Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Pallatin e Kongreseve, se nuk është arsye që varfëria të jetë shkaku kryesor për vjedhjen e energjisë elektrike. Rama pranoi me keqardhje se vjedhja e energjisë është legalizuar dhe pranuar botërisht dhe madje ligjërisht në Shqipëri, përderisa është bërë e pandëshkueshme për 20 vjet me radhë, pavarësisht se vjedhja përfshihet në krimet e dënueshme dhe në rast përsëritje, duhet të dënohet edhe më shumë.
“Është bërë aq e natyrshme që energjia të vidhet, sa që nuk është aspak çudi që ndaj këtij operacioni që kemi lajmëruar 5 ditë më parë, jo pak njerëz të arsyeshëm, të komentojnë se kjo që po synojmë të bëjmë ne, është e padrejtë se Shqipëria është e varfër dhe se njerëzit vjedhin nga varfëria.
Nëse varfëria apo pamundësia ekonomike do të ishte vërtet një arsye e pakapërcyeshme për të vjedhur energji elektrike, pse nuk ekziston një pensionist që vjedh energji. Pse nuk i shkon mendja një pensionisti që ka vështirësi, që paguan më shumë se çdo kush tjetër, të vjedhë. Kjo nuk është arsye. Nuk është varfëria arsyeja pse bashkëpunëtorë të hajdutëve të vjedhjes së energjisë, e bëjnë këtë, apo kompanitë e mëdha, lokalet në qendër të Tiranës të mos paguajnë”, tha Rama.
Në takimin me temë: “Takim kombëtar, mbrojtja e energjisë dhe lufta ndaj krimit urban dhe mjedisor, sfida të përgjegjësisë publike”, kreu i qeverisë tha se Shqipëria duhet të ndryshoje faqe me çdo kusht dhe të rritet ekonomikisht, duke kapërcyer një fazë të qartë tranzicioni, bazuar në pasuritë që ka.