Sipas gazetës sportive madrilene, ‘AS’, edhe Shqipëria mund të përjashtohen nga eliminatoret pas incidentit në Beograd. Komiteti i Disiplinës i UEFA-s do të mblidhet në Zvicër për të analizuar raportin e gjyqtarit të ndeshjes Serbi-Shqipëri, Martin Atkinson, dhe atë të delegatit të ndeshjes, Harry Been. Por, vendimi për ngjarjet e mbrëmjes së 14 tetorit do të merret më 23 tetor dhe mund të jetë shumë i rëndë jo vetëm për organizatorët e ndeshjes. Sipas gazetës spanjolle sportive "AS", do të ketë ndëshkime shembullore për të dyja kombëtaret pas incidenteve që ndodhën në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Madje, gazeta madrilene shkon deri aty sa merr në konsideratë mundësinë e përjashtimit nga faza kualifikuese e të dyja kombëtareve. "AS" nënvizon se për herë të parë në 6 muajt e fundit, Joseph Blatter (presidenti i FIFA-s) dhe Michel Platini (presidenti i UEFA-s) janë të të njëjtit mendim sa i përket një çështjeje. "Ajo që ndodhi është e papranueshme, nuk ka asnjë justifikim", tha Platini. "E dënoj me forcë atë që ndodhi", tha Blatter. Gazeta e mbyll shkrimin duke cituar një burim të sajin në UEFA: "Ndëshkimi do të jetë shembullor dhe do të vijë shumë shpejt". UEFA heton të dyja palët UEFA ka hapur dje çështje disiplinore kundër Federatave të Futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë për dhunën mes lojtarëve dhe tifozëve, që çoi në ndërprerjen e ndeshjes kualifikuese të Kampionatit Europian, në Beograd, të martën. Dhuna shpërtheu pasi një avion i telekomanduar, ku varej një flamur shqiptar, u lëshua mbi fushën e blertë gjatë gjysmës së parë të ndeshjes. Një lojtar serb e mori flamurin, ndërsa kolegët e tij shqiptarë u përpoqën për ta mbrojtur atë dhe loja u ndërpre para se të mbaronte pjesa e parë, gjatë kohës së kaosit në stadium. Rasti u vlerësua shpejt nga njësia disiplinore e UEFA-s, që të mërkurën, fill pas marrjes së raporteve nga delegati, zyrtarët e ndeshjes dhe ata të sigurisë. "Ne do të hapim çështje disiplinore ndaj dy federatave kombëtare, - tha të mërkurën zëdhënësi i UEFA-s, Pedro Pinto, për 'Associated Press'. Serbët dhe shqiptarët do të kenë kohë deri të mërkurën e ardhshme për t'iu përgjigjur akuzave, para vendimit që do të merret një ditë më pas. Serbia mund ta luajë ndeshjen e ardhshme kualifikuese për 'Euro 2016' në shtëpi, e planifikuar më 14 nëntor, kundër Danimarkës, pa tifozë. RREGULLORJA Thirrjet raciste të dëgjuara para dhe gjatë lojës (vritni shqiptarët) në kor nga i gjithë stadiumi, sipas nenit 14-të të masave disiplinore nga statuti i UEFA-së, mund të dënojë federatën serbe, duke llogaritur se është e përsëritur, sipas pikës 3a, me një ndeshje pa shikues dhe 50 mijë euro gjobë. Ndërsa pika 3b thotë: çdo rast tjetër, mbyllet stadiumi, ndërpritet ndeshja, marrje të pikëve ose skualifikim nga garat kualifikuese. Pika 4 e nenit 14-të thotë: Marrjen e masave të tjera ndaj federatës, luajtjen e një apo më shumë ndeshjeve pa shikues, mbylljen e stadiumit, humbjen e ndeshjes, marrjen e pikëve ose skualifikimin nga garat. Futbollistët serbë që sulmuan ata shqiptarë pritet të dënohen me 3 deri në 5 ndeshje, sipas nenit 15. Sipas nenit 16, pika 2, federatat janë përgjegjëse për invazion apo tentim invazioni në fushën e lojës, hedhjen e sendeve në fushë, ndezjen e fishekzjarrëve, transmetim të mesazheve politike (e vetmja pikë për çka kritikohet FSHF-ja), akte të dhunshme, fyerje gjatë himnit, çfarëdo mungesë e disiplinës në stadium dhe jashtë tij. Në këtë pikë, i kalon automatikisht 3-0 fitorja në tavolinë Shqipërisë dhe dënim i fushës bashkë me një gjobë të majme ndaj federatës serbe. KOMISIONET UEFA ka dy komisione që pritet të merren me çështjen: Komisioni i Kontrollit, Etikës e Disiplinës dhe Komisioni i Ankesave. Format e dëshmive që pritet të merren parasysh janë nga raporti i arbitrit kryesor, delegatit dhe vëzhguesit, si dhe videot, incizimet, fotot, dëshmitë e palëve në proces. Sipas rregullave, procedura disiplinore hapet brenda 4-5 ditësh, ndërsa ajo është hapur që dje dhe vendimet e para merren brenda 15 ose 30 ditësh, ndërkohë që vendimi pritet të jepet më 23 tetor, të paktën sipas faqes zyrtare të UEFA-s