Lëvizja studentore ‘Për Universitetin’ ka nisur një seri aksionesh për të bllokuar mësimin në fakultet e Universitetit të Tiranës në protestë kundër rritjes së tarifave nga universitetet publike.
Studentët bllokojnë fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit | Foto nga : Lëvizja për Universitetin Të premten 24 Tetor dhjetëra studentë bllokuan hyrjen kryesore të fakultetit të inxhinierisë së ndërtimit në protestë të tarifave të arsimit të lartë.
Të hënën me 27 tetor lëvizja ka njoftuar që do të zaptoje hyrjen e Universitetit Politeknik të Tiranës, duke nënvizuar që arsimi është një e drejtë themelore për të gjithë.
“Sot, nuk jemi Ne, studentët, që po e bllokojmë Universitetin,” tha lëvizja në një komunikatë të shpërndarë në rrjetet sociale.
“ Universitetin për studentët po e bllokojnë disa politika arsimore të padrejta dhe Ne kërkojmë tërheqjen dhe anulimin e tyre të menjëhershëm,” ajo shtoi. Lëvizja thotë që kërkesa e saj qendrore është ulja e tarifave të studimit.
Studentët gjithashtu kërkojnë heqjen e mesatares si kusht për të vazhduar studimet e ciklit të dytë (master). Studentët thonë që ky kusht, i cili ka fuqi prapavepruese, i heq mundësinë shumë prej tyre për të vazhduar të ciklin e dytë të studimeve.
“Për këtë kriter studentët nuk janë informuar fare në fillim apo gjatë studimeve të tyre,” tha lëvizja. “Gjithashtu, Vendimi i Këshillit të Ministrave është diskriminues për faktin se është vendosur vetëm për Universitetet Shtetërore, edhe pse qeveria flet gjithë kohës në emër të konkurrencës së lirë brenda sistemit të arsimit të lartë,” shtoi ajo.
Studentët gjithashtu kërkojnë heqjen e kushtit të pagesës së 30% të tarifës së studimit që në fillim të vitit akademik si dhe heqjen e tarifës për provimet e mbartura.
“Me politika të tilla arsimore diskriminuese, të befasishme, jashtë çdo procedure normale ligjore dhe pa asnjë lloj informimi në kohë, po e përjashtojnë Studentin nga Universiteti…duke rritur kostot e studimit dhe duke vendosur një barrikadë burokracie jashtëligjore,” lëvizja thotë.
“Në këto kushte, studentët më shumë se kurrë duhet të kërkojnë ulje të tarifave të studimit drejt zeros, rritje të investimeve në infrastrukturën e Universiteteve dhe respektimin e dinjitetit të tyre nga aparati burokratik shtetëror dhe universitar,”