Marin Barleti është pa dyshim shkrimtari dhe humanisti më i madh i Mesjetës. Ai lindi rreth vitit 1460 në Shkodër dhe ishte teolog dhe prift katolik dhe historian dhe u bë një ndër më të mëdhenjtë e letërsisë së vjetër shqiptare.
Për jetën e tij dihet në fakt shumë pak. Nga të dhënat që disponojnë enciklopeditë mësohet se në moshë të re në vitin 1478 mori pjesë në rrethimin e parë të Shkodrës, kur ky qytet i bekuar u sulmua për herë të parë nga osmanët.
Aty u njoh nga afër me heroizmin e madh të bashkëqytetarëve të tij dhe u frymëzua më vonë për ta përcjellë atë vite më pas në veprat që botoi. …Nuk mund ta kujtoj atë luftë pa lot në sy…do të shprehej ai në librat e tij.
Rënia e Shkodrës që do të ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut e detyroi Barletin, si shumë shqiptarë të tjerë që ishin elita e kombit shqiptar, të mërgonte në Venedik në vitin 1504. Në atë vend që dallohej si një nga kryeqendrat e mëdha të Mesjetës njohu letërsinë klasike dhe gjuhën latine, me të cilën më pas do të shkruajë veprat e veta.
Në mjedisin e shumë të mërguarve shqiptarë, shumë prej të cilëve kishin qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut, fitoi shumë njohuri për epokën e heroit dhe luftën e madhe të popullit për liri, të cilat i zgjeroi dhe më tej me të dhënat e literaturës .
Vepra e tij kryesore është “Historia e Skënderbeut”. Pavarësisht nga një varg dobësish që janë karakteristike në përgjithësi për historiografinë humaniste, siç është fryma panegjirike, fjalimet ekzaltuese që u vihen në gojë heronjve, imitimi i autorëve klasikë deri në hollësitë, pavarësisht nga pasaktësitë kronologjike dhe mungesa e të dhënave për faza e ngjarje të tëra, veprat e Marin Barletit qëndrojnë si një burim i dorës së parë e të pazëvendësueshmt për historinë e shek.XV të Shqipërisë, si dhe të Evropës Juglindore.
Koncepti i lartë i Marin Barletit për historinë e vërteton atë si një mendimtar të shquar, tek i cili kleriku zhduket prapa humanistit; historia për të ishte fryt i veprimit të njerëzve dhe jo të fuqive hyjnore. Veprën e vet ai e mendonte si një përmendore që ia kushtonte luftës për liri të atdheut dhe popullit të vet; ajo nuk do të kishte një funksion thjesht estetik, por do t’i shërbente së vërtetës, si mësuese e jetës, që do t’i mësonte njerëzit për «të hapur sytë e për të drejtuar si duhet punët e njerëzimit.
«Historia e Skënderbeut» e Barletit u bë burimi më i rëndësishëm, nga ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e luftërave të lavdishme të popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe frymëzoheshin për përpjekjet e tyre për shpëtimin dhe lirinë e Shqipërisë. Me librin e tij Marin Barleti qëndron në fillimet e letërsisë shqiptare, e cila e nis udhën e saj me një vepër të përmasave të mëdha. Kjo vepër është shkruar në latinisht, që asokohe ishte gjuha e kulturës në Evropë, por ajo i përket kulturës shqiptare, jo vetëm se është shkruar nga një shqiptar, por se është bota shqiptare që i ka dhënë jetë këtij argumenti madhështor të kulturës së hershme të këtij populli të lashtë.
Prej Marin Barletit njihen tri vepra ku përveç librit për Skëndërbeun bëri përshtypje dhe “Rrethimi i Shkodrës” që u botua në Venedik në vitin 1504. Ajo paraqet luftën dramatike për jetë a vdekje të banorëve të qytetit, rrethuar për një vit të gjatë nga osmanët nga viti 1478-1479.
I mbështetur në shënimet e kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë, libri jep një tregim të saktë të ngjarjeve politike-ushtarake, por sidomos të aspektit të brendshëm, të vetëdijes së lartë patriotike të banorëve të qytetit. Shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë rreth viteve 1508-10. Kjo vepër në kohën e tij u ribotua latinisht tri herë dhe u përkthye në disa gjuhë evropiane.
Por vepra më e shquar e tij mbetet “Historia e Skëndërbeut”. Asnjë vepër shqiptare nuk është ndërkombëtarizuar si ajo. Në një intervistë me osmanologun e shquar shqiptar, prof. Ferid Duka ai është shprehur se kjo vepër e Marin Barletit pati fatin e një trakti. Ajo u përhap në gjithë botën e qytetëruar dhe u mor si referencë nga shkrimtarët, piktorët, analistët dhe historianët më të mëdhenj botërorë.
Duke folur për qëndresën shqiptare dhe heroin e saj qendror Gjergj Kastriotin. Këtë figurë Barleti e ka vizatuar me dashuri e ngjyra të gjalla; ajo është dhënë me tiparet që ia njeh historia, pra gjithmonë në frymën e humanizmit e të konceptit humanist për njeriun dhe luftëtarin e lirisë.
Barleti e jep Skënderbeun si personifikim të heroit që mishëron forcën e njeriut, aftësinë dhe bukurinë fizike e morale të kësaj krijese të mrekullueshme, sipas botëkuptimit humanist. Figura e tij del madhështore, si një hero legjendar, simbol i çlirimtarit dhe i mbrojtësit të lirisë, prijës i një populli luftëtar e trim , të dashuruar deri në dhembje me trojet e veta dhe me lirinë.
Luftëtar i ashpër dhe prijës me një zemër të madhe njerëzore, madhështor dhe legjendar – e tillë të mbetet në mendje figura e heroit , skalitur si me daltë nga pena e Barletit.
Merita kryesore e Barletit si autor është se ngriti Skënderbeun nga një hero jetësor në një hero letrar. Ai në veprën e tij është shprehur se nuk ka shkruar trillime por është bazuar në tregimet e njerëzve të besuar, që e kanë njohur nga afër historinë e Skënderbeut.