Zgjimi i shqiptarëve të Sanxhakut dhe implikimet për çlirimin e tij nga represioni serb

Prof. Ismet Azizi, Gjilan

Dr. Vasa Çubrilloviçi në elaboratin e tij “Shpërngulja e shqiptarëve”, thotë: ‘problemi i shqiptarëve, është i kamotshëm. Kemi të bëjmë me një racë të gjallë, të fuqishme dhe pjellore’. Praninë e shqiptarëve ai e quajti “Pykë të rrezikshme”. Mprehtësinë e kësaj “pyke”, sipas tij, Serbia e kishte dobësuar qysh nga Kryengritja e Parë Serbe. Pikërisht këtu ai e ka fjalën për Sanxhakun, kur kryengritësit serb në krye me Karagjorgjen kishin bërë spastrimin etnik të tij. Gjoka Perina, titullar i lidhjes së Kooperativave Serbe në Sarajevë, poashtu e mbështeste këtë pikëpamje karshi shqiptarëve. Sipas tij, popullsia shqiptare në rajonin e Sanxhakut, paraqet rrezik të përhershëm. Prandaj, ai preferonte shpërnguljen ciklike brenda për brenda shtetit ku popullsia shqiptare, siç konsideron ai, “do të humbasë në detin e gjerë sllav”.

Në përcaktimin e vijave territoriale dhe shtetërore, në rast të ndryshimit, korrigjimit apo shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, ka gjasa të rritjes dhe fuqizimit maksimal të lëvizjeve për mëvetësi, por edhe ndarje të Sanxhakut nga Serbia.

Me ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe Serbisë, po ashtu, rriten gjasat për shndërrimin e menjëhershëm të Sanxhakut si çështje ndërkombëtare, apo ndërkombëtarizimin e çështjes së Sanxhakut. Pasi serbët nuk duan të jetojnë në një territor të qeverisur nga shumica shqiptare, shtrohet pyetja, pse boshnjakët do të jenë të detyruar të jetojnë në një shtet të qeverisur nga shumica serbe dhe malazeze?

Pasi serbët në veriun e Mitrovicës nuk duan të jenë nën autoritetin e Kosovës, duke u thirrur në vazhdimësinë territoriale me Serbinë amë, është e pritshme që sanxhaklinjtë ta përdorin të njëjtin argument. Boshnjakët, po ashtu, janë shumicë në territorin e tyre, vazhdimësi territoriale në veri-perëndim që përfshijnë territoret e komunave Priboj, Prijepole e Plevle, lidhen me territoret e komunave në Bosnjë dhe Hercegovinë, siç janë: Foça, Çajniqe, Vishegrad e Gorazhdë, me të cilat shumica e popullsisë e kanë gjuhën, fenë e përbashkët apo përkatësinë nacionale. Por, gjithashtu, komunat e Sanxhakut, duke u nisur në lindje nga komuna e Novi Pazarit, mandej në jug ajo e Tutinit, Rozhajës, Plavës e Gucisë të populluara me shumicë boshnjake e shqiptare ka vazhdimësi historike, territoriale, etnike dhe kulturore me vendbanimet e komunave të Mitrovicës, Istogut, Pejës, Deçanit dhe vendbanimet veriore të Shqipërisë, prej nga edhe e kanë prejardhjen popullsia e Sanxhakut, e asimiluar në masë të madhe në boshnjak. I njëjti kriter vlen edhe për vendbanimet e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë të Luginës së Preshevës të cilat në çdo pikëpamje janë pjesë të Kosovës.

Ismet Azizi
Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2