Ministri Tahiri urdhër policëve: Dorëzoni librezat e energjisë

Të gjithë efektivët e policisë duhet që të dorëzojnë pranë komisariateve ku punojnë librezat e energjisë elektrike. Ky është urdhri më i fundit që punonjësit e policisë kanë marrë nga eprorët e tyre, ndonëse deri tani nuk u janë vendosur sanksione. Burime pranë policisë sqarojnë për "Gazeta Shqiptare", se urdhri u është dhënë me mesazhe telefonike dhe në mënyrë verbale dhe se paraprakisht u është komunikuar që të dorëzojnë vetëm librezat e energjisë elektrike. Pasi të dorëzohen librezat, do të evidentohen efektivët që nuk kanë qenë të rregullt me pagesat e faturave të dritave dhe në një fazë të mëtejshme do të përcaktohet se si do të veprohet me këta punonjës të uniformave blu.
Urdhri 
Në kuadër të aksionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike, duket se kontrollit të rreptë për verifikimin e pagesës së energjisë elektrike do i nënshtrohen edhe punonjësit e garantimit të rendit në vend. Javën që lamë pas, të gjithë efektivëve të policisë u është komunikuar urdhri verbal nga shefat dhe eprorët e tyre që të dorëzojnë pranë vendit të punës edhe librezat e energjisë elektrike, për të parë sa të rregullt kanë qenë ata me pagesën e faturave. Madje, shumë prej efektivëve janë trembur pas këtij urdhri, pasi jo të gjithë kanë qenë të rregullt me pagesat dhe frika e tyre është shtuar edhe më shumë teksa kanë parë se u është vonuar paga, por pas katër ditësh lekët u janë hedhur në llogaritë bankare. Burime pranë policisë sqarojnë se gjatë komunikimit të këtij urdhri nuk u kanë thënë nëse do të ketë pasoja mosdorëzimi pranë komisariateve i librezave të faturave të energjisë nga ana e efektivëve.
Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2