Në një shkrim të publikuar sot në faqen online të gazetës "SOT" është ndalur tek një çështje sensitive, e ku në thelb janë çështjet raciste. Nuk bëhet fjalë për një artikull ku shqiptarët quhen injorantë, ekstremistë, njerëz të egër apo edhe me të tjera epitete raciste, por që analizon zhvillimet e ditëve të fundit pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Në shkrimin në fjalë i mëshohet fakti se është hedhur dritë e grupit të priftërinjve në Korçë që fyejnë dhe lëshojnë thirrje raciste kundër shqiptarëve, e ku në lojë janë interesat e Athinës. Në këtë shkrim mjaft të goditur theksohet se janë zbuluar detaje tronditëse si është marrë në kontroll pa dijeninë e fort të respektuarit At Johanit, një pjesë e kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Korçë, nga njerëz mendjeshkurtër që në vend t’i bashkojnë njerëzit nëpërmjet këtij instrumenti bashkimi, përpiqen t’i ndajnë. Gjithçka ka marrë udhë nga kërkimet që janë bërë në rrjetin social Facebook. Titulli dukej të ishte abuziv pasi në gjuhën greke kjo faqe quhet "Pelasgos Koritsas", ose më ndryshe "Pellazgët e Korçës". Titulli i faqes përfaqësonte rigjallërimin e një gazete Vorio-Epirote të botuar në Athinë në vitin 1936 nga Konstantions Skënderis. Artikulli në fjalë përmban ofendime ndaj kombësisë shqiptare dhe ndaj shqiptarëve me fe islame. Së pari autori tenton t'i japë përgjegjësinë e shkruesit të kësaj parulle banale në mur, pa asnjë fakt, atyre banorëve të këtij komuniteti të cilët i përkasin besimit islam. Madje prezenca e një simboli të Partisë Demokratike e lidh atë fasadë të shëmtuar vit pas viti me këtë subjekt politik. Për ta përforcuar këtë fakt, autori e vë theksin edhe tek përkatësia politike e kësaj lagjeje (këtu gënjen), se kjo lagje është bastioni i Partisë Demokratike. Trajtimi në aspektin politik bëhet jo pa qëllim, e qëllimet do të dalin më tej. Autori e konsideron të gjithë kombësinë shqiptare si turq shqip-folës apo shqiptarë të turqizuar. Vazhdon duke sulmuar mediat shqiptare me argumentin se mbjellin nacionalizëm dhe ekstremizëm dhe e përmbyllur këtë paragraf duke i përkufizuar shqiptarët si njerëz me nivel: Kulturor shtazor. Në një tjetër paragraf na quan njerëz të egër apo edhe shoqëri individualiste me tendenca dhe elementë ekstremistë. Më pas edhe dy herë të tjera, si injorantë dhe injorantë totale. Autori i këtij shkrimi thekson se "Që në artikullin e parë e kuptova se personi nuk ishte ndonjë mendjelehtë çfarëdo që të shajë e ofendojë shqiptarët në atë lloj forme si ai artikull, por përkundrazi, bëhej fjalë për një klerik ortodoks të mirëarsimuar të Mitropolitit të Korçës". Ai shton se është shtangur kur një prej linkeve të çonte tek portali rus: pravoslavie.ru. Aty ishte postuar një artikull në gjuhën angleze ku krahas emrit të autorit Themistokli Bambulla ishte renditur edhe përgatitja e tij intelektuale: MSC Psikopedagogji. Nuk mund ta kisha menduar kurrë se e gjitha kjo mund të ishte vepër e një kleriku, madje jo thjesht një klerik i zakonshëm, por një teolog e mësues i fesë ortodokse që për më tepër i përket Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare dhe jo ndonjë segmenti politik dhe as ndonjë kishe të vendeve fqinje. Ndërkaq, në faqen www.pelasgoskoritsas.com por edhe në faqen e moderuar www.korestos-hristianikimartyria.com shfaqet i njëjti artikull i ngarkuar në të njëjtën datë dhe në një hark kohor prej disa minutash. Bëhet fjalë për një artikull të shkruar nga z.Ilir Paço (spiker në kanalin televiziv Top Channel) i titulluar "Baruti i fshehur i fuçisë ballkanike" që analizon zhvillimet e ditëve të fundit pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen Serbi-Shqipëri. z.Themistokli Bambulli na qenkërka “de jure”, një njohës i mirë i fesë ortodokse dhe një klerik i mirë dhe i vlerësuar nga kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Jo vetëm kaq, por artikujt e tij mbi Shenjtërinë e tij Kryepeshkopin Anastas janë me qindra në faqen zyrtare në internet të "Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë". Mbi të gjitha, zotëria administron edhe faqen zyrtare në internet të Mitropolitit të nderuar të Korçës, at Johanit dhe janë me dhjetëra artikujt e tij jo vetëm në këtë faqe, por edhe në faqe të tjera. Youtube.com përmban dhjetëra video të postuara nga përdoruesi Themistokli B. Kryesisht predikime të ndryshme të z.Thanas Bambulla dhe artikuj të ndryshëm në lidhje me aktivitetet e kishës në Korçë, dokumentarë mbi shkollën greke, apo edhe një video të një takimi midis Z.Sotiraq Filo, kryetar i Bashkisë së Korçës dhe homologut të tij, kryetarit të Bashkisë së Selanikut, ku spikat se në të gjithë videon shfaqet adresa www.pelasgoskoritsas.com