24 vatra të infektuara me virusin "gjuha blu" i cili prek bagëtitë e imtat duke shkaktuar deri në ngordhjen e tyre janë konstatuar në qarkun e Korçës. Virusi i përhapur në masë edhe në vende të tjera të Ballkanit ka bërë që përgjatë ditëve të fundit të ngordhin 137 dele ndërsa 567 të tjera rezultojnë të prekura nga virusi i cili përhapet në mënyrë të shpejtë. Për shkak të probabilitetit të lartë të përhapjes tek bagëtitë dhe dëmeve që mund t'u shkaktojë fermerëve përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Bujqësisë janë ndalur në Korçë ku kanë kërkuar që të grihen strukturat e nevojshme dhe të merren masat për të parandaluar përhapjen e mëtejshme tek tufat e bagëtve të imta. Virusi "gjuha blu" është përhapur në masë kryesisht në fshatrat kufitarë dërsa është domosdoshmëri izolimi i rasteve për të shmangur infektimin e mëtejshëm Ndërkaq përballë këtij shqetësimi masa janë marrë edhe nga prefektura e Korçës e cila ka lënë porositë e saj në komuna për groposjen e bagëtive të ngordhura si dhe ka angazhuar strukturat e policisë për të mos lejuar lëvizjen e tyre në mënyrë që të parandalohet përhapja. Deri më tani në rajonin juglindor janë konstatuar 24 vatra të infektimit nga virusi i "gjuhës blu" por sipas specialistëve ai nuk rrezikon përhapjen tek njerëzit.