Ajo është këmbëngulëse në atë që do, për të çuar deri në fund, deri aty ku do të ketë mundësinë pasionin dhe mundësitë e saj në modeling, duke absorbuar edhe një mentalitet ndryshe që rëndom qarkullonte në Shqipëri, për këtë fushë. Me një përvojë të ndjeshme në Kinë, prej shtatë muajsh larg shtëpisë, por afër kontaktit me evoluimin e karrierës së saj, Dania Bazaiti së shpejti pritet të kalojë në një tjetër vitrinë botërore të modelingut viziv. Kontakti me modelingun, rritja profesionale, përballja me kulturat e ndryshme të botës në këtë fushë, por mbi të gjitha edhe ambicia gjithmonë “kokëforte” për të avancuar më shumë, kanë bërë që vajza kinge e Fakultetit të Sociologjisë në kryeqytet së shpejti të tentojë në ato “bulevarde” mode ku është më shumë se sa e vështirë që të sigurosh një hapësirë sfilimi. Sipas saj, pasarelat e Milanos, Parisit dhe Londrës janë pikësynimi i çdo modeleje për në Europë, pasi aty janë emrat më të rëndësishëm të industrisë së modës. Sipas saj, konkurrenca është e madhe, pasi përzgjedhja bëhet ndër modelet që vijnë nga e gjithë bota. “Por, asgjë nuk është e pamundur. Ka jo pak konkurrencë, ka jo pak vështirësi, por asgjë nuk mund të etiketohet e pamundur”,- thekson Dania, modelja shtatlartë me një shikim shumë domethënës, dhe që përkthehet ndryshe si një këmbëngulje për të ecur shumë në këtë fushë. “Udhëtimi i Pekinit, dy vite më parë më ka afruar më shumë me të njohurin e praktikës në këtë fushë ku unë jam. Puna me fotot në katalogë të ndryshëm dhe sfilatat kanë përfshirë startin e punës sime”, thotë ajo. Kur e pyesim se çfarë do të thotë për një femër shqiptare të vihet në funksion të një profesioni të tillë, ajo nis të rrëfejë vështirësitë që ka gjetur gjatë modelimit jashtë Shqipërisë. “Nuk është edhe aq e thjeshtë në Shqipëri, sidomos për një vajzë 16-vjeçare, moshë dhe kur e kam nisur vetë. “Lufta” me mentalitetin pason gjithmonë te përpjekja e vajzave për ta ushtruar modelingun. Është e vështirë të ndërtosh këtë profesion në një fushë të pashkelur më parë, ose shumë pak. Kur del jashtë dhe përballesh me modelingun atje, me format dhe përvojat që thashë më lart, atëherë e kupton se sa shumë punë të duhet që të fitosh dhe të mbijetosh në këtë fushë”, vazhdon të shpjegojë për “Shekullin” modelja shqiptare, e cila pret në çdo moment një tjetër përvojë të huaj, me destinacion Milanon apo edhe Tokion. Ajo vetë, por edhe pak kolege apo kolegë që kanë vendosur të bëjnë këtë punë, e kuptojnë fare mirë jashtë se çfarë benefiti merr një angazhim i tillë. Në Shqipëri ende nuk perceptohet mirë, por modeling ndërkombëtar me hapat galopantë që hedh çdo ditë ka afruar me qindra mijëra bukuroshe nga të gjithë cepat e globit. Dhe natyrisht nuk mungon këtu as Shqipëria, sepse një rast është edhe vetë modelja simpatike, Dania. Është etalon i sakrificës për të “prishur” gjithçka që ofron dhe planifikon dita e saj, vetëm e thjesht që të kryejë një impenjim që ia kërkon ky profesion. Nuk e eskludon kurrsesi edhe televizionin si një sfidë të radhës, por ndoshta si një projekt për më vonë. Ka pasion filmin dhe në filmat me metrazh të shkurtër ka marrë pjesë jo pak herë. Po, deri ku mund të shkojë ambicia e saj? “Javët e modes në fashion tv, aty ku marrin pjesë stilistët më të rëndësishëm nga Giorgio- Armani, D&G, Viviane Westëood, Chanel, Juan, Paul Goultier, etj, këto janë synimi im. Çdo modele ka synim të jetë pjesë e këtyre sfilatave, jo vetëm nga ana monetare, por edhe nga emri që kanë këto sfilata.