Historia e familjeve të fisnikëve shqiptarë në Koper të Sllovenisë



Pushtimi osman i fillimit të shekullit të XV, i territoreve shqiptare shkaktoi një tjetër valë të re emigrimesh të dhimbshme. Rënia e qyteteve arbërore nën këtë sundim dhe egërsia e pashembullt e pushtuesit lindor detyroi largime të reja drejt Mbretërisë së Napolit, Venecia, Gjenova dhe më gjërë. Por, edhe më masive qenë emigrimet e popullisë arbërore drejt Italisë, në fundin e shekullit të XVI, mbas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe rënies përfundimtare të territoreve arbërore nën sundimin osman.

Për Lek Dukagjinin, këtë personazh të rëndësishëm të rezistencës antiosmane, këtë aleat të Heroit tonë Kombëtar dhe kodifikues të një monumenti të rëndësishëm ligjor, “Kanunit”, historiografia dhe fondet arkivore dokumentare, pas vitit 1481, nuk japin më asnjë informacion.

Ç’ndodhi me të dhe familjen e tij pas pushtimit osman? Ku shkoi, ku u vendos dhe ç’gjurmë la dera e Dukagjinëve në udhët e largëta të emigrimit? Asnjë burim nuk na ka bërë me dije gjer më tash për fatin e të parit të Dukagjinëve apo të pinjollëve që ai la pas!!!

Në këtë pjesë të dytë, do të tregojmë për herë të parë se ku përfundoi një nga princërit më të shquar të Arbërisë dhe një nga personalitetet më të shquartë epokës Skënderbejane, Lekë Dukagji dhe fisi i tij.

PETER STOKA, NJERIU QË ZBULOI GJAKUN E ARBËRIT NË KOPER-SLLOVENI

“Jam befasuar dhe habitur njëkohësisht, – shkruan ai, – si është e mundur që një histori kaq e pasur, të cilën e kanë bërë dhe ndërtuar familje dhe breza të tërë shqiptarësh në Koper, që kanë dominuar në Istër e gjetkë, është harruar dhe nuk i është kushtuar vëmëndje, më keq akoma është injoruar apo mohuar gjer në skajshmëri!!!…”
Duke shkuar edhe më tej në hulumtimet e tij, Stoka shkruan: “Vetë Justinopolit, sikundër kishte emrin e tij të hershëm qyteti i Koperit, lidhet me fisin lindor të Justinjanit. Pasuesit e tij që e themeluan këtë qytet ishin shqiptarë”.

Në këtë mënyrë Stoka thellon evidencat tona historike më fakte krejt të panjohura për ne, duke na bërë me dije se valët emigratore të shqiptarëve, në shekujt e parë pas Krishtit, kanë qënë themeluesit e një porti të rëndësishëm dalmat sikundër është Koperi.

Një numër tjetër dokumentesh arkivore, me vlera të patjetërsueshme historike për Arbërinë mesjetare, farën e arbërit dhe praninë arbërore në këto anë gjendet në mjaft arkiva, bibloteka, kisha dhe komuna të Istrias dhe qytetit të Koperit. Ato bëjnë me dije se qysh në shekullin e 13, nën sundimin e hershëm venedikas të brigjeve dalmate gjejmë prezencën e familjeve fisnike shqiptare Albanese dhe Albani, Brati dhe Bruni

Kështu familja Albanese është registruar në listën e fisnikëve titullarë të qytetit të Koperit më datë 1. 3. 1431. Ndoshta për shkak të kësaj familje të njohur fisnike arbërore të vendosur në Koper apo për shkak të pranisë së madhe të shqiptarëve në këtë zonë të qytetit, njëra nga rrugët ishte ëmërtuar dhe mban edhe sot e kësaj dite emrin “Calle Albanese”.

ÇFARË NDODHI DHE KU SHKOI FAMILJA E PRINCIT TË NJOHUR LEK DUKAGJINI?

Ndër faktet dhe gjetjet e shumnta, me mjaft interes, që ka sjellë dhe vazhdon të sjellë me pasionin e tij Peter Stoka, për gjakun e emigruar arbëror në këto anë janë dokumentet me vlera unike edhe për familjen e Dukagjinëve. Askush nuk na kishte identifikuar gjer më tani se ku shkoi mbas pushtimit Osman të Arbërisë, Princi i njohur shqiptar, burri që qau në mënyrë mbreslënëse vdekjen e Heroit tonë Kombëtër-Skënderbeun, princi Lek Dukagjini.

Këtë na e zbulon përmes hulumtimeve të tij Peter Stoka: “Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, – shkruan ai, rënies së Krujës dhe Shkodrës (1479), ngjarje që shpunë gjithë territoret e Arbërisë në duart e osmanëve, eksponentët e familjeve më të rëndësishme fisnike të atyre anëve, ndër të cilët edhe Dukagjinët e fuqishëm, apo edhe Aranitët dhe Muzakajt në jug qenë të detyruar të braktisin atdheun e tyre, duke emigruar një pjesë e tyre edhe në Istrian Venedikase …. Duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit të XV, popullsi shqiptare erdhën dhe u vendosën në Istria, duke formuar kështu një grup të rëndësishëm luftëtarësh ushtarakë dhe pak më vonë edhe fisnik.

Duke pasur parasysh faktin se disa nga familjet e emigruara u takonin dyerve të fisnikëve shqiptare, që mbanin tituj të njohur në hirarkinë perandorake, që gëzonin një status të privilegjuar social, madje ata kishin edhe heraldikën (stemën e tyre familjare), Republika e Venedikut që zotëronte këto anë u dha të ardhurve dinjitetin dhe pozicione me rëndësi politike dhe ushtarake në vendet e reja të të qëndrimit…

Shembull tipik është ai i Gjon Dukagjinit, nipi i Lek Dukagjinit (Gjoni ishte djali i vëllait të Lekës, pasi vetë Leka nuk kishte fëmijë), të cilit iu dha funksioni i “Kështjellarit të fortesës së San Servolos” dhe bashkë me to një numër posedimesh dhe feudesh. Ishte koha kur ushtritë numeroze osmane avanconin përmes luftimeve të përgjakshme drejt Venecias dhe sulmet e tyre në Friuli e kishin bërë më kërcënues invazionin e pritshëm. Pikërisht në këtë kohë, në këto anë me rëndësi ushtarake dhe strategjike Venediku i beson këtij princi këtë fortesë…”

Në fondet e arkivit dhe të biblotekës shteterore të këtij qyteti gjenden aktet ligjore që dokumentojnë funksionin dhe zotësinë e Dukagjinëve jo vetëm si kështjellar i San Servolos por edhe trashëgimin e tirujve dukë të marë me vehte nga trojet arbërore. Në to gjendet një numur I madh dhe I pasur letërkëmbimi dhe dokumentacioni për mardhëniet e tyre me Venedikun e më gjërë, pema e tyre gjenealogjike si dhe mjaft dëshmi për veprimtarinë e tyre në ato anë, sigurisht të gjitha ato të panjohura gjer më tani.

Sidoqoftë, pa vazhduar gjatë, në historinë e kësaj familjeje dhe pinjollëve të shquar të Dukagjinëve, e cila ishte shumë e pasur dhe prezente në jetën politike dhe atë ushtarake, nga shekulli i XV gjer në shekullin e XIX në këto anë, duhet thënë se ka në mënyrë të mjaftueshme dokumente unikale arkivore, të dhëna, dorëshkrime dhe botime me mjaft interes që ndricojnë shumë cështje me interes edhe të familjeve të tjera fisnikësh të panjohur shqiptarë dhe të historisë së emigrimeve të mëdha shqiptare apo cështje të tjera me rëndësi historike për vendin tonë.

Në stemën e saj të trashëguar në Koper, familja Dukagjini ka një dorë e cila shtrëngon një gjarpër, e kurorëzuar në pjesën e sipërme me dy yje me pesë cepa. Studjuesit nuk kanë mundur të shpjegojnë dot domethënien e këtij relivi. Gjykojmë se simbolika e dorës që mban të mbërthyer një gjarpër vjen nga legjenda e Pirros të Epirit, të cilin e mbanin si heraldikë edhe familje të tjera fisnikësh shqiptarë, sikundër ajo e Buajve dhe Spatajve. Sipas mitit të trashëguar, Piros kur ishte i vogël i kishte shkuar në djepin e tij një gjarpër, të cilin në manyrë instiktive ai e kishte mbërthyer me dorë dhe e kishte shtrënguar aq fort sa e kishte mbytur, një simbolikë kjo për të treguar forcën dhe fuqinë e tij dhe origjinën gjysëm hyjnore.

TË TJERË PRINCA SHQIPTARË NË KOPER, ISTRIA DHE KAPODISTRIA
Por, Koperi dhe bregdeti i Istrias nuk ishte një gji i ngrohtë që priti vetëm familjen fisnike të Dukagjinëve! Cuditërisht, edhe përpara këtij emigrimi ai ka pritur valë të tjera emigratore shqiptare, të panjohura gjer më tani nga historiografia e jonë, të cilat kanë bërë emër dhe lënë gjurmë në këto anë.

Familja Albanese dhe Albani
Ndër to renditen familjet fisnike të kontëve Albaneze dhe Albani, të cilësuara në dokumentet latine të kohëve si familje të ardhura nga Arbëria në fillimet e shekulllit të XII. Pikërisht për shkak të njërit prej figurave të njohura fisnike të kësaj familjeje, Jeronymus Albaniensis dhe familjeve të shumta shqiptare që popullonin këto tre shekuj Koperin, ka marë emrin edhe njëra nga rrugët e qytetit emrin “Rruga e Shqiptarëve”. Në portën hyrëse të vilës që banonte kjo familje ruhet edhe stema (heraldika) e saj e cila ka figurën e një luani që mban një shpatë në dorë.

Familja Brati
Në qytetin e Koperit u vendos në fillimet e shekullit të XIII edhe familja fisnike e kontëve shqiptarë Brati. Në vitin 1329 gjenden të evidentuar në dokumnetet arkivore të kohës dy figura me shumë emër të kësaj familjeje Gregorio dhe Sardo Brati. Në vitin 1423 një pinjoll i shquar i kësaj familjeje, Gasper de Brati pranohet në Këshillin e Fisnikëve dhe në vitin 1431 Republika e Venedikut u konfirmoi pjestarëve të familjes Brati titullin e Kontit. Në vitin 1630 nga dera e Bratëve shfaqet një zonjë me emër të madhe, Kontesha Brati, e cila është vlerësuar një nga zonjat më të cmuara dhe më të arsimuara në Kopër e cila kishte në posedim Pallatin në lagjen e Shën Klarës. Në pemën gjenealogjike të kësaj familjeje renditen edhe një numër figurash të srhquara në fushën e politikës, diplomacisë, institucioneve fetare, kulturës, etj. Të fundmit emra të kësaj familje mbërijnë në Koper gjer aty nga mesi i shekullit të XIX.

Familja Bruni
Një tjetër famije shqiptare e vendosur në Koper që ka lënë gjurmë në jetën e këtij qyteti dhe më gjërë është edhe ajo fisnikëve Bruni, të ardhur nga qyteti i Tivarit në shekullin e XVI dhe që mbanin titullin e Kontit. Me të mbritur në këtë vend, kryetari I familjes Bruni u pranua në Këshillin e Fisnikëve të qytetit, duke ruajtur kështu titullin e trashëguar nga tokat arbërore. I vëllai i tij Giovani Bruni ishte Arqipeshkv në Ulqin në vitin 1581. Nga kjo familje kishte dalë edhe poeti i njohur Antonio Bruti.

Familja Karpacio
Për këtë familje me interes të madh për kulturën tonë, cuditërisht kemi ditur fare pak, vetëm faktin se piktori i madh i Rilindjes Italiane, Vitorio Karpacio ishte me origjinë nga Arbëria, se ai i kishte dhuruar “Scuola di Albanesi” disa tablo. Nga hulumtimet e fundit, të para disa viteve kishim konkluduar se në tablot e tij, në mënyrë të përsëritur, gjendej një personazh, që na shpinin në përfundimin se është Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Nga hulumtimet në arkivat dhe dokumentacionin historik në qytetin e Koperit rezulton se Familja Karpacio, në fundin e shekullit të XV ishtë shpërngulur nga Venecia ku ishte vendosur për vite me radhë pas emigrimit nga trojet e Arbërisë, mbas pushtimit Osman, dhe duket se vetë piktori i famshëm ka ardhur dhe është vendosur vetë në këtë qytet, aso kohe me prezencë të madhe shqiptarësh.

Në vetë Katedralen e këtij qyteti gjenden edhe sot tablo mahnitëse që zbukurojnë veprat murale të këtij objekti kulti. Nga këto dokumente mësohet gjithashtu se edhe vetë i biri i piktorit të famshëm, i cili quhej Benedetto ishte gjithashtu një piktor me emër dhe vepra të cmuara. Gjitmonë sipas dokumenteve të arkivit të këtij qyteti, pinjollët e fundit të kësaj familjeje janë shuar në vitin 1817 me vdekjen e Antonio Karpacios, një burr i kulturuar, antar i Arkadave Romake, i njohur me pseudonimin Carippo Megalense.

Por, në listën e familjeve fisnike në këto anë renditen edhe të tjera emra mes të tjerëve ajo e kontëve Borisi, pasardhës të mbesës së Gjergj Kastriotit, të vendosur ne Koper dhe martuar me farën Dukagjinëve, etj.

Duke e mbyllur këtë shkrim përmbledhës duhet të nderojmë një prej emigrantëve të sotëm shqiptarë, Heset Ahmeti, i cili mbështet me të gjitha mundësitë e tij hulumtimet, kërkimet dhe identifikimin e tërë gjurmëve që lanë shqiptarët në këto anë, kontributin dhe vlerat të cilat pasurojnë gjeografinë e historisë tonë ende të panjohur.

Nga Prof. Irakli Koçollari

Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2