Mitet e historiografisë greke
Nga Arben Llalla
Në fillim të vitit 1993, gjatë qëndrimit tim në Greqi, pata mundësipër t’u marrë me studimin e historisë së arvanitasve. Në të vërtetë, udhëtimin e parë e bëra në mars të vitit 1991, kur gjatë rrugës për në Gumenicë, rastësisht i takova disa “grekë” që e flisnin shumë mirë gjuhën shqipe, por prania ime aty zgjati vetëm një javë. Pashkët e vitit 1993 i kalova në Konicë ku qëndrova rreth një muaj. Dhe aty takova shumë grekë, të cilët kishin prejardhje shqiptare, madje disa prej tyre i përkisnin besimit islam. Në këtë rast, u njoha edhe me trashëgimtarët e familjes së njohur gjirokastrite të Çerçiz Topullit. Kjo familje shqiptare e besimit islam kishte një kafene në qendër të Konicës. Pas kësaj, në maj të po atij viti, fati më hodhi edhe në Selanik, ku i kalova disa vite të jetës sime, përkatësisht deri më 2004. Por, gjithnjë kam lëvizur duke i kërkuar shqiptarët e Greqisë, nga Tiqeroja në kufi me Turqinë, Athinë, Halkidhë, Kostur, Follorinë e kështu me radhë.
Në verë të vitit 1997 u riktheva në Epir, në qytetin e Janinës, Konicës, Meçovës dhe në fshatrat e Sulit, Papingo, Zagorisë etj. Gjatë kësaj kohe bisedova me shumë njerëz të moshuar që e flisnin gjuhën shqipe. Gjithashtu, vlen të theksoj se te këta njerëz vërejta tiparet, gjuhën, zakonet e ngjashme me shqiptarët. Gjatë bisedave me ta arrita të mësoj se shumë prej fshatrave në Epir dhe në Çamëri ua kanë ndërruar emrat e tyre të vjetër me kuptim në gjuhën shqipe, duke ua zëvendësuar me emra fetarë ortodoksë dhe të gjuhës greke. Njëherazi mësova edhe faktin se, për arsye ekonomike, shumë familje që flisnin në vatër gjuhën shqipe, kishin mërguar jashtë, si dhe në qytetet e mëdha të Greqisë, duke mos u kthyer më kurrë në vendlindjet e tyre.
Gjatë qëndrimit tim dy mujor në Epir shkova edhe te motel-restoranti i dëgjuar “Burrazani”, i cili gjendet afër kufirit greko-shqiptar, në zonën e Konicës me Leskovikun. Këtë motel-restorant e kishte një familje me origjinë shqiptare.
Mbas studimeve që bëra në Epir, vajta në zonat më të populluara me arvanitas si në Thivë, Kalkidhë dhe Athinë. U njoha nga afër me anëtarët e kryesisë së Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë si me studiuesin Aristidh Kola, pedagogun Jorgo Miha, avokatin Jorgo Korizisi, Jorgo Gjeru, këngëtarin Thanasis Moraitin, aktoren Keti Papanika, Tasos Karandin, arqipeshkvin Joani Pavlos Apostolopulos, si dhe shumë arvanitas të tjerë.
Këta njerëz më ndihmuan shumë për studimet e mia, pra duke më krijuar mundësinë për të mbledhur shumë materiale historike, gjuhësore dhe kulturore për shqiptarët e Greqisë. Kjo ishte një shtysë e mëtejme që unë ta vazhdoja rrugën e kërkimeve që kisha filluar, të cilat i konsideroja si shumë të rëndësishme për kombin shqiptar.
Gjatë vizitës në Muzeun e Kryengritjes Greke të vitit 1821, në godinën e vjetër të Kuvendit të Greqisë, më habiti pamja e brendshme e këtij muzeu dhe pikturat e heronjve të vitit 1821, të cilat ruheshin me aq përkushtim.
Në ndërtesën e Kuvendit të vjetër të Greqisë, e cila është kthyer në muze, midis portreteve në pikturë të heronjve arvanitas të Kryengritjes Greke të vitit 1821, gjendej edhe portreti i heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në këtë rast ia bëra pyetjen vetes: Ku i kanë grekët heronjtë e tyre?! Kjo, për shkak se të gjitha ato piktura paraqisnin vetëm figurat e heronjve arvanitas, të cilët njihen edhe sot e kësaj dite si për nga mbiemrat e tyre, nga origjina e familjeve nga vinin, ashtu edhe nga veshjet shqiptare.
Një pasion i veçantë, si dhe zbulimi i gjërave të rralla historike për popullin shqiptar, më shtyu të udhëtoja drejt kufirit greko-turk, ku gjenden disa fshatra të banuara me popullsi arvanitase. Në fshatin Tiqero të qytetit të Aleksandrisë, u ndesha me disa bashkëfshatarë të Fan Stilian Nolit, të cilët, me një dashuri të madhe, filluan të më tregonin për prejardhjen e tyre shqiptare, duke dëshmuar e duke folur me një admirim të veçantë për familjen e Fan S. Nolit. Gjatë bisedës që bëra me pleqtë më të moshuar të fshatit, me të cilët kuptoheshim fare mirë në të njëjtën gjuhë, ata vazhdonin të thoshin me ngulmim se të jesh nga fshati i Fan Nolit, patjetër duhet të jesh edhe shqiptar. “Dhe për sa i përket kësaj, nuk ka asnjë dyshim!”-, pohonin ata. Pasi kuptuan se unë po merresha me studimin e arvanitasve të Greqisë, m’u lutën që të shkruaja një libër të veçantë për ta. Në këtë mënyrë, ata më dhanë edhe dokumente historike për familjen e Nolit, për fshatrat arvanitase që shtriheshin përreth fshatit të tyre Tiqero, të cilët nga shteti grek ishin të pranuar si pakicë shqiptare në Greqi me të drejta të mësimit të gjuhës shqipe në shkolla. Mirëpo, këto të drejta mbeten të njohura vetëm në letër në Marrëveshjen e Lozanës.
Duke e njohur mirë politikën greke, nuk pres ndonjë përçapje për realizim e kësaj marrëveshjeje. Mirëpo, ne megjithatë shpresojmë që marrëveshja në fjalë do të bjerë në vesh të qeverisë së shtetit shqiptar për të ndërmarrë ndonjë masë për zbatimin e saj.
Pas të gjitha atyre kërkimeve filloi të më tërhiqte një ndjenjë e brendshme, e cila më çonte drejt atyre vendeve, ku gjendeshin arvanitasit. Dhe vendosja ime përfundimtare në Greqi u bë në Selanik, ku në mënyrë intensive iu përvesha punës, sidomos duke kërkuar nëpër arkiva për të zbuluar dokumente që lidheshin me historinë e veprimtarisë të atdhetarëve të shquar shqiptarë.
Kështu, në njërën nga bibliotekat e studimeve historike në Selanik, e gjeta gazetën “Maqedonia e Re” të 14 gushtit 1933, e cila përshkruante me hollësi vrasjen e ish-kryeministrit shqiptar Hasan Prishtina. Në artikullin e gazetës thuhej se Hasan Prishtina ishte pronar i një pasurie të madhe në Selanik, siç ishte ndërtesa e madhe tre katëshe që sot përdoret si shkollë e të verbëve dhe shurdhmemecëve. Pikërisht, ky objekt dikur i takonte familjes së tij.
Në Institutin e Studimeve Ballkanike IMXA në Selanik gjeta një komplet albumi me fotografi të çetave shqiptare me kapedanët e tyre të Kryengritjes së Turqve të Rinj (Xhonturqve) të vitit 1908. Në mesin e tyre dallova fotografitë e mëdha të kapedanëve shqiptarë si: Çerçiz Topulli, Adem Emini, Njazi Beu, Enver Beu dhe të ushtarëve të tyre që morën pjesë në këtë kryengritje. Aty gjeta edhe një fotografi të Ismail Qemal Vlonës, kur ai ishte diku rreth moshës dyzetvjeçare.
Për të hyrë nëpër këto biblioteka apo arkiva të instituteve të tyre është shumë vështirë për joshtetasit grekë, pa patur një autorizim nga autoritetet, dhe kjo më bëri të ndodhem përpara një dileme të madhe. Këto dokumente historike me vlera kaq të mëdha të një populli jogrek, ruhen për t’i mbuluar përgjithmonë pluhuri i harresës?!
Si përfundim, nga të gjitha ato gjëra të zbuluara që i përmendëm më lart, përforcova mendimin se në shtetin grek gjenden dhe ruhen me sekretin më të madh dokumente të vlerave të larta që kanë të bëjnë me historinë e ndritshme të shqiptarëve dhe Shqipërisë nëpër shekuj.
Lexuesi në këtë libër do të mësojë për kryeministrat e Greqisë që ishin arvanitas, për ndërtuesin e akademisë së Athinës që ishte arvanitas nga Voskopoja, Simon Sina, për akademikët e tjerë, për piktorët e mëdhenj të Greqisë që vinin nga familjet arvanitase.
Po ashtu, ai do të lexojë dokumente të rralla historike që tregojnë lidhjet e drejtëpërdrejta vëllazërore të arvanitasve me shqiptarët dhe Shqipërinë e sotme.
Duhet thënë se në këtë libër nuk përfshihen të gjitha trevat e Greqisë së sotme që banohen me arvanitas apo grekë me rrënjë shqiptare. Nuk e kemi përfshirë as pakicën shqiptare në Epir-Çamëri, Follorinë, Kostur, të Greqisë së Veriut, të cilët njiheshin zyrtarisht si pakicë shqiptare. Pra, është një libër që kryesisht sjell të dhëna për një pjesë të grekëve me origjinë shqiptare, të cilët e quajnë veten zotër të Greqisë, e që i përkasin besimit ortodoks dhe që sot me fanatizëm e ruajnë ndërgjegjen greke. Kjo ndodh për shumë arsye, siç është racizmi shtetëror, dhuna psikike, vrasjet, burgosjet e të tjerë.
Shkaktar që unë fillova të merrem me historinë e shqiptarëve të Greqisë, është miku im i paharruar, Aristidh Kola, i cili më dhuroi një pjesë të arkivit të tij pak kohë para se të vdiste. Ai nuk ngurronte asnjëherë të më dëgjonte sa herë që e merrja në telefon duke më këshilluar për shumë gjëra. Ai kishte një arkiv me libra, revista, broshura që flisnin për historinë e shqiptarëve të Greqisë. Sikur të jetonte edhe disa vite i madhi Aristidh Kola, do të kishim bërë shumë punë të mira për të dalë në pah e vërteta e shqiptarëve të Greqisë, por edhe miti i Kryengritjes të vitit 1821.
Pasi më ra në dorëky arkiv, këshillën e vyer ma dha historiani nga Çamëria, Ibrahim Daut Bejdeshati-Hoxha, i cili më tha: “Djalosh, ke dy rrugë; e para çoje në ambasadën greke, e ata do të shpërblejnë mirë me miliona dhrahmi, por më tej këtë arkiv do ta groposin shtatë pashë nën dhe, ose mund t’i përkthesh e t’i botosh në shtypin shqiptar”. Unë zgjodha rrugën e rrezikshme që të vazhdoja për të dalë në dritë historia e vërtetë e shqiptarëve të Greqisë, por që realisht jam duke e paguar shtrenjtë.
Një mirënjohje e falënderim të veçantë e kam për profesorin e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare, poetin, shkrimtarin e njohur Foto Malo, i cili më ka ndihmuar me përkthimet në fillimin e botimeve të këtyre materialeve. Foto Malo i përket pakicës greke që jeton në Shqipëri, por që është një luftëtar e mbrojtës i paqes dhe i miqësisë së sinqertë greko-shqiptare.
Dua të falënderoj edhe publicistin e njohur nga Kosova, Skënder Blakaj, i cili më la tërë hapësirën që këto shkrime t’i botoja gjatë viteve 2000-2010, në revistën “Ekskluzive” dhe më vonë “Albanica”, të cilën e drejtonte ai.
Pjesa më e madhe e këtij libri, që nga viti 2004 ka qëndruar e arkivuar si pasojë e pamundësisë për t’u botuar, por, siç thotë një fjalë e urtë “Më mirë vonë se kurrë!”, sepse ndërkohë e pasurova edhe më tej me të dhëna të rëndësishme lidhur me kontributin e arvanitasve në themelimin e Greqisë së Re.