Zjarri merr përmasa të mëdha në ishullin e Sazanit, banesë e 16 specieve të rralla

 


Vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit vijojnë të jenë aktive, edhe pas tre ditësh, ndërkohë nga qyteti i Vlorës duket qartë reja e tymit që vjen nga ishulli. 

 Zjarri ka marrë përmasa të mëdha i ndihmuar edhe nga era që fryn nga veriu. Me dhjetëra pisha shekullore janë shkrumbuar dhe vijojnë të digjen. FA gjatë mbrëmjes së djeshme kanë luftuar me flakët të mbështetur edhe nga ADZM, por shuarja e zjarrit ka qenë e pamundur. Një rrezik evident në ishull janë dhe municionet e mbetura të cilat mund të shpërthejnë nga zjarri. 

 Ditën e sotme flakët vijojnë dhe pritet që në ishullin e Sazanit të nisen edhe punonjës së zjarrfikëses . Siç duket dhe nga pamjet që janë marrë nga qyteti i Vlorës, ishulli është i rrethuar nga një mjegull tymi dhe duken qartë vatra zjarri që janë aktive. Kujtojmë se ishulli i Sazanit është banesë e shtatë speciesh amfibësh nga të cilat tre janë të rralla. Gjithashtu ishulli ka edhe 15 specie zvarranikësh, ku 13 prej tyre janë gjithashtu të rrallë. 

 Derisa të shuhen flakët e zjarrit dhe të pastrohen mbetjet e municioneve ishulli i Sazanit do te jete i mbyllur për turistët. Dyshohet se shkak i zjarreve në Sazan janë papërgjegjshmëria e pushuesve që shkojnë me mjete të vogla dhe pa leje ,ndezin zjarre për ushqimet e tyre, ndërkohë që në ishullin e Sazanit janë vetëm katër ushtarë që monitorojnë gjithë zonën dhe kjo është e pamundur. Ndërkohë në lidhje me zjarret ka reaguar edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila bën me dije se ka rinisur puna për shuarjen e zjarrit në ishull, por situata vijon të jetë kritike.
Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2