Tjetër “skandal” i FIFA-s. “Jo Katarit”

Ai që nxiti dyshimet e para mbi Botërorin e futbollit në Katar, në vitin 2022, ka qenë vet presidenti i FIFA-s Sepp Blatter me komentin “ishte një gabim”.

Tashmë që FIFA, apo një pjesë e saj, po e rimendon këtë zgjedhje, duket se është bërë zyrtare: Theo Zwanziger, anëtar i Komitetit Ekzekutiv, ka deklaruar: “Nuk besoj se në 2022-shin do të luhet në Katar, bën shumë vapë, mjekët nuk japin siguri për mbijetesën në ato kushte të futbollistëve, por edhe tifozëve”.

Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i trupës qeverisëse të futbollit botëror, që e ka mohuar, duke ngritur kështu një tjetër çështje…

Zwanziger, ish-president i Federatës gjermane të Futbollit, ka bërë publike dyshimet që kanë pasur jo pak vetë. Kjo sepse temperaturat mesatare në Katar, në verë, i kalojnë 40 gradët dhe rreziqet për tifozët janë të shumta.

“Mjekët nuk duan të marrin përsipër këtë përgjegjësi”, ka thënë anëtari i KE të FIFA-s. “Mund të ndërtojnë stadiume të freskëta, por Kupa e Botës nuk luhet vetëm nëpër impiante. Tifozët e të gjitha kombëtareve pjesëmarrëse do të përjetojnë makth me klimën e nxehtë të Katarit, e me rrezikun e parë të jetës së ndonjërit do të nisin edhe hetime. FIFA nuk e dëshiron këtë”.

Në fillim ishte skandali me zarfet për dhënien e lejes së zhvillimit të Botërorit në Doha, teksa disa këshilltarë të federatave afrikane u hetuan për korrupsion. Mohammed Bin Hammam (i Konfederatës aziatike) u skualifikua përjetë sepse kishte bindur me “donacione” vendet e Karaibeve për të votuar Katarin, ndërsa Karl-Heinz Rumenigge u gjet pas një kthimi nga Emiratet me dy “Rolex” prej 250 mijë eurosh, siç dyshohet. Më pas skandali i punëtorëve-skllevër të përdorur në ndërtimin e impianteve, emigrantë kryesisht nga Pakistani të nënpaguar apo mospaguar, me disa raste vdekjeje të dyshimta. Tashmë kjo polemikë e re mbi klimën dhe pasojat që mund të ndeshen.

Megjithatë, pavarësisht fjalëve të Zwanziger, nga byroja drejtuese e FIFA-s vjen edhe mohimi: “Gjermani ka folur në emër të tij”. Gjithsesi mbeten ende hipotezat për ta spostuar Botërorin e 2022 në dimër, kur temperaturat të jenë të parrezikshme për vizitorët.
Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2