Shqipëria në konferencën e Londrës

 

Nga: Fran Gjoka

Rreth librit të autorit Nuri Dragoj, “Prapaskenat e Konferencës së Londrës 1912-1913”, botuar nga “Iseberg”

Autori na thotë që në rreshtat e parë se ky libër është një kujtesë historike për ngjarjet kryesore në të cilat u përfshi Shqipëria 100 vjet më parë. Në të janë trajtuar disa nga episodet më të rëndësishme të çështjes kombëtare shqiptare, lidhur me zhvillimet në prag dhe pas Konferencës së Londrës. Bëhet fjalë për periudhën nga prag-triumfi i Pavarësisë së Shqipërisë, deri te prapaskenat europiane për shpërbërjen e kombit tonë në pesë shtete. Kjo padrejtësi e madhe historike, që u vulos në Konferencën e Londrës (1912-1913), mban në arkivin e vet edhe autorët e krimit. Ata janë krerët e Fuqive të Mëdha dhe drejtuesit e shteteve fqinje, të cilët e shihnin Shqipërinë si vend armik apo plaçkë tregu, e vlefshme vetëm për të kënaqur orekset e tyre shoviniste.

Në zhvillimet e asaj konference ndërthuren interesa të drejtpërdrejta për rrëmbim të territoreve shqiptare nga fqinjët tanë, serbë, malazezë, grekë etj., të cilët u ndihmuan nga politika tinëzare e shteteve më të fuqishme europiane. Në këtë mënyrë, gjashtë Fuqitë e Mëdha do të nënshkruanin më 29 korrik të vitit 1913, tragjedinë më të kobshme me efekte prapavepruese për kombin shqiptar. Ajo mbledhje e ambasadorëve do të ligjëronte padrejtësisht copëtimin e hartës së Shqipërisë. Gjithsesi u mundësua krijimi i një shteti të pavarur shqiptar.

Patriotët shqiptarë, që u përpoqën t’i dilnin për zot fatit të popullit të vetë, ishin disi të vetmuar. Përgjithësisht atyre u mungonte mbështetja ndërkombëtare. Të rrethuar me armiqësi të shumta, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ata luftuan dhe sakrifikuan gjithçka, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej prej gijotinës europiane. Përkundrazi, fqinjët mundën të kënaqnin oreksin e tyre barbar, sepse kishin pas vetes mbështetës të fuqishëm, si Rusia, Franca apo edhe Anglia.

Kuptohet qartë se çështja shqiptare ka qenë shtruar për zgjidhje shpeshherë në kancelaritë perëndimore, pasi gjithmonë janë bërë plane, janë kurdisur prapaskena dhe janë marrë vendime në dëm të interesave kombëtare të popullit shqiptar. Pikërisht këtij problemi, që mbetet aktual edhe në ditët tona, i kushtohet libri historik i studiuesit tashmë të mirënjohur, Nuri Dragoj, “Prapaskenat e Konferencës së Londrës 1912-1913”. Megjithëse në këtë material serioz dhe të plotë trajtohen çështje të rëndësishme që ngërthejnë një hark kohor prej dy vitesh, autori udhëton edhe në vite të mëparshme. Aty pasqyrohen me realizëm përpjekjet e patriotëve dhe politikanëve tanë të kohës për ta bërë të njohur emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, për ta respektuar atë si shtet të pavarur, si dhe përpjekjet e Fuqive të Mëdha jo vetëm për ta lënë në harresë lavdinë e këtij vendi, por çka është më e keqja, për ta copëtuar atë.

Me shumë të drejtë autori ndalet për të analizuar mbledhjet dhe konferencat që firmosën aktin tragjik të copëtimit të trojeve shqiptare, akte që hodhën “shpatën e rëndë” të Demokleut mbi trojet arbërore duke ndarë kombin shqiptar në pesë pjesë, pa marrë parasysh vullnetin e sovranit të sapodalë nga lufta e egër pesëshekullore.

Në këtë periudhë të vështirë, populli ynë vuante plagët e rënda të luftës. Ai kishte nevojë për ndihmë dhe përkrahje dhe jo për një trajtim mizor, siç po ia bënin Fuqitë e Mëdha kombit më të lashtë në Ballkan. Megjithatë, patriotët tanë të sprovuar në situata të tilla të vështira, ditën t’u dilnin zot fateve të kombit. Është meritë e studiuesit Nuri Dragoj që përmes dokumentesh të pamohueshme analizon dhe vlerëson me kujdes figura të tilla të spikatura si Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Fan Noli etj., por edhe rolin e pazëvendësueshëm të patriotëve të mëdhenj si Sejfulla Vllanasi apo Mehdi Frashëri.

Mjeshtëria e spikatur e studiuesit Nuri Dragoj pasqyrohet në çdo rresht, në çdo faqe, në çdo detaj të librit; ai ka ditur të ndërthurë me kujdes përshkrimin me faktet historike, të kaluarën me të sotmen, si dhe të shprehë qëndrimet dhe ndjesitë personale për këtë çështje kombëtare madhore për kombin tonë. Kështu autori krijon vizione të qarta historike, ku pasqyron ngjarje para dhe pas shpalljes së Pavarësisë së vendit, luftën për të konsoliduar shtetin e ri shqiptar në familjen e madhe europiane.

Lëvizjet janë të shumta, ngjarjet po ashtu, kryengritja e gushtit 1912 që kishte përfshirë gati gjithë Shqipërinë, Memorandumi me 24 kërkesa i kryengritësve, Lufta Ballkanike e 8 tetorit 1912, kur Serbia do të sundonte krahinën e Sanxhakut, etj., por edhe përpjekjet e popullit shqiptar për të shijuar pak ditë liri ishin të mëdha.

Në krye të këtij kombi të varfër ishin vënë patriotë dhe atdhetarët e vërtetë që dinin t’u dilnin zot fateve të Atdheut. Dhe autori ndalet tek figura emblematike e lëvizjeve për pavarësi, Isa Boletini, një nga udhëheqësit e lëvizjeve dhe pjesëmarrjes në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës të Dhjetorit 1912. Ishin pikërisht këta patriotë që u bënë ballë planeve ogurzeza të gjashtë Fuqive të Mëdha, që asokohe thuajse bënin ligjin në Europë. Ishte Londra, Moska, Berlini, Roma, Vjena dhe Parisi që kurdisnin plane dhe lëshonin vija sipas dëshirës mbi hartën e Shqipërisë, pikëpyetje dyshimi mbi Pavarësinë e saj etj., të cilat studiuesi në mënyrën më të saktë dokumentare na e jep përmes bisedës së bërë nga Fairfax Cartwright (1857 –1928) ambasadori britanik në Vjenë dhe ministrit të Jashtëm austriak, Kontit Leopold Berchtold, në mëngjesin e 26 tetorit të vitit 1913. Aty nisin dhe tratativat e famshme të masakrës territoriale të Shqipërisë, kur propozimet për copëtimin e tokave shqiptare, aneksimi i Sanxhakut, Plavës e Gucisë, Kosovës  e deri edhe në portin e Shëngjinit kalonin sa në një kancelari në tjetrën, derisa përfundonin në dosjet famëkeqe të ministrit të Jashtëm të Anglisë, Edward Grey (1862–1933), një nga aktorët më të rëndësishëm të masakrës territoriale shqiptare të viteve 1913.

Studiuesi i njohur Nuri Dragoj, përmes dokumenteve historike përshkruan takimet, bisedat, mbledhjet dhe konferencat ku gatuhej e ardhmja e Shqipërisë dhe bëheshin plane për copëtimin e saj. Më 17 dhjetor 1913 do të hapte punimet Konferenca e Londrës, në të cilën do të merrnin pjesë burrat më të rëndësishëm të kontinentit të vjetër, që do të copëtonin trojet tona dhe do të vendosnin për fatet e këtij kombi të sapodalë nga lufta pesëshekullore. Ishin kasapët e Europës, Edward Grey – ministër i Jashtëm i Anglisë, Raymond Poincare, ministër i Jashtëm i Francës, Leopold Bercitold, ministër i Jashtëm i Austro–Hungarisë, i cili qe ndoshta ndër të vetmit që mbrojti çështjen shqiptare, ndoshta sepse më vonë mendonte të hartonte plane në kurriz të saj; Sergei Sozonov, ministër i Jashtëm i Rusisë, Antonio San Giuliano di Markuis, ministër i Jashtëm i Italisë, Eleftherios Venizelos, kryeministër i Jashtëm i Greqisë, të cilët historia i dënoi dhe vazhdon t’i dënojë për terrorin që u bë para 100 vjetësh në këto troje.

Në ballë të luftës për njohje të qeverisë shqiptare dhe ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit tonë qenë patriotët tanë, bijtë më të mirë të këtij populli, që luftuan dhe sakrifikuan për çështjen kombëtare. I tillë ishte edhe patrioti korçar, Nikolla Naço, i cili sapo dëgjoi se Konferenca e Ambasadorëve të Londrës do të shpallte njohjen e qeverisë shqiptare pati brohoritur: “Rroftë Shqipëria! Plagët e shpirtit tim u shëruan! Tashti le të vdes! Zoti i madh na paska falur një vdekje të ëmbël!”… dhe kishte dhënë shpirt patrioti i madh më 24 prill 1913. Kështu edhe atdhetari i shquar, Dhimitër Zografi, apo delegatët shqiptarë të Konferencës së Londrës që bënë historinë, mbrojtën çështjen tonë kombëtare përballë Fuqive të Mëdha. Ndonëse emrat e tyre rrallë ishin artikuluar në të kaluarën, ata mbetën të pavdekshëm në mbrojtjen kombëtare. Sipas studiuesit Dragoj, në delegacion bënin pjesë Rasih Abedin Dino, Mehmet bej Konica dhe Filip Noga. Faik Konica ishte dërguar nga “Vatra” dhe Fan Noli nga Kisha Ortodokse e Amerikës.

Janë të njohura ngjarjet që rrodhën në vitet e mëvonshme, sepse trojet shqiptare u copëtuan, marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët u acaruan akoma më shumë, madje edhe sot e kësaj dite mbetet në fuqi Ligji i Luftës me Shqipërinë, apo tendencat agresive të fqinjëve. Kujtojmë këtu edhe çështjen e pazgjidhur të Çamërisë, që sot e kësaj dite zvarritet e zvarritet pafund. E të gjitha këto janë pasoja të kësaj Konference, që veprimtarinë dhe vendimet e saj i analizon aq bukur dhe me kujdes i mirënjohuri ynë Nuri Dragoj, i cili ka krijuar tashmë profilin e tij të studiuesit me shumë vepra të këtij lloji.

Në këtë vepër autori ka shënuar arritje të rëndësishme në fushën e studimeve, sepse me faktet e shumta, dokumentet e shfletuara, dëshmitë e analizuara sjell para lexuesit të dhëna të reja historike rreth synimeve të Konferencës së Londrës dhe synimeve për copëtimin e Shqipërisë, por më e keqja është se këto synime dashakeqe janë gjallë edhe sot, prandaj edhe libri i Nuri Dragojt është një apel kundër këtyre synimeve të shteteve europiane.

Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2