UEFA zbadh akuzat e saj, që për çudi përfshijnë edhe Kombëtare shqiptare, e cila nga sa u pa në të gjitha mediat botërore ishte viktimë në stadiumin e Beogradit. Ajo u terrorizua psikologjikisht në çdo drejtim para, gjatë dhe pas ndërprerjes së lojës; disa lojtarë shqiptarë u goditën fizikisht, pa llogaritur këtu koret raciste "vrisni shqiptarët", apo vërshëllimat dhe zhurmën e pafundme që eklipsoi totalisht intonimin e himnit tonë kombëtar para kësaj kualifikueseje të Grupit I, në kuadrin e "Euro 2016". Qeveria europiane e futbollit ka hapur këtë të mërkurë çështje disiplinore kundër Federatave të Futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë për incidentet mes lojtarëve dhe tifozëve, që çoi në ndërprerjen e ndeshjes kualifikuese të Kampionatit Europian, në Beograd, të martën. Akuzat – Të mërkurën, UEFA ka dalë në një komunikatë për shtyp ku ka saktësuar nisjen e hetimit. Kështu serbët do të hetohen për hedhje të fishekzjarrëve dhe flakadanëve, prishje të rendit publik, invadim i fushës nga tifozët, mosmarrje të masave organizative dhe përdorim të lazerit. Nga ana tjetër, Shqipëria hetohet për refuzim të vijimit të ndeshjes dhe shpalosje të banerit. Pikat e mësipërme përmblidhen thuajse të gjitha në nenin 16 të Kodit të Disiplinës së UEFA-s, në të cilin thuhet se klubet dhe federata pritëse janë përgjegjëse në fushë, përreth stadiumit, para, gjatë dhe pas ndeshjes. Ata janë përgjegjës për çdo incident të mundshëm dhe objekt i hetimit disiplinor, vetëm në rast se ata arrijnë të provojnë se nuk e anashkaluan dhe neglizhuan për asnjë çast organizimin e ndeshjes. Po koret raciste? Bën çudi fakti që UEFA nuk ka deklaruar se do të marrë në hetim koret raciste kumbuese të serbëve ndaj skuadrës sonë, as dhunën e ushtruar nga katër lojtarëve kuqezinj brenda fushës së blertë, por edhe në tunelin e stadiumit. Edhe pse racizmi serb ishte më shumë se evident, pasi u vërejt një orë para ndeshjes dhe deri në ndërprerje të lojës, përsëri duket se UEFA nuk do ta hetojë këtë gjë. Sakaq, hetohet Kombëtarja shqiptare për mosvijim të ndeshjes, ndërkohë që ishte vetë arbitri anglez, Atkinson, ai që e ndërpreu, duke urdhëruar lojtarët të futeshin në dhomat e zhveshjes për shkak të dhunës që pllakosi në fushë. Gjë tjetër që pretendohet më së shumti nga serbët është fakti se dhuna u provokua nga flamuri, ndërkohë që për hir të së vërtetës ndeshja nuk u ndërpre për shkak të flamurit, por për dhunën që pllakosi nga veprimet e vendësve. Gjithsesi, të gjitha këto do të mund të merren në shqyrtim nga UEFA në rast se FSHF-ja (me gjasa do ndodhë kështu) do t’i reklamojë në Komisionin e Disiplinës. Në këtë rast, do të futet në lojë neni 21, i cili ndëshkon Serbinë me humbje ndeshjesh në tavolinë. Deklarata e UEFA - Dhuna shpërtheu pasi një avion i telekomanduar, ku varej një flamur shqiptar, u lëshua mbi fushën e blertë gjatë gjysmës së parë të ndeshjes. Një lojtar serb e mori flamurin, ndërsa kolegët e tij shqiptarë u përpoqën për ta mbrojtur atë, dhe loja u ndërpre para se të mbaronte pjesa e parë, gjatë kohës së kaosit në stadium. Rasti u vlerësua shpejt nga njësia disiplinore e UEFA-s, që të mërkurën, FILL pas marrjes së raporteve nga delegati, zyrtarët e ndeshjes dhe ata të sigurisë.