Përbërësit: 400g miell të zakonshëm për përdorim të përgjithshëm (plus 2 lugë gjelle miell pasi të ndahet në tasa), 250g sheqer, 180ml vaj vegjetal ose misri, 4 vezë, 1 majë luge kafeje kripë, Gjysmë luge kafeje vanilje (sipas dëshirës mund ta zëvendësojmë me një lugë kafe sheqer të përzier me lëkurë limoni ose portokalli), 1 gotë qumësht (240ml), 1 lugë kafeje sodë për kek.
Përgatitja: Ngrohim furrën në 170 gradë. Përziejmë në një enë në fillim përbërësit e thatë miellin, sodën, kripën, sheqerin dhe vaniljen ose lugën me pak sheqer e lëkura limoni. Përziejmë vezët me vajin dhe shtojmë qumështin dhe përftojmë një masë të lëngshme. Masën e lëngshme e shtojmë me kujdes te mielli i përzier. Kështu kemi një masë brumi të lëngshme keku. Masën e brumit e ndajmë në 3 pjesë në 3 enë të ndryshme. Një pjesë e lëmë të bardhë siç është brumi i përftuar. Në tasin tjetër shtojmë 2 lugë gjelle kakao të zezë, të tretur me pak qumësht, para se ta shtojmë në tasin me brumë. Në tasin e tretë shtojmë prevede luleshtrydhe (të përftuar nga 100g luleshtrydhe të freskëta nga kultivuesit e fermave të Frakullit), përzier me 70g sheqer; i ziejmë 10 minuta dhe i kullojmë që të marrim vetëm lëngun). Marrim 3 lugë gjelle prevede dhe i përziejmë me një lugë gjelle miell para se ta përziejmë me brumin në tasin e tretë. Kemi 3 tasa me 3 ngjyra - të bardhë, kafe dhe të kuqe. P.S. Nëse doni ta bëni të kuqen më të fortë shtoni 2-3 pika lëng panxhari të kuq të freskët, të grirë dhe kulluar në kullesë. Lyeni një tepsi me diametër 18-20 cm me pak gjalpë dhe pudroseni me miell. Duke filluar nga mesi i tepsisë vini një lugë gjelle brumë të bardhë, mbi brumin e bardhë një lugë nga brumi me kakao, mbi brumin e kakaos një lugë brumi me luleshtrydhe. Përsëriteni këtë veprim me radhë, disa herë, derisa të mbarohet brumi i të tre tasave. Mos e shtyni brumin me forcë, vetëm kini durim që të shtoni sipas radhës në qendër të tepsisë dhe në shtresa mbi njëra-tjetrën nga një lugë me brumë me ngjyra të ndryshme. Do të shihni si tepsia mbushet vetë në formë rrathësh me ngjyra. Kur të jetë mbaruar brumi vini tepsinë në furrën e para ngrohur. Lëreni të piqet rreth 30-40 minuta. Kontrollojeni me një kunj dhëmbësh që brumi të jetë pjekur mirë. Lëreni të ftohet 10 minuta para se ta ktheni tepsinë dhe të nxirrni kekun në një pjatë ose pjatancë. Kur ta prisni kekun do ta shikoni që “magjia” ka bërë punën e vetë dhe keku i prerë del në shtresa si zebër. Përdorni fantazinë për të ndarë brumin herë tjetër në tasa, shije dhe ngjyra të ndryshme.