Gjiganti bavarez BMW ka zbuluar fotografitë dhe detajet e para teknike të gjeneratës së re të versioneve M nga modelet X5 dhe X6. Që të dy këto vetura janë të pajisura me motor të forcuar V8, që i bën të jenë veturat më të fuqishme serike të BMW që bëjnë tërheqjen e veturës më të katër rrotat.
Edhe pse janë prezantuar me një vit diferencë, derisa X5 i ri u prezantua në gjysmën e parë të vitit të kaluar kurse X6 në korrik të këtij viti, variantet e tyre M do të kenë premierën e përbashkët në Los Angeles. Vizualisht X5 dhe X6 e rinj dallojnë nga versionet standarde të krosoverëve të BMW, para se gjithash nga hapësirat për ventilim të cilët marrin gjithë pjesën e mbrojtësit të përparmë.
Që të dyja janë të ristilizuara si në mbrojtës ashtu dhe në gypat e fryrë. Por që të përshtateshin sa më mirë në mbajtës fellnet 20 inç me rrota të profilit të ultë, Pirelli P Zero (285/40 para dhe 325/35 pas), BMW është dashur të rris hapësirën në mes boshteve. Por si opsion janë edhe rrotat Michelin Pilot Super Sport UHP (285/35 para dhe 325/30 pas), si dhe fellnet 21 inç.
Ndërkaq shoferi dhe pasagjerët e tjerë në kabinë e cila është e orientuar kah stili sportiv sipas logos “M”, do të ndjejnë luksin në karriget e lëkurës. Por të gjitha këto ndryshime kozmetike nuk do të ishin të rëndësishme, nëse BMW nuk do ti kishte pajisur këto vetura me motorin me 4.4 litra twin-turbo V8. Për dallim nga gjenerata e kaluar, fuqia motorike është rritur për 20 kuaj fuqi, kështu që ai tani prodhon 575 kuaj fuqi.
Fuqia motorike bartet në të katër rrotat falë transmisionit të ri automatik M Steptronik me tetë shpejtësi. BMW X5 dhe X6 M u duhen vetëm 4.2 sekonda që të kapin shpejtësinë nga 0-100 km/h, derisa shpejtësia maksimale shënon 250 km/h.
Prodhuesi gjerman ka bërë të ditur se këto dy “bukuroshe” pritet të jenë të disponueshme nëpër auto-sallone në Evropë nga shkurti i vitit të ardhshëm, kurse çmimi fillestar në Gjermani do të sillet nga 114.300 euro për X5M dhe 117.700 për X6M.