Personat të cilët i kalojnë të 50-at janë më të rrezikuar nga problemet me kockat dhe sa i përket rasteve rezulton se femrat janë më të prekura se meshkujt. Por pavarësisht kësaj situate, Organizata Botërore e Shëndetësisë vëmendjen këtë vit e ka fokusuar tek burrat, duke përçuar edhe mesazhin “Kocka të forta – Burra të vërtetë”. Sipas të dhënave zyrtare të OBSHsë rezulton se me plakjen e popullsisë, një numër gjithnjë e në rritje i meshkujve në moshë vuajnë nga fraktura të ndryshme. “Osteoporoza shkakton më shumë se 8.9 milionë thyerje në vit në mbarë botën. Çdo 3 sekonda ndodh thyerje e kockave nga osteoporoza. Afërsisht, 1 në 3 gra dhe 1 në 5 burra, të moshës mbi 50 vjeç, mund të vuajnë nga një frakturë nga osteoporoza në vitet në vazhdim. Për meshkujt, risku për të pësuar një fracture nga osteoporoza është më i madh sesa ai për të pasur kancer të prostatës” tregojnë të dhënat e OBSH-së. Osteoporoza është një sëmundje e cila dobëson kockat gradualisht, duke çuar në dhimbjen dhe thyerjen e tyre. Çdo kockë mund të thyhet si rrjedhojë e osteoporozës, por kockat që thyhen më shpesh dhe janë më serioze si thyerje janë kockat e legenit dhe shpina!