Gjendja shëndetësore e legjendës së boksit profesionist botëror Muhammad Ali është tejet e rëndë. Sëmundja e “Parkinsonit”, me të cilën ai është përballur tashmë prej tre dekadash, kohët e fundit ka avancuar duke bërë që ai të ketë vështirësi në të lëvizur dhe të folur. Lajmi është bërë i ditur nga vëllai i tij më i vogël Rahman Ali për “Sunday People”. Javën e kaluar Muhammad Ali nuk ka qenë në gjendje as të marrë pjesë në premierën e filmit dokumentar që flet për jetën e tij “I Am Ali”, i shfaqur në HOLLYWOOD. “Për këtë premierë nuk kam mundur të flas me vëllain Muhammad, sepse është shumë i sëmurë. Tani nuk mundet të flasë. Por ama paraprakisht ka dhënë bekimin për këtë film.”-është shprehur Rahman Ali. Muhammad Ali është ndër sportistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, kampion olimpik, kampion i shumëfishtë botëror i boksit profesionist. Ai u prek nga sëmundja e Parkinsonit në vitin 1984. Në fakt kjo sëmundje prek shumë boksierë për shkak të goditjeve në kokë gjatë karrierës së tyre.