Kushtetuesja rrëzon Nishanin për Forcat e Armatosura

Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin për shfuqizimin e ligjit të miratuar nga votat e shumicës së majtë, “Për autoritetet drejtuese dhe komanduese të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë”, me kërkesën e Presidentit të Republikës. Për disa orë juristët e Presidencës, Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit u përballën në seancë me argumentet e tyre juridik, teksa kryetari i kolegjit gjykues, Bashkim Dedja njoftoi se vendimi përfundimtar për këtë gjykim do të shpallet pas disa ditësh. Por në përfundim të shqyrtimit Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën e Presidentit Nishani për shfuqizimin e ligjit për Forcat e Armatosura. Gjithashtu trupi i Kushtetueses refuzoi edhe kërkesën e dytë të Presidencës për pezullimin e këtij ligji . “Ligji ka kaluar pa biseduar me palët dhe grupet e interesit dhe në shkelje të marrëveshjes se Uashingtonit. Të gjithë anëtarët eNATO- s duhet të konsultohen me njëri tjetrin për çështje të komandimit dhe drejtimit të Forcave të Armatosura. Ligji bie ndesh me konsultimet e ndërkombëtarëve” u shpreh Ledina Mandia, Avokate e Shtetit. Të kundërtën pretenduan përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave dhe të Kuvendit. “Ligji në të gjithë tërësinë e tij nuk shkel apo anashkalon kompetencat e Presidentit si Komandant i Përgjithshëm i FA-së, por ka të bëjë me sistemin e drejtimit dhe komandimit të FA. Ligji është miratuar në respekt të plotë të Kushtetutës”. Por argumentet e Kuvendit rezultuan të dobëta, siç u pa të paktën nga konstatimi i Vladimir Kristos, anëtar i Gjykatës Kushtetuese. “Keni anashkaluar kompetencën e Presidentit dhe nuk e konsideroni as si partner në drejtimin e FA-së.
Thoni që nuk prekni kompetencat, por ju ia hiqni dhe as nuk bashkëpunoni me Presidentin” deklaroi Kristo. Paranojën e tij Kuvendi e njoftoi hapur kur foli për politizim të presidentit edhe pse për të dhe për asnjë organ tjetër Kushtetuta thotë se përfaqëson unitetin e popullit. Përtej këtij debate mbi kompetencat, Presidenca i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese interpretim edhe për procedurën e votimit të këtij ligji, sipas saj duhej të ishte miratuar ne shumicë të cilësuar dhe jo të thjeshtë. Presidenti këmbëngul se ligji i heq disa nga kompetencat kryesore, që lidhen me drejtimin e Forcave të Armatosura, në kohë lufte, fatkeqësish natyrore, apo dhe në kohë paqeje. Presidentit i Republikës argumenton se ky ligj cenon kompetencat lidhur edhe me emërimin apo lirimin e ushtarakëve të lartë dhe bie ndesh me Kushtetutën. Kuvendi si palë e interesuar këmbëngul se kompetencat e Presidentit nuk janë prekur, madje përfaqësuesit ligjorë të tij vunë në diskutim edhe pavarësinë e institucionit të Presidentit, kur thanë se brenda Kuvendit ka qëndrime të ndryshme sa i përket ndryshimeve kushtetuese, që sollën një President nga radhët më të larta të një partie politike. Ky ligj, sipas Presidentit të Republikës shkel Kushtetutën pasi transferon në institucione të tjera 13- të prej detyrave që më parë kishte Presidenti.
Konfliktet Kuvend- President për ligjin e FA-ve
Projektligji për “Autoritetet dhe Pushtetet e Drejtimit e të Komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” u miratua në parim nga Komisioni i Sigurisë më 28 maj 2014. Projektligj u miratua pa pjesëmarrjen e opozitës që bojkotoi mbledhjen për shkak të zënkës në Parlament mes deputetëve Ndoka dhe Strazimiri. Me 18 qershor po ky komision e miratoi në mënyrë unanime këtë projektligj. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ktheu për rishqyrtim ligjin për Forcat e Armatosura duke renditur pesë arsye se përse ky ligj nuk është i drejtë. Sipas Nishanit ky ligj sjell ndryshime të cilat kanë pasoja kritike në ushtrimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit si dhe në balancën e ndarjes së pushteteve midis Kuvendit, Presidentit, Kryeministrit dhe autoriteteve të tjera të përcaktuara në ligj.
Ligji ka minimizuar kompetencat e Presidentit të Republikës në një nga detyrat kryesore që i njeh Kushtetuta. Ka sjellë kufizimin e kompetencave të Presidentit të Republikës lidhur me emërimet, lirimet e ushtarakëve me gradë madhore dhe nuk është i justifikuar. Ligji ka krijuar vakum ligjor pasi, janë suprimuar disa kompetenca ligjore të Presidentit të Republikës si për urdhërimin e fillimit të veprimeve luftarake, kur shkelet integriteti i hapësirës tokësore, ajrore e detare të RSH. Përveçse kufizon ndjeshëm kompetencat e Presidentit si komandant i FA, nuk parashikon shprehimisht detyrimin e Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes që të jenë përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për drejtimin dhe gjendjen e FA-së në kohë paqeje. Argumentet e Presidentit u hodhën poshtë nga Komisioni i Sigurisë me arsyetimet se ky ligj nuk ka cenuar asnjë kompetencë që të prishë balancën e ndarjes së pushteteve dhe të autoriteteve në raport me Forcat e Armatosura.
Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2