq frikacaku, zgjuarsia për ta mundur kundërshtarin dhe aftësia e vjedhjes pa e kuptuar, sipas pikëpamjes shqiptare, janë tipare të mira.

12. DURHAM (1909):

Të gjithë shqiptarët në realitet nuk janë as muhamedanë as të krishterë; feja për ta është vetëm formë e jashtme. Shqiptarët e shkolluar janë tregtarë të shkathët (të zotë) dhe të gjithë kanë individualitet të theksuar. Për fiset e ndryshme mund të thuhet: Të Shkrelit janë të dashur, pa të keq; janë të qeshur, mikpritës dhe e ruajnë kodin e nderit. Të Selcës janë krahasisht punëtorë dhe më të urtë (nuk kanë qejf të grinden) si malësorët e tjerë; në fisin e tyre vjedhjet janë shumë të rralla. Shaljanët kanë virtytet dhe të metat e popujve primitivë.

Aty preken, aty duken të pandjeshëm. Nxehen për një vrasje dhe vazhdojnë të vrasin. Shaljanët dallohen si të egër dhe njëkohësisht si naivë, dorëhapur, besnikë. Janë të afrueshëm dhe mikpritës. Të Dushmanit janë pak seriozë, janë të qeshur e, pjesërisht, tepër të qeshur. Vrasjes nuk i japin shumë rëndësi; e çmojnë bile si të pashmangshme. Fjala që jepet, mbahet natyrisht edhe këtu. Se i shtrohen më shumë impulsit të çastit, prandaj nikajsit çmohen si njerëzit më të egër edhe primitivë të të gjithë Malësisë së Veriut.

Në naivitetin e tyre gëzohen për gjëra fare pa rëndësi. Besa bashkëshortore në martesë nuk është fort e zhvilluar në Nikaj. Si në Berishë, ashtu edhe atje, janë të dhënë shumë pas besëtytnive, pas vjedhjeve dhe grindjeve midis tyre, por fjalën e mbajnë edhe atje. Feja për ta nuk ka asnjë kuptim, është diçka fare formale. Anekdodat e lehta i kanë shumë në qejf. Për mirditasit, Durhami thotë se kanë prirje për grabitje, por rregull të madh nëpër mbledhje. Ndodh, thotë, që pas një vrasjeje iu vjen keq për plumbin…

13. EDLINGER 1909:

Gegët janë njerëz gjaknxehtë, që nxehen shpejt dhe janë sensibël. Janë mikpritës, por dinë ta çmojnë vleftën e të hollave.

14. ELIOT (1908):

Edhe shqiptarëve me pozitë (ose kulturë?!) të lartë iu mungon shumë herë një mendim-bazë në veprimet e tyre. Influencohen nga motive dhe simpatira personale. Gegët janë prej natyre luftarakë. Të gjithë janë shumë të zgjuar dhe nuk e njohin urrejtjen fetare; urrejnë vjedhjen, por grabitja nuk u duket diçka çnderuese. Është popull tradhtar dhe padrejtësisht e mbajnë për popull besnik; janë të pa bindshëm dhe kanë një neveritje të natyrshme, kur dikush i urdhëron, qoftë klerik apo laik. E braktisin lehtë vendin e tyre. Kodi i nderit zbatohet instinktivisht dhe vetëm sepse për ndryshe jetesa do të ishte e pamundur nga shkaku i grindjeve (armiqësive) të vazhdueshme.

15. GIBERT (1914)

I quan shqiptarët të zgjuar, si fëmijë, kalorës dhe të pabesë, dorëhapur dhe hajdutë, të përshpirtshëm (pietoze) dhe prapë pa ndjenjë fetare. E duan vendin e tyre, por nuk kanë ndjenjë kombëtare. Në pikëpamjen fetare janë tolerantë dhe prapë marrin pjesë në luftëra të përgjakshme fetare. Janë shumë të zgjuar dhe të gjitha anomalitë e karakterit të tyre shpjegohen me vobekësinë, injorancën dhe impulsivitetin e tyre.

16. GODIN (1913):

Shqiptari ka zgjuarsi dhe energji të pashlyeshme, çështje, interesa dhe nderi personal dalin në ballë përpara çështjeve publike. Secili është njeri partie. Shqiptarët, që nuk ndikohen janë trima dhe moralisht të dalluar, të pastër, të pazotë të thyejnë fjalën që japin; janë mikpritës, kanë iniciativë personale të plotë, më tepër praktikë dhe të matur sesa idealistë ose fantastë; përgjithësisht jo fort fetarë dhe shumë herë kanë pikëpamje të çuditshme për të drejtën. Në zbatimin e gjakmarrjes shqiptari është trim dhe i palëkundshëm.

Grabitja është e ndershme. Amaneti është i shenjtë. Një karakter kryekëput tjetër tregojnë shqiptarët, që janë takuar me kulturën. Këta në shumicën e tyre janë njerëz që fshihen dhe nuk ecin, të cilët e kanë humbur frymën e kodit të vjetër dhe të rreptë të së drejtës dhe të nderit shqiptar, pa bërë të vetën kuptimin e së drejtës evropiane. Këta i shfrytëzojnë të tjerët pa turp, nuk kanë gjë të shenjtë, shesin nderin e tyre për një arë. Me shqiptarët e tjerë nuk kanë asgjë të përbashkët përveç lakmisë. Nuk kanë nder, mohojnë të mirën, që u kanë bërë një ditë më parë, janë heronj me fjalë por burracë në realitet dhe e mbajnë veten për të vetmit përparimtarë, për të zgjuar, se nuk njohin norma morale dhe ligjin e hakmarrjes; e mbajnë veten si mbartës të kulturës evropiane.

17. GRAVIER (1913):

Sa i përket fesë, shqiptari nuk është aq fanatik sa është sllavi i jugut. Ai është impulsiv dhe nuk e peshon fort, prandaj nuk është konsekuent në veprimet e tij. Shefat e shqiptarëve janë krenarë, në çështje nderi shumë sensibël dhe i ruajnë fort të drejtat e klasës, por njëkohësisht kanë ryshfet dhe e duan luksin.

18. GRISEBACH (1841):

`Dukagjinasit janë krenarë, të mbyllur, rrëmbehen lehtë. Kureshtja, lakmia për të holla, pakënaqësia, rajellëku iu mungojnë. Janë mikpritës, dhe kanë një kuptim të theksuar të nderit. Janë të shoqërueshëm.

19. GUICCIARDINI (1901)¬:

Shqiptarët e kanë të zhvilluar shumë ndjenjën e familjes dhe kuptimin e lirisë. Mikpritja është një çështje nderi; përgjithësisht nderi lot një rol të dorës së parë në kodin e tyre.

20. HAHN-I (1867):

Banorët e Delbinishtit janë të përshpirtëm (kaneietet). Nderojnë klerikët, janë mikpritës, por përtacë, kanë prirje për grabitje, vjedhje dhe nuk dinë masë në të kënaqurit e nevojave të tyre. Muhamedanët, sidomos, janë sarafë. Nderi në çështje seksuale qëndron lart. Përgjithësisht shqiptarët janë të rrëmbyeshëm dhe kalojnë lehtë nga njëri afekt te tjetri. Shqiptari është njeri i veprimit, ndërkaq shumë i ndjeshëm dhe inatçi. Të gjithë malësorët janë mikpritës dhe shumë të sjellshëm. Shqiptarit i duhet në çdo çast të jetë gati të kapë armët, se rron vazhdimisht në rrezik, dhe prandaj punon sa për nevojë. Hahni përgjithësisht nuk kishte parë dëfrime, por kishte dëgjuar, që i kishin thënë, se shqiptari i do këngët dhe vallet shumë.

21. HASSERT (1893):

Shqiptarët kanë frikë vetëm nga zoti, dhe nga ky vetëm pak; nuk e duan luftën e hapur, përkundrazi iu pëlqen të vrasin prapa krahëve, nga një pusi. Janë grabitës dhe barbarë fanatikë, sa i përket fesë. Me të gjithë vrazhdësinë, shqiptarët janë një popull plot forcë, krenar, me sjellje fisnike (kalorës), por në gjyq mund të bëjnë be false, se dëshmia kundër shkakton hakmarrje.

22. HECQUARD (1859):

Të gjithë shqiptarët këndojnë me qejf. Gojëtaria çmohet si mjet për të mbuluar të vërtetën. Durojnë shakara pa qëllim të keq. Katolikët e Shkodrës i kanë humbur lidhjet shoqërore, që i dallojnë aq fort malësorët, ata janë servilë, burracë dhe e kanë humbur ndjenjën e pavarësisë. Kanë smirë njëri tjetrin. Nga lart dallkaukë, nga poshtë shtypës dhe arrogantë. Nuk janë mirënjohës dhe ndihmën e pranojnë si diçka që iu takon si e drejtë. Për një interes të çastit janë gati për çdo turp, veçanërisht kur mund të shpëtojnë nga një rrezik.

Janë dorështrënguar dhe megjithëqë qenien e tyre e kanë nga malësorët, as me ata nuk janë mikpritës. Përgjithësisht ata nuk e njohin mikpritjen. Muhamedanët e Shkodrës janë kryelartë, mirëbërës, mikpritës, dhe në një farë shkalle edhe mirënjohës dhe, megjithëse tregohen indiferentë dhe bujarë, prapë janë ambiciozë dhe koprracë. Malësorët katolikë përkundrazi kanë vullnet më të fortë, janë shumë krenarë, e përbuzin vdekjen, nderojnë njëri tjetrin, e mbajnë fjalën dhe janë mikpritës.

23. IPPEN (1908)

Përshkruan shaljanët si të egër, pa fre, hakmarrës, krenarë, kapadai. Të dobëtin e përdornin keq, pse nuk merren me grabitje; të Nikajt dhe të Mërturit kanë të njëjtat prirje. Seksualitetin as nuk e njohin.

24. JARAY (1913)

Gjen që shqiptarët janë luftëdashës, të prapambetur, kanë iniciativë, janë të guximshëm dhe kundër çdo lloj autoriteti. I quan partikularistë, të cilët fillojnë të dyshojnë sa herë kërcënohen të drejtat e tyre.

25. JASTREBOV (1904)

Thotë për shqiptarët, që mikpritja është njëra nga dogmat e para të teologjisë së tyre. 50% të bareshave e humbasin çupërinë e tyre dhe prandaj nguten të martohen. Morali i grave është i lëkundshëm; këndej vinë 98% të hakmarrjeve, pastaj shton: “Shqiptarët janë shumë dinakë, gënjeshtarë dhe hipokritë, armiq të këshillave të mira, idololatër të një nderi të gabuar. Kanë prirje t’i zmadhojnë gjërat, nuk durojnë cenimin botërisht të gjërave të shenjta, vjedhja për ta nuk është mëkate, bile ka raste, kur është e lavdërueshme, dhe më anë tjetër shkojnë në kishë dhe kanë një besim të verbër fetar.

26. KNIGHT (1880):

Thotë që muhamedani është krenar dhe i sjellshëm po fort i rreptë në mbajtjen e fesë; katoliku i Shkodrës është i ndritur, hipokrit, si të gjithë njerëzit e shtypur dhe ka frikë të tregohet i pasur. Malësori është i egër, liridashës, krenar, i pabindur.

27. LIEBERT (1909):

Çdo përbuzje e fesë dënohet me fanatizëm. Sjellja e muhamedanëve të Malësisë është më korrekte, më në formë sesa ajo e katolikëve. Në diskutime janë të shkathët.

28. MARAFIOTI (1600)

Tregon për shqiptarët e Kalabrisë, që e kishin ruajtur karakterin e tyre, duke dashur të ishin të pavarur kundrejt administratës italiane, prandaj banonin në malet dhe pyjet dhe, kur i detyronin të paguanin taksa, merrnin laçkë e plaçkë dhe largoheshin.

29. OESTREICH (1903).

Urrejtja fetare është, bashkë me trashëgime të tjera të popullit si gjakmarrja etj., fuqia më e madhe ndër cilësitë popullit shqiptar.

30. PINON (1908):

Shqiptarët janë partikularistë dhe liridashës; asnjeri në Malësi nuk njeh kryetar, asnjeri nuk njeh ligj. Arma është i vetmi ligj. Shqiptarët janë barinj, gjahtarë, cuba.

31. POTHES-WEGNER (1899):

Malësorët e kanë të zhvilluar shumë krenarinë dhe ndjenjën e nderit; ai që ka pozitë më të lartë, nuk i tregohet si i këtillë atij me pozitë më të ulët; gjithmonë është gati të ndihmojë. Kurrë nuk shahen, se përgjigja do të ishte plumbi. Vjedhja jashtë fisit është nder. Mikpritja dhe mbrojtja e mikut janë detyra të shenjta.

32. SAN GUILIANO (1902):

Katolikët e Shkodrës janë të përshpirtëm dhe kanë shumë frikë nga dënimet e botës tjetër dhe të kësaj bote. Janë njerëz të ndrojtur, të dobët. Muhamedanët e Shkodrës janë fanatikë. Malësorët janë egoistë, individualistë dhe anarkist. Kanë adaptuar parimin e parë në librin e Sticnerit: “unë jam i vetmi!”.

33. SIEBERT (1910)

Bashkohet në gjërat kryesore me Hahnin dhe Nopçën, i quan shqiptarët të rrëmbyer, të nxehtë, që dyshojnë, besojnë gjëra të kota, por zemërbardhë, të qeshur, trima, besnikë, hatërlinj, të sjellshëm, gati për të ndihmuar, mikpritës dhe shumë sensibël (preken lehtë). Tipike është, që marrin flakë shpejt dhe që e mbajnë fjalën.

34. SCHULTZ (1908)

Thekson sensibilitetin dhe mungesën e mëshirës në çështje nderi dhe thotë që e mbajnë fjalën.

35. SZAMATOLSKI (1910):

Malësorët katolikë dhe muhamedanët janë mikpritës dhe indiferentë në çështje besimi. Morali seksual, si duket, nuk qëndron në shkallë aq të lartë, sa kujtohet.

36. STEINMETZ (1904-1905-1908):

Mikpritja është më e madhe se kudo, hakmarrja zbatohet pa mëshirë. Shkelja e kurorës ndodh dendur; por çupat e ruajnë nderin e tyre. Të gjithë shqiptarët janë lidhur ngushtë me vendin e tyre. Janë të gojës, shumë të zgjuar, u adaptohen shpejt kushteve dhe dinë ta përdorin rastin e favorshëm. Mirditasit janë të përmendur si cuba, edhe të Nikajt dhe të Mërturit janë të dëgjuar për grabitje kuajsh dhe bagëtish; prirje më të mëdha për punë të këtij lloji duket se kanë ata të Rëshkasë, por edhe më të mëdha ata të Selitës, por pikërisht Beshkanët janë jashtëzakonisht të dashur dhe mikpritës. Në kundërshtim me Selitasit qëndrojnë banorët paqedashës të Lezhës. Kthellasit janë po aq hajdutë si Beshkasit, por nganjëherë dinakë. Shumë episode, qe përmend Shtajnmec (Steinmez), tregojnë karakterin e lehtë, të gëzuar, pa fre të pultasve.

37. TOMIĆ (1913):

Shqiptarët muhamedanë të Kosovës dhe të Peshterës janë një element anarkistësh dhe asgjë tjetër përveç cuba.

38. TOZER (1869):

Bashkohet me Finlay në përshkrimin e karakterit të shqiptarëve, i cili i quan ata krenarë, jo të qetë, me vetëdije të theksuar, lakmues për fitime, por të ndershëm, të sinqertë. Fantazinë dhe inteligjencën i kanë të zhvilluara mirë.

39. VANNTELLI (1892):

Kujton që shqiptarët janë përgjithësisht të pazbutur dhe krenarë, të pabindur dhe personalisht trima. Veçanërisht të egër quan ai mirditasit, liridashës, krenarë dhe mikpritës dhe që e kanë për turp të vrasin kundërshtarë pa armë; pastaj që vjedhjen në vise të një fisi të huaj, ose vrasjen, nuk i quajnë vepër nderuese.

40. WASSA (1878):

Thotë për çdo shqiptar në një dorëshkrim, që nuk është botuar, se atij nuk i bën përshtypje mediokriteti, ai e përbuz atë.

41. WIET (1866):

Mirditasit besojnë që janë katolikë të zellshëm, janë mikpritës dhe i dënojnë tradhtarët dhe gratë e pabesa me vdekje; përgjithësisht janë barbarë.

42. WINDISH (1800):

Kelmendasi i Sirmit është besnik, nuk ka shumë fjalë, tregon prirje për luftë, është hakmarrës dhe inatçi.

43. WIRTH (1914):

Thotë për shqiptarët se janë partikularistë dhe shumë të zgjuar, dhe kujton se janë dhënë shumë pas lodrave dhe pas sportit. Kanë një ndjenjë tepër të zhvilluar të nderit. Për Wirthin janë vetëm bogasit të pabesë dhe, si duket, në pikëpamje të moralit seksual ndodhen në shkallë të ulët.

44. WOODS (1911):

Shqiptari është i egër, luftarak, tolerant në çështje fetare, i pabindur, por besnik dhe i ndershëm.

45. NYONI (1904)

I përshkruan kelmendasit si jashtëzakonisht të egër, por prej natyre të sjellshëm.

Po të mos marrim parasysh ata shkrimtarë sllavë, si p.sh. profesor Cvijiçin ose Vlladan Georgeviçin, me paragjykime raciale të trashëguara, ose me tendenca politike dhe, gjithashtu, se ç’thonë shqiptarë të njëanshëm për veten e tyre, mbetet prapë një numër i madh pikëpamjesh të ndryshme. Natyrisht nuk është nevojë të marrim parasysh gjykimin e njerëzve që e njohin Shqipërinë me ndihmën e dragomanëve, ose duke e kaluar vendin vetëm njëherë. Prandaj shumë nga pikëpamjet e lartpërmendura bien vetiu poshtë.

E vetmja pikëpamje me të cilën janë dakord pa përjashtim autorët e mirë, është mikpritja dhe zbatimi pa mëshirë i gjakmarrjes. Lëkundje në çështje politike, mungesë disipline dhe sjellje të egra, lakmi të hollash, kotësi, krenari, inat, sensibilitet, janë cilësira që ua ngarkojnë të huaj, të cilët e njohin gjuhën e vendit dhe që kanë jetuar gjatë në Shqipëri: miqtë e tyre, si p.sh. Lord Bajroni, mburrin besnikërinë e tyre, mikpritjen, trimërinë dhe vetëdijen e tyre, kuptimin patriarkal dhe zgjuarsinë e tyre të jashtëzakonshme.

Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2