Kur paraja s’bën futboll

Përveç mirëorganizimit dhe dëshirës për të fituar, paratë luajnë një rol kryesor në ndërtimin e një klubi të madh futbolli.

Të tilla janë skuadra si Reali, Bajerni, Barcelona, Manchester United dhe City, apo Chelsea, Arsenal e të tjera. Por përtej parave në këto këto tre liga surprizat mbërrijnë nga skuadrat modeste që gjithë buxhetin e merkatos vjetore e kanë më të ulët se paga e një futbollisti të njërës prej këtyre skuadrave të mëdha.

Në Gjermani, Paderborni kryeson Bundesligën me 8 pikë, po aq sa Bajerni i Mynihut. Debutuesit fituan derbin me Hanoverin me rezultatin 2-0, falë edhe një supergoli të shënuar nga 83 metra nga Stoppelkamp.

Skuadra vendoset në një lagje periferike të qytetit të Hanoverit me 170 mijë banorë. Deri më tani nuk ka zhvilluar asnjë takim që të zgjasë pas orës 22:00 pasi zhurma shqetëson një azil pleqsh që ndodhet aty pranë. Por me ngjitjen në Bundesligë, tifozët, drejtuesit dhe lojtarët e skuadrës shpresojnë që gëzimit të tyre t’i bashkohen edhe pleqtë e azilit për të lejuar zhvillimin e një takimi në orët e mbrëmjes.

Megjithatë jo gjithcka ka qenë fushë me lule për këtë skuadër.. Në 2004 ishte në qendër të një skandali fiksimi ndeshjesh, i cilësuar si skandali më i madh në futbollin gjerman dhe gjithçka nisi pas një ndeshje në kupë kundër Hamburgut. Ndëshkimi ishte i ashpër dhe drejtuesit e rinj vendosën të nisnin gjithçka nga e para. Puna e parë që duhej bërë ishte ringritja e imazhit dhe sezonin e kaluar suksesi mbërriti, skuadra u ngjit mes më të mirëve në Gjermani dhe në verë zgjidhi portofolin duke investuar 1.6 milion euro në merkato, si asnjëherë më parë.

Po të krahasohet me bashkëkryesuesin Bajern, kjo shumë duket qesharake, megjithatë në këto javë të para të Bundesligës drejtuesit e Paderborn, që objektiv kanë qendrimin në Bundesligë, mund të mbeten të kënaqur nga rezultati.

Hidhemi në një tjetër kampionat të rëndësishëm; në Spanjë, tek një skuadër akoma më e vogël se Paderborn. Kur u ngjit në Primera Division drejtuesit e klubit ngritën një rrjet për të grumbulluar të ardhura nga tifozët në qytetin prej 27 mijë banorësh të Eibarit për të plotësuar shumën prej 2 milion euro që federata kushtëzonte regjistrimin në La Liga.

Falë kontributit të tifozëve kjo shumë i sigurua dhe Eibari shmangu mospjesëmarrjen në kampionat për çështje financiare.

Debutoi me fitoren 1-0 ndaj Real Sociedadit dhe trembi Atletikon e Madridit në humbjen 2-1 në transfertë. Pas humbjes me Deportivon fituan në transfertë ndaj Elche-s dhe aktualisht janë në kuotën e 6 pikëve, sa gjysma e kryesuesve të Barcelonës. Më shumë se sa kryesimi krenaria e kësaj skuadre, e ndërtuar vetëm nga spanjollë, qendron tek momenti; rënditen para Real Sociedad dhe Atletik Bilbaos, dy skuadra baske të Primera Division.

Kalojmë në Premier Lige. Këtu surpriza s’është në përmasat e Paderbornit dhe Eibarit. Leicesteri është qyteti i dhjetë më i madh në Angli, por sërish kur vjen puna tek skuadra e futbollit quhen modestë.

U ngjitën në elitën e futbollit anglez këtë sezon dhe zhvilluan një merkato të mirë dhe sot 50 përqind e skuadrës përbëhet nga lojtarë të huaj. I pari i huaj, përvec të tjerëve në fushë, është presidenti i klubit, Vichai Srivaddhanaprabha, miliarder tajlandez që në pranverë premtoi investimin e 240 milion eurove për skuadrën.

Premtimi nuk u mbajt, por sërish sot skuadra e tij ka po aq pikë sa Manchester City i sheikëve arabë dhe pikë të grumbulluara nga një kalendar jo fort favorizues. Leicester ka barazuar në fushën e tij me Everton dhe Arsenal, ndërkohë që këtë fundjavë bëri mrekullinë kur përmbysi rezultatin nga 1-3 në 5-3 ndaj Manchester United.

Këto tre klube janë shembulli më i mirë që paratë nuk janë gjithcka për ndërtimin e një skuadre konkurruese, të paktën për momentin…dhe këto skuadra po shijojnë pikërisht atë; momentin.
Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2