A e mori në qafë Kombëtaren tonë Lorik Cana?


Kapiteni kuqezi, Lorik Cana, mund të jetë personi që ia humbi tri pikë Shqipërisë kundër Serbisë. Shqipëria humbi tri pikët në ballafaqimin kundër Serbisë shkaku i vendimit që po duket të jetë tejet i dyshimtë nga UEFA.

 Gjithsesi, kjo sfidë ka mundur shumë lehtë të përfundonte në favorin e kuqezinjve, sikur Lorik Cana të vendoste nënshkrimin e tij si duhet.
 Sipas Diaryoftirana.com, kapiteni kuqezi vetëm në bisedë verbale me gjyqtari e sfidës i tha atij se nuk mund të luajnë, mirëpo nuk nënshkroi në protokollin e lojës një deklaratë të tillë.

 Ai e nënshkroi protokollin që flet se skuadra e Shqipërisë nuk kthehet në fushën e lojës, pa treguar arsyet. Ja shkrimi i botuar në Diary of Tirana:

 "1.Në këndvështrimin tim personal, vendimi i UEFA-s ishte tërësisht i padrejtë për atë që ndodhi ditën e ndeshjes Serbi vs Shqipëri.
 Akoma më saktësisht, vendimi i saj qe një vendim tërësisht politik (jo në funksion të drejtësisë të asaj që ndodhi aty brenda) e që për rrjedhojë mund të sjellë një valë më të madhe nacionalizmi dhe urrejtje mes Shqiptarëve dhe Serbëve.
 Por, për hir të së vërtetës edhe Federata jonë (jo vetëm ajo) ka pjesën e saj të përgjegjësisë në vendimin që mori UEFA.

 2.Gjatë një ndeshje futbolli autoriteti suprem në fushë është gjyqtari dhe delegati i UEFA-s apo FIFA-s.
 Pikërisht këto funksionarë janë syri, dora dhe veshi i UEFA-s në një ndeshje, natyrisht që ka dhe forma të tjera për të vërtetuar kërkesat e njërës apo tjetrës palë.
 Kështu, gjyqtari ka një protokoll të cilin e plotëson dhe në fund ia jep dy kapitenëve për ta firmosur, më pas një kopje të secilit protokoll ia jep skuadrave.

 3.Gjithashtu edhe delegati ka një relacion të tijin, i cili shërben si një sy apo vesh i UEFA-s apo FIFA-s, edhe ky ka mundësinë që të shkruajë dhe të plotësojë një relacion të tijin. Tërësisht të pavarur nga ajo që plotësohet nga gjyqtarët.

 4.Me sa duket kapiteni i ekipit tonë kombëtar, Cana, ka firmosur relacionin e gjyqtarit që flet për diçka tjetër nga ajo që kanë pretenduar deri më tani lojtarët e kombëtares.
Kështu, nëse gjyqtari (sipas lojtarëve tonë) ka pyetur Canën “A mund ta luani ndeshjen?” e ky i fundit i ka thënë që “Nuk mundet ta luajnë ndeshjen”, ai nuk e ka shprehur këtë në protokollin e ndeshjes. Mirëpo, kapiteni i ekipit ka firmosur tek ky relacion pa e kundërshtuar këtë të fundit.

 5.Sipas asaj që morëm vesh vetëm disa ditë përpara dorëzimit të dosjes, gjyqtari këtë bisedë verbale me lojtarët tonë nuk e ka hedhur në relacion.
 Kjo me pak fjalë do të thotë që ajo bisedë nuk ka asnjë vlerë përderisa kapiteni jonë ka firmosur relacionin e gjyqtari që flet se “Ekipi i Shqipërisë NUK u kthye në fushë”.
 Natyrisht që ka shumë pika për t’u diskutuar, ndoshta UEFA merr një masë ndëshkimore për arbitrin që nuk u fut asnjëherë në fushë për të shënuar rifillimin e ndeshjes e kështu me radhë, por këto nuk i shërbejnë edhe aq kauzës së kombëtares.

 6.Nga ana tjetër, asnjë nga delegatët e FSHF, asnjë nga lojtarët e kombëtares apo stafi teknik nuk iu ankua qoftë edhe një herë personave përgjegjës (pra gjyqtar, delegat etj.) për korret raciste. Përse duhet ta bënin? Arsye është e thjeshtë, sepse delegati dhe gjyqtari nëse një lojtar raporton diçka duhet medoemos ta raportojë këtë të fundit tek relacioni i tij.

 7.E nëse këto të fundit nuk e paraqesin në relacionin e tyre, ekipit përkatës i lind e drejta për të replikuar e për të bashkangjitur me një material shtesë gjithçka sa ka ndodhur dhe gjyqtari apo delegati nuk e kanë shënuar.

 8.E gjitha kjo, juridikisht ka një vlerë të madhe. Duke qenë se UEFA e nisi hetimin pikërisht pas asaj që ka pasur në realcionet e gjyqtarëve, ku fare qartë asnjë nga ato nuk kishin shënuar asnjë fjalë për racizmin, po kështu nuk kishim asnjë çështje të shtuar nga pala jonë për racizmin…me pak fjalë ia kishim lënë “burokracisë” dhe “dashamirësisë” së një anglezi të gjithën këtë.

 9.E në këtë mes, UEFA, gjykoi ashtu siç ia kishte ajo ënda, pa pasur fakte të kopsitura dhe radhitura mirë nga ana e palës sonë. Ndërkohë që ajo serbe natyrisht që shpresonte të fitonte këtë gjyq, jo sepse mendonte se kishte të drejtë…por sepse i kishte të gjitha mundësitë për ta bërë këtë.

 10.Kjo që ndodhi, duhet të na mësojë së pari që çështje të tilla nuk duhen trajtuar me një eksitim nacionalist. Po kështu impresionuese qe mënyra se si Kryetari i Federatës doli në mediat e vendit duke i rënë gjoksit me dorë (me këtë rast fitoi edhe disa tituj si qytetar nderi) e duke pohuar se do t’ia dilte….por që me sa duket e la gomari në baltë.

 11.E së fundi, një mesazh për të gjithë ato politikanë që morën hov nga një pëlhurë që askush nuk e di kush e lëshoi e kush e bëri por që të gjithë u endën ta quanin simbol kombëtar, kur në fakt qe një hartë që nuk kishte të bënte as me Shqipëri Etnike (që nuk është simbol kombëtar) e as me ndonjë gjë të ngjashëm me simbolet kombëtare."
Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2