SHBA sulmon ISIS në Siri. Bashkohen edhe aleatë arabë

Shtetet e Bashkuara dhe disa prej aleatëve të Gjirit Persik kanë nisur sulmet nga ajri dhe ato me raketa ndaj bazave të Shtetit Islamik në Siri gjatë së martës, duke hapur një front të ri tepër të komplikuar lufte kundër militantëve. 

“Mund të konfirmoj se ushtria amerikane dhe forcat e kombeve partnere janë duke ndërmarrë sulme ushtarake kundër terroristëve të Shtetit Islamik në Siri, duke përdorur avionë luftarakë, bombardues dhe raketahedhëse ‘Tomahawk’”, është shprehur Sekretari për Shtyp i Pentagonit, nënadmiral John Kirby në një deklaratë.

“Duke qenë se operacionet janë në vazhdim e sipër, nuk jemi në kushtet për të dhënë detaje të mëtejshme në këtë moment”.

Një zyrtar amerikan, i cili ka folur në kushtet e anonimatit, tha se Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania dhe Bahreini janë të përfshirë në sulme, edhe pse rolet ekzakte të tyre në veprimet ushtarake janë ende të paqarta. Ndërkohë, Katari po luan një rol mbështetës në sulmet ajrore, tha ai.

Një tjetër zyrtar tha se të paktën një anije amerikane ka lëshuar raketa “Tomahawk”, raketa që lëshohen nga një vendndodhje drejt një destinacioni të caktuar. Por, edhe dronë (avionë të telekomanduar) të armatosur janë përdorur gjatë këtyre sulmeve.

Objektivat kanë përfshirë qytetin e Raqqas në Lindje të Sirisë, apo siç konsiderohet selia e Shtetit Islamik, një grup terrorist i ekstremistëve sunitë që ka pushtuar pjesë të tëra të territorit në Irak dhe Siri, si dhe pretendon krijimin e një kalifati duke fshirë kufijtë në zemër të Lindjes së Mesme.

Grupi monitorues i luftës civile në Siri, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Londër, ka bërë të ditur se të paktën 20 luftëtarë të Shtetit Islamik janë vrarë. Televizioni shtetëror sirian tha se Shtetet e Bashkuara kishin informuar përfaqësuesin e Sirisë në OKB, gjatë së hënës, për goditjen e objektivave të ISIS në Raqqa, që ndodhet rreth 400 km në Verilindje të Damaskut.

SHBA kanë deklaruar në të kaluarën se nuk do të koordinonte në asnjë lloj mënyrë luftimet e tyre kundër Shtetit Islamik me qeverinë e Bashar al-Assadit. Presidenti Barack Obama prej kohësh ka theksuar se do të donte të shihte Assadin të largohej nga pushteti, veçanërisht pas përdorimit të armëve kimike ndaj popullit të tij, vitin e kaluar.

Sipas OSDNJ, janë kryer të paktën 50 sulme ajrore në Raqqa dhe Deir al-Zor, teksa nuk janë goditur vetëm objektiva të ISIS por edhe të Fronit al-Nusra, një organizatë e lidhur me al-Qaedan
Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2