Kur flitet për flokët, çdo femër dëshiron që t’i ketë të gjatë dhe të fortë. Por si mund t’i rrisni më shpejt? Më poshtë janë pesë mënyra për të stimuluar rritjen e flokëve tuaj, që nga ushqyerja deri tek “ilaçet” natyrale.
1. Ushqyerja
Për të pasur flokë të shëndetshëm dhe të fortë, pa dyshim ata duhen kuruar edhe së brendshmi me një ushqyerje të posaçme. Për t’i rritur më shpejt, mund të konsumoni për shembull vezë: e verdha e vezës është e pasur me biotinë, e cila i bën flokët më të fortë, por edhe të rriten më shpejt. Edhe specat janë aleatë të mirë për flokët tuaj, sepse janë të pasur me vitaminë C, e cila është në gjendje që të forcojë rrënjët e flokut, por edhe çdo fije të tij. Shumë i mirë është edhe salmoni, i cili përmban vitaminë D dhe shumë proteina; avokado është e përsosur për ta aplikuar direkt mbi lëkurën e kokës, për të stimuluar prodhimin e kolagjenit dhe të elastinit. Nëse jeni vegjetarianë, dieta juaj duhet të jetë e pasur me bajame. Përveç uljes së kolesterolit, bajamet përmbajnë shumë elemente ushqyese, të nevojshme për rritjen e flokut si vitamina dhe minerale. Frutat e freskëta, sidomos të familjes së agrumeve, janë shumë të rëndësishme. Portokajtë, mandarinat dhe limonët janë shumë të pasur me vitaminë C, e cila së bashku me hekurin, formon kolagjenin, një komponent i rëndësishëm për flokët e njeriut.
2. Masazhi
Në fakt, ai nënvlerësohet nga shumë njerëz, por në të vërtetë masazhimi i plotë i lëkurës së kokës, kur bëni dush, i oksigjenon më mirë flokët tuaj duke favorizuar rritjen dhe duke ndaluar rënien e tyre. Ndaj, kur të lani flokët, aplikoni mbi ta një maskë ushqyese dhe masazhojeni kokën me majën e gishtave për disa minuta.
3. Shampoja e duhur
Trajtimet e “mrekullueshme” dhe të kushtueshme për të rritur flokët më shpejt, në të vërtetë nuk janë një aleat i mirë për flokët tuaj. Më mirë merrni një shampo forcuese, e cila shmang rënien e flokëve dhe i bën ata më të shëndetshëm dhe më të fortë. Shampoja e duhur është ajo e cila i përshtatet llojit të flokut tuaj, për shembull, për flokë të lyer, të thatë ose të yndyrshëm.
4. “Ilaçet” natyrale
Shpesh, përbërësit natyrorë janë aleatët e vërtetë të bukurisë. Aloe Vera është e duhura për të stimuluar rritjen e flokëve. Ne ju këshillojmë që të përgatisni një përzierje me lëngun e saj me një lugë gjelle vaj ulliri dhe pak mjaltë. Aplikojeni mbi flokë dhe lëreni ashtu për 20 minuta më pas shpëlajeni me ujë të vakët. Këtë lloj maske, mund ta bëni një herë në javë.
5. Mbrojini flokët
Me mbërritjen e të ftohtit, edhe flokët tuaj kanë nevojë për të qenë të mbrojtur nga temperaturat e ulëta. Për të shmangur ndarjen e fijeve të flokut në dy pjesë dhe rënien gjatë ndërrimit të stinëve, mbrojini ata gjithmonë me një kapuç të butë dhe të ngrohtë dhe mos harroni të përdorni produkte ushqyese që i mbajnë flokët tuaj elastikë.
Kujdes!
Stresi është një ndër shkaktarët kryesorë për mosrritjen, apo edhe rënien e flokëve. Është mirë të informoheni me kohë. Ndaj disa nga veprimet që duhen bërë për të parandaluar këtë rrezik janë: ruajtja e shëndetit, identifikimi në kohë i stresit fizik dhe menaxhimi i stresit emocional.