Udhëtim & Argëtim – Që nga Bangkoku në Londër, Berlin dhe së fundmi Ibiza, jeta e natës mund të jetë tepër e çmendur mes muzikës, njerëzve, bareve të sofistikuara dhe pijeve freskuese. Zbuloni destinacionet e preferuara dhe nxitoni të udhëtoni nëpër botë në kërkim të jetës së natës. Kultura shkëmbehet edhe nëpërmjet pijeve në bare, atje ku njerëzit janë të relaksuar dhe të sinqertë. Jeni një turist dhe po kërkoni të kaloni një kohë të bukur në jetën e natës? Duke u nisur nga orët e fillimit të jetës së natës dhe shpeshtësia e realizimit të tyre përgjatë javës; në bazë të njerëzve që e përbëjnë argëtimin; të muzikës që ofrohet dhe së fundmi përvojës, ja cilat janë qytetet më të mira për t’u argëtuar në botë.10. Bangkoku Bangkoku ka zhvilluar një stil jetese të hatashëm dhe klasik në një pjesë të qytetit që është bërë shumë kozmopolitane. Baret e hoteleve në majë të ndërtesave, klubet e kërcimit dhe pubet moderne në Thlonglor dhe Ekamai, e bëjnë atë të renditet në vendin e dhjetë të klasifikimit në listën tonë. 9. Buenos Airesi I njohur si Parisi i Jugut, Buenos Aires është një vend i mrekullueshëm për të ngrënë darkë në mesnatë dhe për të tretur ushqimin me kërcime të ndryshme dhe ritmike. Mbrëmjet zbardhin mes melodisë së muzikës derisa lind dielli dhe ditët e javës nuk kanë rëndësi për sa i përket festës. Vendasit janë gjithnjë të gatshëm të festojnë dhe të argëtohen, për më tepër u pëlqen muzika rock. Ka 29 pikë. 8. Las Vegasi Asnjë vend nuk mund të konkurrojë me jetën e natës së Las Vegasit, vendi i madh i kazinove që i bëjnë turistët të ngatërrojnë ditën me natën, teksa qëndrojnë të ngulur përpara makinave të fatit. Për këtë arsye, vlerësohet me 31 pikë. Vendi më i mirë për të festuar është XS në Encore. Radhët e gjata duhet t’ju bëjnë të mbërrini më shpejt për të mos pritur gjatë. 7. Montreali, Kanada Renditet në vend të shtatë me 32 pikë, si një vend i mrekullueshëm dhe i pazbuluar festash në Amerikën Veriore. Njerëz miqësorë, klube kërcimi që rrinë hapur deri në mëngjes dhe një varietet i gjerë muzikor, i bën njerëzit të ndihen të pandalshëm në festën e tyre në Montreal. Për më tepër, festivalet verore janë një tjetër ngjarje që tërheq turistët. Por është një vend shumë i ftohtë në dimër. 6. Barcelona Edhe për Barcelonën, 32 pikë. Rregulli i parë për këtë qytet është që nuk duhet të rrini në Las Ramblas. Rregulli i dytë është gjithashtu paralajmërimi që të mos rrini në Las Ramblas. Vizitorët janë të shumtë në numër dhe argëtimi nuk ka fund. Guidat i shtyjnë njerëzit të shkojnë në Las Ramblas, për këtë arsye nëse e shmangni do të kaloni një natë edhe më interesante. Klubet fillojnë të gjallërohen në orën 1:00 çdo ditë të javës. Baret më të bukura janë në pjesën veriore të qytetit. 5. Londra Dhjetë pikë për muzikën në këtë qytet dhe 32 pikë në total. Është epiqendra botërore e pub-eve në periferi, që nga ato më modestet, deri te klubet ku bëhet jeta e natës më argëtuese në botë. 4. Sao Paulo, Brazil Një sugjerim i mrekullueshëm për të kaluar kohë fantastike mes muzikës së mirë, shoqërisë së njerëzve, lokaleve luksoze dhe orëve të vona, Sao Paulo është një nga mundësitë më të mira të kësaj liste. Vajza të bukura dhe djem tërheqës popullojnë baret dhe ju bëjnë të mendoheni disa herë përpara se të dilni nga lokali. Lavdia e këtij qyteti i shton bukurinë qejfit që ofrohet nga të gjitha anët. 3. Nju Jorku 34 pikë për qytetin e Nju Jorkut, që njihet ndryshe si qyteti që nuk fle kurrë. Ai ka kaq shumë pikë, sepse ofron diçka për këdo në çdo natë të javës. Festat në Bruklin, baret, hotelet, shfaqjet e rock-ut, muzika hip-hop dhe xhaz, një ndërthurje ku çdokush e gjen veten dhe argëtohet sipas mënyrës së tij. 2. Berlini Nëse shëndeti mendor i një qyteti do të përcaktohej nga orët e javës ku klubet nuk janë aktive, Berlini do të ishte një çmenduri. 35 pikë për kryeqendrën gjermane, ku jeta e natës zgjat deri në orët e vona të mëngjesit dhe ku gjumi është një regjim i rrallë mes të rinjve. Shkoni në Berghaim, ose në Watergate për më tepër qejf. 1. Ibiza, Spanjë Gjithçka është thuajse ideale për kryeqendrën botërore të argëtimit, çmendurisë, alkoolit dhe muzikës. Nëse dëshironi të kaloni një përvojë të paharrueshme në jetën tuaj, Ibiza është drejtimi që duhet të ndërmerrni teksa gjendeni në aeroport. Festat verore të plazhit, baret e hoteleve, DJ më të mirë në botë dhe mbrëmjet e paharrueshme, duket se e bëjnë Ibizën një vend ku gjumi është i ndaluar.