"Ata që mendojnë ende për Shqipërinë e Madhe jetojnë në një tjetër botë". Kështu është shprehur ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një intervistë për "Research on South East Europe" (Kërkime në Europën Juglindore). Ministri i Jashtëm ka folur për një numër çështjesh, me të cilat duhet të përballet një vend aspirant për në Bashkimin Europian.
I pyetur për ngjarjet që ndodhën në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, ministri vlerësoi se të dyja palët duhet ta përdorim procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, si një emërues të përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull.
"Sigurisht që ekzistojnë disa ndryshime: Ne jemi vend anëtar i NATO-s, ndërsa Serbia mohon çdo lloj lidhjeje formale me të; ne jemi pjesë e projektit TAP, ndërsa Serbia jo; ne jemi anëtarë të nismave mesdhetare, ndërsa Serbia nuk është. Por, nga ana tjetër vendet tona kanë shumë ngjashmëri: Serbia dhe Shqipëria janë që të dyja vende kandidate për në BE e për këtë arsye ne e shohim normalizimin e marrëdhënieve si element kyç për konsolidimin e stabilitetit demokratik në rajon dhe për avancimin e përbashkët në proceset integruese," shprehet Bushati.
I pyetur se cila do ishte masa më e rëndësishme për t’u ndërmarrë nga qeveria Vuçiç, që do të ndihmonte në normalizimin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, ministri i jashtëm përgjigjet duke iu referar vizitës së pritshme të kryeministrit Rama më 10 nëntor në Beograd.
“Pres që vizita e së hënës e Kryeministrit Rama të jetë një vizitë normale. Kjo do të jetë hera e parë në histori që kryeministrat e dy vendeve tona takohen, për këtë arsye ne e mirëpresim një zhvillim të tillë. Në rajonin tonë ka një kontekst të ri gjeopolitik: ne jemi të vendosur të hapim një kapitull të ri marrëdhëniesh me Serbinë dhe të punojmë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të lëna pezull. Ndaj unë pres një vizitë normale, të shoqëruar nga i njëjti sens realizmi nga ana e Serbisë. Unë e ndoqa fjalën e zotit Vuçiç këtu në LSE dhe shpresoj që ai të jetë aq modest sa ç’u duk këtu”, shprehet ministri i Jashtëm.
Lidhur me marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, Bushati tha se statistikat dëshmojnë se ekzistojnë më shumë marrëdhënie tregtare mes Serbisë dhe Kosovës se sa mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Ata që ende mendojnë për Shqipërinë e madhe jetojnë në një tjetër botë nga realiteti i sotshëm. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik me Kosovën këtë vit, në të cilën ekzistojnë dispozita të qarta sa i përket kufijve të të dy vendeve. Projekti ynë madhor është anëtarësimi në BE. E njëjta gjë vlen dhe për Kosovën”, tha shefi i diplomacisë shqiptare.
Duke u ndalur tek lufta kundër korrupsionit në Shqipëri, ai gjykon se ky problem është ende i pranishëm, por është gjithashtu e vërtetë se progres raporti i KE-së ka njohur vendosmërinë politike të qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Ndërsa lidhur me skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, ministri Bushati tha se është jetike që të punohet në tri fronte: së pari, duhet siguruar një historik i shëndoshë dënimesh për korrupsionin; së dyti, duhet punuar për të siguruar masa dhe mekanizma parandalues; së treti, nevojitet një ndarje e qartë mes pushteteve ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore.
“Njerëzit janë të velur nga korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit dhe duan të shohin që fajtorët përfundojnë pas hekurave, por në të njëjtën kohë ne duhet t’iu sigurojmë këtyre të fundit një proces të drejtë ligjor”, tha Bushati.