Fushatë në rrjetet sociale me të vertetën e asaj çfarë u manifestua në stadiumin “Partizani” të Beogradit me 14 tetor. Nisma është marrë nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.
Në faqen zyrtare në fb, ajo ka publikuar një video, në të cilën thotë ajo, është dokumentuar e gjitha e vërteta që vetë UEFA mundi ta shihte, por jo ta respektojë.
“Por këtë të vërtetë bota nuk e ka parë përveçse në disa copëza shumë të vogla që edhe ato u sfumuan nga hutimi i çuditshëm pas një kukulle fluturake me një banderolë. Prandaj shpërdajeni sa të mundni përmes internetit në drejtim të çdo gazete, televizioni, federate futbolli, klub futbolli nëpër Evropë e botë… “ shkruan Nikolla.
Qëllimi? Bota të njohë të vërtetën, ndërsa UEFA të reflektojë për drejtësinë e munguar në këtë ditë të trishtueshme për Fair Play-n në Evropë.
“Jam e bindur se duke bërë këtë, shumë shpejt UEFA do të kuptojë se janë shumë më tepër sy e veshë, sesa sytë dhe veshët e shqiptarëve, të cilët do të presin të shohin e të dëgjojnë si do t’i shkojë halli drejtësisë së munguar në këtë ditë të trishtueshme për Fair Play-n në Evropë dhe për drejtësinë në gjirin e UEFA-s!”
Duke u ndaluar në vendimin e djeshëm të dhënë nga UEFA, Nikolla nuk fsheh dot tronditjen si qytetare.
“Si shqiptare jam e tronditur si të gjithë ju nga vendimi i djeshëm i UEFA-s. Por si njeri i mësuar të mos tërhiqem nga betejat qytetare dhe të ngul këmbë deri në fund në bindjet e mia, në mbrojtje të vlerave dhe normave të mia, besoj se kemi ende për të bërë.
Kemi ende për të bërë duke qëndruar në nivelin më të mirë të qytetarisë europiane.
Kemi ende për të bërë duke qëndruar në nivelin më të mirë të qytetarisë europiane.
Tamam ashtu siç e kemi manifestuar si skuadër kombëtare, si bashkësi mbështetësish të kuqezinjve tanë, si Federatë Shqiptare e Futbollit dhe si qeveri e Shqipërisë, qysh prej mbrëmjes së 15 tetorit.
Pa rënë në batakun e urrejtjes, mllefit, dëshpërimit që verbon shikimin dhe bllokon dëgjimin, duke të bërë të mohosh vlerat dhe normat e qytetarisë. Por pa heshtur. Pa u tërhequr përballë padrejtësisë”.
Video-ja është shpërndarë nga Kryeministri Rama vetëm pak minuta më pas në faqen e tij në fb.