Kur kabineti i ministrit të jashtëm të Italisë kërkoi të shoqëroi Nënë Terezën



Nga Dashnor Kaloçi

Pjesa e dhjetë

Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Bamirësen dhe Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, si: “Padmashir”, dhe “Nehru”, nga qeveria indiane në vitin 1963 dhe 1972, “Magnasia” nga qeveria filipinase e cila e shpalli gjithashtu si “Gruaja e merituar e Azisë”, disa çmime paqeje nga SHBA, “Ambrogino i artë” nga Milano, “Nëna universale” në 1974 nga qendra e orientimit të emigrantëve, dhe çmimi ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën.

Kalvari i Nënë Terezës që nga viti 1969, e cila nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. I gjithë dokumentacioni i plotë, (tashmë i deklasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekse të ndryshme,  penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!

Edhe pse në të gjithë botën ajo njihej si Nënë Tereza e Kalkutës, Bamirësja dhe Shenjtorja e famshme Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe e çmimit ‘Nobel’ për Paqen në vitin 1979, nuk e fshehu kurrë origjinën e saj shqiptare, madje duke kërkuar që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze, italiane etj.,(ku u angazhuan krerët më të lartë të diplomacisë së këtyre dy shteteve), që të vizitonte nënën dhe motrën e saj që jetonin në Tiranë.

Por edhe pse lidhur me kërkesën e vazhdueshme për të vizituar atdheun e saj, asokohe dhe më pas u angazhuan disa prej diplomatëve kryesore të këtyre dy shteteve Perëndimore me të cilat Tirana zyrtare kishte marrëdhënie diplomatike, regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk e lejoi atë kurrsesi të vinte dhe të shikonte nënën e saj që ishte në momentet e fundit të jetës dhe Age Bojaxhi, u nda nga jeta me pengun e madh që s’mundi ta shihte edhe njëherë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën s’e kishte pare, që kur ajo ishte fëmijë, kohë kur ajo ishte larguar nga shtëpia për t’u bërë murgeshë.

Por edhe pas kësaj, Nënë Tereza e Kalkutës, siç njihej ajo në të gjithë botën për shkak të misioneve të saj të bamirësisë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve kudo që ata ndodheshin, në të gjitha skajet e globit, jo vetëm që nuk u zemërua me ata që nuk e lejuan të shihte nënën e saj, para se të ndërronte jetë, por përkundrazi, u lut për ta dhe vijoj të kërkonte pa u lodhur, për vite me radhë, që ajo të vinte një ditë në vendlindjen e të parëve të saj, qoftë dhe për të vënë një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj, që tashmë ishin larguar nga jeta.

Por kërkesat e saj, për dy dekada  (nga viti 1969, deri në 1989-ën), hidheshin poshtë me pretekste nga më absurdet nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas, pasuesit të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, të cilët shikonin pas saj dhe njerëzve që e shoqëronin: një “agjente të Vatikanit”, etj.!

Lidhur me këto si dhe të gjithë kalvarin e saj prej më shumë se dy dekadash për të ardhur në Shqipëri, ku mendonte që të hapte Shtëpitë e Bamirësisë, siç kishte bërë në vende të ndryshme të botës, si dhe arsyen e vërtetë sepse Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, vendosën që ta pranonin atë në vitin 1989, kur dhe erdhi për herë të parë në atdheun e saj, bëhet fjalë në shumë dokumente arkivore, ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, revista, flet-palosje, fotografi, etj., etj., të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., në rubrikën historike dossier, duke filluar nga ky numër.

Relacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë për Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me kërkesat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë pranë ambasadës shqiptare në Romë, për të plotësuar propozimet e Nënë Terezës

I n f o r m a c i o n

Sikurse dihet në datën 28 nëntor, Grafini zëvëndës-shefi i kabinetit të Ministrit të Jashtëm të Italisë, De Mikelis, thirri ambasadorin tonë në Romë dhe i parashtroi sa vijon:

  1. Propozoi që së bashku me motrat e Nënë Terezës, të vijë në Shqipëri dhe një prift që do t’u shërbejë atyre. Ky propozim, bëhet me kërkesën e Ministrit të Jashtëm të Vatikanit, dhënë De Mikelisit.
  2. Grafini, informoi se zyrën e atasheut të kulturës të ambasadës së tyre në Tiranë, do t’ia japin për përdorim 6 Popajve, meqënse janë ngushtë. Në këtë kuadër, ai theksoi se kjo gjë është e nevojshme meqënse nuk do ishte mirë që Popajt, të gjendeshin në kushte të vështira, në kohën e largimit të tyre nga Shqipëria, që do të realizohej me ndërhyrjen e organizatës së Kryqit të Kuq dhe në praninë e përfaqësive Perëndimore e asaj italiane.

Nga takimi i mësipërm del qartë se pala italiane e konsideron të mbaruar, vendosjen e grupit të motrave të Nënë Terezës këtu, ose dëshiron ta finalizojë që edhe Vatikani, të dërgojë në Shqipëri një përfaqësuesin e vet, në rolin e priftit për t’u shërbyer motrave. Në këtë mënyrë, indirekt Vatikani kërkon që të krijojë marrëdhënie me vendin tonë.

Së dyti, pala italiane, në vijim të bisedës së ministrit Ruxhero, me shokun Reiz Malile, shtron përsëri largimin e 6 Popajve nga Shqipëria me një ndërhyrje ndërkombëtare. Gjë që tregon se ata e konsiderojnë të pa qenë, se midis dy palëve është gjetur një zgjidhje. Lidhur me sa më sipër, mendojmë se ambasadori ynë në Romë, të marrë takim me Grafinin dhe t’i thotë sa vijon:

  • U informova në Tiranë për çështjen e misionit të motrave të Nënë Terezës dhe rezulton se nuk është pranuar nga ana jonë dhe nuk është vendosur me Nënë Terezën, që motrat e saj të hapin këtu një ‘Shtëpi Bamirësie’. Pra, kërkesa e Vatikanit për dërgimin e priftit, mbetet pa objekt, pa përmendur këtu që Shqipëria nuk mban lidhje me Vatikanin.
  • Përsa i përket rregullimit të 6 Popajve, brenda selisë së ambasadës italiane, kjo është një çështje e brendshme e tyre. Por në bisedën me ju, në datën 28 nëntor, na tërhoqi vëmendjen propozimi i zgjidhjes së çështjes së Popajve, me anë të ndërhyrjes ndërkombëtare, të Kryqit të Kuq dhe në praninë e përfaqësuesve perëndimorë dhe italianë. Kjo mënyrë e zgjidhjes, tashmë është kapërcyer sepse siç e dini, propozimi italian nuk është pranuar dhe se problemin e tyre u zgjidh me anë të bisedës së prof Lazrit me Andreotti, kur ky i fundit, ishte Ministër i Jashtëm. Ne jemi në pritje të realizimit të kësaj zgjidhjeje. Kjo është theksuar dhe në bisedën e ministrit Ruxhero me ministrin tonë të Jashtëm në Tiranë dhe në bisedën që kam pasur me zotin Pikoli, në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit.

Në fund të bisedës, ambasadori ynë të theksojë, qëndrimin e qeverisë sonë, për zhvillimin e marrëdhënieve të miqësisë e bashkëpunimit me Italinë.

Tiranë më 1 dhjetor 1989

Relacioni i ambasadorit Dashnor Dervishi për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me telegramin e urimit të Papa Gjon Pali të Dytë, me rastin e Vitit të Ri

AMBASADËS SË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË NË ROMË

                                      Romë më 12 janar 1990

Lënda: Mesazhi i Vitit të Ri nga Papa Pauli II 

MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME

(Drejtorisë së Parë)

                                                   TIRANË

Bashkëngjitur ju dërgojmë, sipas porosisë tuaj për materiale të tilla, mesazhin e Vitit të Ri nga Papa Pauli II, që i dërgon përfaqësuesi i përhershëm i Vatikanit, në FAO përfaqësuesit tonë të përhershëm në këtë organizatë.

                                         AMBASADORI

                                      (Dashnor Dervishi)

Raport-informacioni i diplomatit Vladimir Pulaj pranë Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me kërkesat e Vatikanit për të hyrë në kontakte me Tiranën zyrtare

I n f o r m a c i o n

Kohët e fundit, vihet re një aktivizim i madh i diplomacisë së Vatikanit, karshi vendit tonë. Nunca të tij, në vende të ndryshme por edhe miq e të njohur, u kanë folur diplomatëve tanë jashtë, për kënaqësinë e shprehur nga Selia e Shenjtë, lidhur me lejimin e ushtrimit të besimit fetar, në vendin tonë si dhe dëshirën për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.

Në kushtet kur vendi ynë ka marrë vendime të rëndësishme, në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut dhe besimit fetar, ka filluar tanimë të ushtrohet. Por njëkohësisht, dhe në kuadrin e përpjekjeve që po bëhen nga ana jonë, për tu pranuar me të drejta të plota në KSBE, dhe për të vendosur marrëdhënie diplomatike me TPE, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë, do të ketë një efekt shumë pozitiv, në komunitetin ndërkombëtar dhe qeveritë e shumë vendeve, duke pasur parasysh influencën e Vatikanit mbi to.

Një hap i tillë, do të shërbente dhe për të treguar se vendi ynë është angazhuar thellësisht në procesin e demokratizimit të vendit dhe se kështu, i heqim nga dora një armë shumë të fortë disa qarqeve të huaja, që po e përdorim kundër vendit tonë.

Për sa më sipër, mendojmë që ambasadorët tanë në Athinë e Algjer, të kontaktojnë këto ditë nuncat e Vatikanit dhe në bisedë e sipër, t’ju lëmë të kuptojnë se do të mirëprisnim kërkesën nga ana e tyre, për të vendosur marrëdhënie diplomatike me vendin tonë.

Tiranë më 22 janar 1990

                                      Vladimir Pulaj

Relacioni i Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, Jorgo Melica, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme, për letrën e dërguar nga shoqëruesja e Nënë Terezës, Zhanet Petrie

KOMITETIT                                  Tiranë, me 20.3.1990

I n f o r m a c i o n

Xhanete Petrie, me anë të një kartë burimi, pasi falenderon për tërë kujdesin që u tregua gjatë vizitës së Nënë Terezës në vendin tonë, bën të ditur se Nënë Tereza, gëzon shëndet të plotë e ka filluar rregullisht nga puna. Interesohet të dijë se ç’bëhet me motrat në Shqipëri dhe nëpërmjet letrës, Petrie, njofton se Nënë Tereza, është e interesuar që të vijë përsëri në Shqipëri.

                                   Kryetari

                                 Jorgo Melica

Korespondenca me telegrame sekrete e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me ambasadat shqiptare në Beograd, Pragë dhe Romë, lidhur me kërkesat e Vatikanit për të hyrë në kontakte e marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë

DËSHIFRIM

                                                                                        TEPËR SEKRET 

Nr. 12064

Nga: Praga

Datë: 20.4.1990

MINISTRISË SË JASHTME

MPJ na ka ftuar edhe ne me tërë përfaqësuesit diplomatikë të Pragës, me rastin e vizitës së Papës. Mendojmë të mos shkojmë.

Idrizi

                                                                                     SHIFRIM

                                                                                 TEPËR SEKRET

Datë: 21.4.1990

Adresa: Pragë

Dakord, që të mos shkoni në pritjen e Papës. Po t’u pyesin për këtë problem, i thoni që nuk kemi gjë kundër tyre, por nisemi nga rrethanat, që vendi ynë nuk ka marrëdhënie me Vatikanin.

                                                                                 DËSHIFRIM

                                                                              TEPËR SEKRET

Nr. 15748

Nga: Beogradi

Datë: 25.5.1990

MINISTRISË SË JASHTME

Në një pritje tek këshilltari francez, më takoi zëvendës titullari i ambasadës së Vatikanit. Isha me Leonidhën. Tha se i kishin bërë përshtypje, zërat që përhapen në Beograd, se gjoja shqiptarët myslimanë, shkojnë në Itali tek arbëreshët dhe atje konvertohen në katolikë dhe si të tillë, rikthehen në Kosovë.

(vijon)

                                                                             DËSHIFRIM

                                                                            TEPËR SEKRET

Nr. 15749

Nga: Beogradi 

Data: E dyta

Pyeti a është e vërtetë një gjë e tillë. I thanë se ne e dimë propagandën serbe, që i cilëson shqiptarët fondamentalistë, apo që flet për keqtrajtimin e popullsisë, së krishterë nga ajo myslimane, por për rastin konkret nuk e besojmë.

(vijon)

                                                                              DËSHIFRIM

                                                                           TEPËR SEKRET

Nr. 15750

Nga: Beogradi

Data: mbaroi

sepse në plan të parë ka dalë çështja kombëtare dhe këtu, jemi të gjithë të bashkuar ortodoksë, katolikë, myslimanë, ateistë. Ai tha se do të interesohej para priftërinjve arbëreshë, për të marrë ndonjë informatë.

Kujtimi

                                                                              DËSHIFRIM

                                                                           TEPËR SEKRET

Nr. 17802

Nga: Roma

Data: 19.6.1990

                                      MINISTRISË SË JASHTME

Profesori i historisë në Universitetin e Romës, Andrea Rikardi, i tha Miroshit, se kohët e fundit në Vatikan kanë filluar të mendojnë ndryshe për Shqipërinë. Sipas një bisede që ai ka pasur me monsinjor Fortinon, arbëresh që njihet si “eminenca gri” në Vatikan, ka mësuar se atje është arritur në konkluzionin se

(vijon)

                                                                            DËSHIFRIM

                                                                          TEPËR SEKRET

Nr. 17803

Nga: Roma

Data: e dyta

se nuk duhet përsëritur ai gabim historik, që u bë me Skënderbeun, që u la pa përkrahje. Frika që futi Vatikani për urrejtjen e pushtetit të Skënderbeut në Adriatik, bëri që të sigurohej një ndikim i dobët i Perandorisë Osmane, në vend të një mbretërie.

(vijon)

DESHIFRIM

                                                                           TEPER SEKRET

     Nr.17804           Nga: Roma

     Nr.941            Data: e treat

Fuqishme shqiptare pruri atëherë zgjerimin e pushtetit musliman e ortodoks në Adriatik e Ballkan, gjë që bëri që katolicizmi të mbetej në minoran dhe i pafuqishëm. Gjithashtu është konsideruar i ashpër, qëndrimi që u mbajt në vitet ’60, i cili lejojë një ndarje të madhe nga (vijon)

                                                                                      DESHIFRIM

                                                                                    TEPER SEKRET

Nr.17805                           Nga: Roma

Nr.942                             Data: e katërta

Ajo që do të krijonte ateizmi shqiptar. Prandaj sipas Fortinos, ndaj Shqipërisë, veçanërisht pengesave që ajo ndërmerr në drejtim të të drejtave të njeriut, nga Vatikani do të tregohet maturi, inkurajim ndaj veprimeve të Perëndimit me Shqipërinë. 2) Aktualisht Vatikani sheh rrezik të (vërtetë)

                                                                                        DESHIFRIM

                                                                                     TEPER SEKRET

Nr. 17806                            Nga: Roma

Nr. 943                              Data e pesta

Interesave të tij aktivitetin e kishës ortodokse, në Ballkan si rezultat i zgjerimit të nacionalizmit në Serbi dhe në Greqi pas fitores së “Demokracia e Re”. Vatikani është i ndjeshëm gjithashtu edhe ndaj zhvillimeve që ka midis fundamentalistëve muslimane (vijon)

Letra e shoqërueses së Nënë Terezës, regjisores Zhanet Petrie, dërguar Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, Jorgo Melica

    Z, Jorgo Melica

Kryetar i Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme.

  I dashur Zoti Melica

Duke ju uruar shkurtimisht gëzuar Vitin e Ri dhe duke duke ju shprehur mirënjohjen ndaj jush, për gjithçka bëtë në vizitën tonë në Shqipëri. Në çdo vizitë që unë bëj, shoqërohet me rritjen e respektit dhe konsideratës për popullin shqiptar.

Nënë Tereza po përmirësohet dhe mjekët janë të kënaqur me gjendjen e saj shëndetësore, të cilën e konsiderojnë mjaft të mirë. Nëna, ka rifilluar aktivitetin e saj dhe së shpejti, do të jetë në gjendje që të ndërmarri udhëtimet.

Ajo është shumë e interesuar që të rikthehet në Shqipëri, së bashku me motrat e saj. Dhe njëherë, shumë faleminderit për kujdesin tuaj dhe takohemi në një të ardhme të afërt.

Përshëndetjet më të mira

Jeanette Petrie Janar, Janar 31, 1990 – Romë

Korespondenca me telegrame sekrete e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me ambasadën shqiptare në Kajro, lidhur me jehonën e vizitës së Nënë Terezës në Shqipëri dhe vendosjen e dy statujave te varri i nënës dhe motrës së saj në Sharrë

DËSHIFRIM

                                                                             TEPËR SEKRET

Nr. 31090

Nga: Kajro

Data: 7.12.1990

                                          MINISTRISË SË JASHTME

Në pritjen e Tajlandës më takoi nunci apostolik Antonis Magnoni, ku më shprehu kënaqësinë për vizitën e Nënë Terezës dhe takimet e marra.

(vijon)

                                                                          DËSHIFRIM

                                                                        TEPËR SEKRET

Nr. 31091

Nga: Kajro

Data: mbaroi

Ai më tha se bëni shumë mirë që prisni nivele të tilla, pasi Nënë Tereza, është një nga figurat më të rëndësishme në botë. E mbi të gjitha, theksoi ai, që Nënë Tereza realizoi ëndrrën e saj, të takimit në tokën amtare përpos faktit që fjala e saj ka peshë.

Alkyzi

Proçes – verbal

Mbi marrjen në dorëzim të dy statujave të vogla, të cilat janë për t’i vendosur, në dy varret e njerëzve, familjes së Nënë Terezës. Ato, duhen ruajtur dhe do të vendosen sa herë që do të bëhen vizita në këto dy varre.

Tiranë më 2 maj 1990

Dorëzuesi 

(Maksim Dinga)

Përfaqësuesi i Komitetit për Marrëdhëniet Kulturore me Botën e Jashtme

Marrësi

(Xhafer Vila)

Përgjegjësi i varrezave të Sharrës.

Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2