Meta takon Nishanin: Gati të bashkëpunojmë për kreun e BSH-së!

Në fund të takimit me presidentin Bujar Nishani, kreu i Kuvendit Ilir Meta, tha para medieve se ka një gatishmëri të shprehur qartë nga kreu i shtetit për emrin e ri që do të vendoset në krye të Bankës së Shqipërisë.
Meta tha për gazetarët se pikërisht zgjedhja e Guvernatorit të ri, ishte tema kryesore që u diskutua me Presidentin, ndërsa sa i përket një emri konkret për postin në fjalë ai nuk përmendi asgjë.
Duke folur në emër të tij dhe të presidentit, Meta tha se rëndësi ka mbarëvajtja e procesit që do çojë tek zgjedhja e Guvernatorit të ri.
“Mendojmë për një figurë gjithëpërfshirëse dhe që do ruajë e thellojë më tej pavarësinë e Bankës së Shqipërisë. Ky është profili që do të ketë Guvernatori i ri”, tha Meta.
“Natyrisht që çështja kryesore për të cilën biseduam ishte ajo e zgjedhjes së Guvernatorit të ri të BSH-së dhe presidenti ka bërë një ekspoze të mënyrës si ka proceduar deri tani, për të realizuar në kuadër të përmbushjes së detyrimit të tij kushtetues, emrin e guvernatorit të ri, nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Presidenti është i hapur të bashkëpunojë në kuadër të ruajtjes së integritetit dhe pavarësisë së këtij institucioni”, tha Meta.
Ai tha më tej se në takim u fol për procesin dhe rëndësinë e vajtes tek një emër nëpërmjet procesit dhe jo për një emër konkret.
“Ne do respektojë të drejtën Kushtetuese të Presidentit. Do ofrojmë gjithë bashkëpunimin tonë, që ky emër të jetë garant për drejtimin e BSH-së dhe ruajtjen e pavarësisë. Në themel qëndron vullneti i mirë për të garantuar një zgjedhje sa më profesionale, që ndihmon në thellimin e mëtejshëm të pavarësisë”, tha ai në fund.
09:33 - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka nisur sot në mëngjes konsultimet me kreun e Parlamentit Ilir Meta për Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë, ndërsa më pas do të presë edhe kryeministrin Edi Rama.
Takimet në presidencë kanë nisur në orën 09:00 fillimisht me kryetarin e Parlamentit Ilir Meta dhe më pas kreu i shtetit pritet të ketë takime të veçanta edhe me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Meta dhe Rama konfirmuan ftesën dhe pjesëmarrjen në takimin me presidentin Nishani, por nuk dhanë më shumë detaje.
Në këto takime do të diskutohet për emrat e kandidatëve për kreun e BSH-së.
Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2