Ismet Haxhia: E vërteta e incidentit në mitingun e PD në Tropojë në ’97

I dënuari me 20 vjet burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, Ismet Haxhia rrëfen në librin e tij “Kronika e Dhimbjes”, situatën e vështirë në mars-prillin e ’97-ës në Tropojë. Roli i Azemit, i Haklajve, i Dem Dollapit në atë që quhet dosja “Tropoja” në optikën e Ismet Haxhisë, sot, në numrin e dytë të rrëfimit të tij nga qelia.
Kapitulli I
KRIZA POLITIKE QE SOLLI KRIZEN E BESIMIT DHE ANARKINE E PERGJITHSHME NE VENDIN TONE
Fillimi i marsit 1997, Tropojën e gjeti në një udhëkryq të madh. Të gjitha institucionet ishin djegur. Kudo dilte tym dhe flakë. Repartet ushtarake dhe Komisariati i policisë ishin plaçkitur plotësisht, duke marrë gjithçka që dikush mendonte se i nevojitej. Kudo shikoje njerëz të të gjitha moshave e gjinive të mbartnin mbi kurriz armë dhe arka me municion. Nëpër rrugë shikoje edhe policë me uniformë të ngarkuar me thasë mielli, apo ushqimesh të tjera të marra në komisariatin e policisë ku punonin. Tek njerëzit kudo kishte hyrë frika se do të fillonte lufta. Po çfarë lufte? Nuk dihej se kush ishte armiku e kundër kujt do të luftohej. Njerëzit, të trembur nga përkeqësimi i situatës, filluan të blinin gjithçka gjendej nga produktet ushqimore në tregun e varfër atje, duke e boshatisur atë plotësisht. Rezervat në miell e grurë ishin aq të pakta, sa shumë shpejt qyteti mund të kërcënohej nga uria. Furrat e bukës kishin dhënë alarmin për mbarimin e rezervave të miellit.
Shumë familje nuk kishin mundur të siguronin asgjë që të mund të garantonin mbijetesën në të paktën disa ditë. Në njërën nga ditët e fundit të marsit 1997, në sheshin para këshillit të rrethit, takoj kryetarin e Këshillit të Rrethit. Ai ishte një djalë shumë i mirë, që vinte nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë. Ishte mjaft i mërzitur nga situata e krijuar në qytet, pasi gjithçka ngjasonte me një fushë beteje, ku nuk dihej se kush kishte humbur apo kush kishte fituar. Në fakt kishin humbur të gjithë.
* * *
Godina e Këshillit të Rrethit ishte djegur plotësisht. Në prani të tij ishin kryetari i degës së financës dhe përgjegjësi i administratës. Pjesa tjetër e administratës prej rreth 40 vetësh nuk ishte bërë e gjallë që prej dy javësh. “Kam vënë njerëz të të kërkojnë, – më thotë, – pasi kam nevojë shumë që të bashkëpunosh për të përballuar këtë situatë”. “Këto gjëra do t’i kishim biseduar duke pirë nga një kafe, – më thotë, – por më vjen turp të më shikojë dikush në ndonjë lokal”. “Urdhëro, – i them unë, – me se mund t’ju ndihmoj?” “Kam mendimin që ju të vini për të punuar në administratën e Këshillit të Rrethit”. “Për rrogën, – më thotë, – nëse do të paguhem unë ndonjëherë do të paguhesh edhe ti!” “Siç e shikon, – më thotë ai, – me përjashtim të këtyre dy personave nga administrata që ndodhen këtu, askush nuk po angazhohet për t’u përballur me situatën e krijuar”. Duke qenë së unë në atë kohë isha anëtar i Këshillit të Rrethit, si dhe bëja pjesë në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste atje, i them: “Më duhet të pyes për të marrë leje nga drejtuesit e partisë sime. Personalisht unë jam dakord të bashkëpunoj me Ju për të mirën e punës”
Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2