Fjalë të urta të Mençura



  •  Shkolla e krijon përvojën, përvoja shkollën kurrë. Rr. Haradinaj/Prishtinë
  • Dita me diell duket që në mëngjes. MYZEQE
  • Djathin, mirë që e hëngri miu, po shëllirën kush e piu. ELBASAN
  • Duhet ndarë kashta nga kokrrat. VLORË
  • Dy shaka bëjnë një të vërtetë.
  • Foli derës të dëgjojë dritarja. VLORË
  • Foli plakës të dëgjojë nusja. JUG
  • Fshati që duket s’do kallauz. KORÇË
  • Gënjeshtra është një plagë, dhe në u shëroftë të le nishan. JUG
  • Gënjeshtra nuk ka as dorë, as këmbë, as bisht, as rrënjë. BERAT
  • Gjarpëri ecën dhe fshin gjurmët me bisht. KORÇË
  • Gjuha e ka rrënjën në zemër. VERI
  • Po nuk e njohe hidhërimin, nuk do të kuptosh dhe gëzimin. VERI
  • Hileqari nuk të shef në sy, po shef në tokë. DIBËR
  • Ka, që dhe gomarin mashkull e bëjnë me barrë. JUG
  • Kritika është ilaç i hidhur, po ilaç ama. VLORË
  • Kur dhelpra nuk arriti rrushtë, tha se janë të thartë. JUG
  • Kur fjala del nga zemra, godet në zemër. BERAT
  • Malli i prishur nuk shitet pa gënjyer. VLORË
  • Me pasë bishtin ta presin, me mos e pasë ta njesin. SHKODËR
  • Më mirë me të hidhurat më përpara e të ëmbëlat pas. PATOS
  • Mos e ban penin tra. DIBËR
  • Me sa ka peshk pa halë, aq ka dhe të bukur pa fjalë. KRUJË
  • Nuk do as mend as kalem, shif e shkruaj. ELBASAN
  • Nuk i gjenden gjarpërit këmbët. JUG
  • Nuk luan ferra kot. VLORË
  • Nuk mbulohet dielli me shoshë. JUG
  • Nuk qaj se s’dua burrën, po bëj zakone. VLORË
  • Po të lavi, të levi dhe bishtin t’a krevi, hap sytë se të gënjevi. KORÇË
  • Qeni tund bishtin për të mbajtur miqësinë. KORÇË
  • Rena a nana e tana të këqijave. KAVAJË
  • S’dalin dyzet ujqër nga një drizë. JUG
  • S’i bën mjekra priftërinjtë. JUG
  • Siç na dinë, qofshim, siç jemi, mos qofshim. KORÇË
  • S’mbushet thesi me gënjeshtra. GJIROKASTËR
  • Shakaja është gjysma e të vërtetës. JUG
  • Ti kemi sahanët pa kapakë. JUG
  • Ustai, ustanë e njef në zanat. GJIROKASTËR
  • Atij i plasin sytë, e tjetri e pyet për vetullat. SARANDË
  • Barku i gjerë, truri i ngushtë. ELBASAN
  • Budallai shkon tek e ngasin. ELBASAN
  • Burimi i mirë duket në thatësirë. KRUJË
  • Ç’i do qeni brekët. KORÇË
  • Ç’ke moj zemër që rënkon; koka bën, koka pëson. PËRMET
  • Çobani i mirë e njeh bagëtinë me blegërimë. JUG
  • Deshi të vej vetullat, nxorri sytë. JUG
  • Deti ka ujë boll, po me u pi s’pihet. KOSOVË
  • Edhe kau ka gjuhë të mëdha, por nuk flet dot. JUG
  • E mirë edhe fuqia, por ca më mirë urtija. JUG
  • Hesapi nuk bëhet pa hanxhinë. KORÇË
  • Gjej vendin e bëj kuvendin. ELBASAN
  • Gjuha dredhon se mendja e mëson. GJIROKASTËR
  • Hekuri rrihet sa është i nxehtë. BERAT
  • Humbi sëpatën, i rruat bishti. JUG
  • Kali i mirë shton torbën e tij. JUG
  • Kalit të mirë shtoi tagjinë. SHKODËR
  • Koha vjen për atë që di ta presë. VLORË
  • Ku qe, asgjëkundi, çfarë bëre, asgjë. JUG
  • Kur del dielli, të gjithë e dinë nga bie lindja. JUG
  • Kur gabon i mençuri çuditet budallai. MYZEQE
  • Lepuri në mal, kusia në zjarr. JUG
  • Mate punën jo me atë që mbjell, po me atë që korr. GJIROKASTËR
  • Ma mirë të kesh mend se pare. KOSOVË
  • Mendja është në majë të gjuhës. SHKODËR
  • Mendja e lehtë rëndon të zonë. KRUJË
  • Me një gur, ti vrave dy zogj. KUÇ-VLORË
  • Më bli nji kalë e nji shalë o baba, se kam gjet një patkua. TIRANË
  • Mos bëj petulla me ujë. DIBËR
  • Mos e humb si Xhaferri simiten. ELBASAN
  • Mos fol si e ëma e zeqos në majë të thanës. KORÇË
  • Mos hidh të thatën mbi të njomë. VLORË
  • Mos prish sixhaden të arnosh xhyben. LUNXHËRI
  • Mos shit qen të blesh këlyshë. KORÇË
  • Mos kërko gjilpërën në kasollen e kashtës. POGRADEC
  • Mos u mbyt me një pikë ujë. PËRMET
  • Ndoqe fillin gjete lëmshin. JUG
  • Në luftë duhen shtatë hile një trimëri. SKRAPAR
  • Nga dy të vështira, më e lehta, më e mira. JUG
  • Nuk sheh syri po sheh mendja. JUG
  • Nuk të ngroh zjarri i kashtës. SKRAPAR
  • Nuk të thonë: “Qysh ke qenë, po qysh je”. VLORË
  • O djalë në vend të huaj, si të bjerë daullja luaj. KURVELESH
  • Oxhaku le të jetë i shtrembër, tymi të shkojë përpjetë. JUG
  • Peshku në det, kusija në zjarr. JUG
  • Për gjithë vend ka pleq me mend. VLORË
  • Po të mos kishte budallenj, me kë do qeshnim. DARDHË
  • Po pate dhen gjen edhe bari. LIBRAZHD
  • Prishja e shtëpisë vjen nga mend. ELBASAN
  • Kam inat po nuk kam takat. BERAT
  • Sa të mbledhësh ti rrusht, tjetri ka ngrënë një kosh. KORÇË
  • S’mbartet ujë me shportë. SHKODËR
  • Si është vendi bëhet kuvendi. VERI
  • S’jepet një pelë për një thelë. JUG
  • S’ka varfëri i mençuri. JUG
  • Shtatin pyll e mendjen fyll. SHIJAK
  • Shumë lule dalin në prill, por pakë rrojnë. JUG
  • Të bënin mizat mjaltë, do t’i kishim qypat plot. KORÇË
  • Thesi i zbrazët s’qëndron në këmbë. KRUJË
  • U habit pas lëngut, harroi thelat. JUG
  • Vajtëm për lesh e dualëm të qethur. KORÇË
  • Vetëm budallai është i kënaqur gjithmonë nga vetja. JUG
  • Vëthët i nxorra po vërët i kam. JUG
  • Ai që lakmon më shumë, është gjithmonë i varfër. JUG
  • Ç’bëhet rrallë, bëhet për mall. JUG
  • Më mirë një bole sot se dy bole nesër. KAVAJË

Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2