Adoleshentet që braktisën familjet e tyre në Austri për t’iu bashkuar grupit xhihadist ISIS, tashmë ndihen të penduara, bën të ditur e përditshmja britanike “Daily Mail”. Samra Kesinovic, 17 vjeç dhe Sabina Selimovic, 15 vjeç me origjinë nga Bosnja, besohet se tashmë janë martuar, janë shtatzënë dhe dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre, pasi janë zhgënjyer plotësisht nga jeta në Raka të Sirisë, shkruan gazeta britanike. Vajzat të cilat jetonin në Vjenë, u larguan në muajin prill të këtij viti, në drejtim të Sirisë dhe prindërve iu lanë vetëm një letër ku shkruanin “Mos na kërkoni. Ne do t’i shërbejmë Allahut dhe do të japim jetën për të”. Ato vendosën të lënë gjithçka dhe të shoqërohen me persona të cilët tashmë i urrejnë. Vajzat adoleshente u lidhën me terroristët e ISIS nëpërmjet rrjeteve sociale, ku edhe u bindën të ndjekin rrugën e tyre. Megjithatë, shërbimi i sigurimit në Austri është shprehur se është thuajse e pamundur që vajzat të kthehen në shtëpitë e tyre. Para se vajzat të largoheshin nga Vjena, ato ishin parë në një xhami. Policia austriake ka shprehur shqetësimin se ato mund të kenë frymëzuar edhe moshataret e tyre, pasi dy adoleshente të tjera u kapën teksa po tentonin të arratiseshin në Siri. Aktualisht, policia po tenton të zbulojë saktësisht mënyrën sesi Kesinovic dhe Selimovic u bindën për t’iu bashkuar grupit xhihadist ISIS dhe nëse pas tyre fshihet dikush që i ka ndihmuar për të realizuar planin e tyre.