Letra/ Rrëzimi i Zogut!? Cili ishte princi që propozuan italianët për Shqipërinë
Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” nis publikimin çdo fundjavë të letrave
Kjo letër që Mustafa Kruja ia dërgon priftit pukjan është nga më të rëndësishmet sa i takon datës historike, mjaft të anatemuar për shqiptarët për zbarkimin e italianëve më 9 prill 1939. Kruja prej këtij fakti historik ka marrë dhe “nofkën” tradhtar, ku më poshtë ai jep me detaje çfarë ndodhi mes emigrantëve politikë shqiptarë dhe politikës zyrtare italiane për të instaluar në Shqipëri pavarësinë, jo vetëm brenda kufijve, por edhe duke përfshirë Kosovën. Ky është rasti për të lexuar historinë në një version krejtësisht personal, po jo pa fakte historike, se si rasti i Shqipërisë së varfër, pa mbështetje evropiane, të copëtuar, po mbikëqyrej në një aureolë gjeopolitike kur sovjetët komunistë dhe nazistët po përparonin me pushtimet e tyre sa drejt Lindjes aq dhe drejt Perëndimit.
Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.
I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.
***
Ramleh, 9 gusht 1952
I dashuni mik,
Vetëm sod po m’epet me e filluem përgjegjen e letrës s’ate me 6 korrik. Ksaj here po dashke me dijtun rolin qi un kam mujtun të luej “në shëndrrimin qi psoi Shqipnija në 1939”.
A priori po të përgjigjem nji herë kështu: “As Mustafa Merlika i Krujës e asnji refugjat tjetër i asaj kohe s’kanë luejtun fé roli n’atë shëndrrim”. E tash po të përshkruej faktet.
Dosarët e jetës s’eme afër 15-vjeçare n’atë mërgim, mjerisht më kanë mbetun krejt në Shqipní. Më vjen keq vetem n’i pastë kalbun kund lagshtina ase n’i paçin grimë mijt; jam i gzuem n’i paçin marrë komunistat, siç m’a han mêndja, sepse në paçin botue gjâ pa cliché fotografike askush me mêndsí historjani s’ka mundun e nuk mundet me va besuem e në mos i paçin botuem e në mos i botofshin, çdo dashamir i im e historjani vetë do të munden me besuem se s’kanë pasun ku të kapen për me më komprometuem.
Po vijmë te përgjegja e pyetjes s’ate. Për fat të keq, tue mos pasun në dorë dokumenta, s’do të mundem me qênë i përpikët në data e hollsina. Por këto s’kanë nji rândsí historike të vërtetë. Un me gjithë familje, prej verës 1937 deri në prendverën 1939, gati dý vjet, kam banuem në Gjenevë të Zvicrës. Në verën e 38-s, nji letër e Ernest Koliqit më ftonte në Romë, tue më vûmë përpara se qeverija italjane kishte bâmë nji evolucjon të madh në politikën e saj kundrejt Shqipnisë : ishte ftohun tepër me Mbretin Zog e donte me u sjellë kah populli e shefat nacjonalista të tij.
Vota në Romë, kujtoj se ka qênë mueji i qershorit, pra jo bash në verë, por ndoshta kah mbarim’i prendverës. Në nji restorant t’atij kryeqyteti hângrëm bukë bashkë nji mbramje, Ernest Koliqi, Giovanni Giro dhe un. Biseduem deri vonë. Thema: Zogu, me politikën e tij, e paskish zhgënjyem (deludere – disinganare) Duce-n. Ky e kishte kuptuem tashmâ se përkrahja e personës së Zogut ishte tue i a huejtun krejt popullin shqiptar. Prandej ai ishte tue u përpjekun, dmth. Mussolini, me bâmë nji politikë kontakti direkt me popullin, djelmninë e nacjonalistat e Shqipnisë, mbë nji anë, e me e bindun Zogun qi të bânte nji politikë në favor të popullit, nji politikë qi t’a ngrohte e t’a lidhte popullin me tê, se ndryshe Italija do t’ishte e shtrëngueme me e lânë në fatin e tij. “E atëherë” konkludonte Giro, ka me qênë punë për jue me shpëtuem prej tij”. Giro ishte asokohe i lidhun me legatën italjane të Tiranës si organizatuer i djelmnisë shqiptare. Âsht nji personazh mjaft interesant Giro. Un po e njihsha së pari nj’asi shtegu.
Njeri pa nji kulturë as mesatare, por kuvêntar sa s’ka. Un gati tanë kohën lashë atê me folë. I thom, mbasi ai e pat shprazun krejt thesin e vet: “Gzohemi, na nacjonalistat, qi, tek e mbramja, paskeni filluem edhe ju me pamë e besuem ça na jemi rryem tue ju thânë qe tash sa vjet. Por do të bisedojmë mâ gjatë, shpresoj, kur të ju mbushet mêndja krejt se na s’ju kemi rrêjtun.” Giro shtoi: “Edhe un shpresoj se nji ditë, jo fort vonë, kam për të mujtun me thânë njânën dyshë: ndo Zogu ka me na provuem me fakte se meriton të vazhdojë me mbretnuem, e në këtë rasë kemi me ju kshilluem qi t’i epni dorën shoshoqit e të punoni të tânë së bashkut për popullin t’uej, ndose kam me ju deklaruem: “qe Zogu, qe ju, bâni shka të doni me tê!” I u përgjegja: “Un, si nji shqiptar patrijot, uroj mâ tepër rasën e parë, në qoftë se do të shoh përnjimênd se Zogu ka ndërruem udhë ; por në rasën e dytë, kam me pasun edhe un fjalët e mija për të ju thânë.” Ai: “Mundesh me i thânë qyshë tash, makar si hypothesë.” Un: “S’ka me qênë aspak e drejtë me na thânë qe ju e qe ai e me lamë duert, ju qi për 13 vjet rresht e forcuet kundrështarin t’onë moralisht e materjalisht”. Ai: “Ke plot të drejtë ; por mos kij kujdes, se n’ardhtë ajo ditë, do të jemi gati me i lâmë mëkatet t’ona si të ju duket edhe juve mâ mirë.” U damë me tê tue e paralajmuem un se këtë bisedim kam me va rrëfyem edhe shokve tjerë qi u besoj, nëse ai s’do të kishte gjâ kundra. M’auktorizoi.
Mërgata politike shqiptare dahej qyshë në 1927 a ‘28 në katër grupe: 1) Grup’ i im, i quejtun italofil e i mbajtun për jetesë me ndihmat e rregullta muejore të Romës; 2) Grupi i quejtun Bashkimi Kombtar qi kishte për leaders Qazim Koculin, Ali Këlcyrën, Sejfi Vllamasin, Rexhep Mitrovicën e tjerë, të cilët banojshin në Paris e mbaheshin prej Jugoslavisë.; 3) Grupi komunist, me Fan Nolin, Kostandin Boshnjakun, Lazër Fundon e tjerë; 4) Grupi i quejtun Komitet’ i Kosovës, me Hasan Prishtinën – qi u vra mâ vonë në Selanik- , Bedri Pejanin e tjerë. Tý t’intereson sigurisht me dijtun posaçe se i pesti qi mbushte kshillin drejtues të grupit të dytë ka qênë Angjelin Suma, zyrtarisht përfaqësues i kishtarisë (klerit) katholike. Edhe Xhemal Beg Bushati, qi banonte e bânte tregtí në Sarajevë, ishte pjestar i atij grupi. Pra Shkodra ishte me tê.
Ishte, pra, nji gjâ fare e qartë se un veç t’isha i marrë me i çuem përpara tregtimet (negoziati, Unterhandlungen) me Italjanët vetëm në krye t’em e me grupin t’em. Prandej menjiherë qi u ktheva në Gjenevë, u mora vesht me Parisin, caktuem nji pjekje e i vûna edhe shokët e atjeshëm hollsisht në rrjedhë të bisedimeve të Romës. Edhe po marr vesht në këtë rasë, me habí të madhe t’emen, se ata po ishin tuj dijtun edhe mâ shumë se un! Kishin nji shoq në Brindisi, ish deputetin e, më duket, ish-ministrin e drejtsisë në qeverín e Fan Nolit, Stavro Vinjaun. Giro paska qênë pjekun edhe me këtê e paska pasë kuvêndun edhe mâ thellë se me mue. Paska pasë shkue biseda deri në proponimin e pranimin e nji princi savojan për mbret të Shqipnisë. E kurrkund me e ndie nevojën ata me më bâmë edhe mue pjestar n’atë punë. Post factum, Ali Këlcyra pretendon se i paska pasë thânë Ernest Koliqi se i a kish pasë mbushun mênden ay Romës me m’u çelë mue, sepse s’më paskan pasë besuem. Âsht nji fakt i vërtetuem e i dokumentuem qi un atje paskesha qênë i njohun si troppo nazionalista; por me i besuem deri nji Stavro Vinjau e jo mue, ngurroj me e shtye marrinë e italjanëve deri në këtë shkallë; prandej këtë fakt s’po e komentoj mâ gjatë e po due me besue mâ fort qi Giro, tue kaluem nëpër Brindisi e tue e pasun mbarë me folë okazjonalisht me tê, i âsht çelë Vinajut para meje. Sa për çashtjen e princit, besoj se do t’a ketë provokuem Vinjau vetë at’argument, ndërsa un qëndrova, n’atë kuvênd të parë me Giron, mjaft i reservuem.
Gjest’ i im kundrejt Bashkimit Kombtar, i dha këtij rasën me dhânë nji vëndim komod për interesat e veta dhe politikisht oportun; aty e mbrapa kontaktin me italjantë do t’a mbajshe un n’emën të të gjithve e në bazë të pikave kryesore të caktueme së bashku. Thashë komod për ta, se mbasi ishin të lidhun me Beligradin, drojshin se kontaktet direkte të tyne me Romën mund t’u merrshin vesht e t’i komprometojshin.
Pikat programore qi na caktuen për tregtimet t’ona me Romën qênë: 1. Italija do të na ndihmonte me pare e me mjete luftet kur na t’i thojshim se ishim gati për veprim, e, natyrisht, mbasi Roma të na kishte deklaruem se kish hjekun dorë prej Zogut. 2. Na pranojshim nji princ savojan për mbret të Shqipnisë. 3. Nuk do të pranojshim regjim fashist në Shqipní, por nji regjim mjaft “auktoritar” siç e lypte gjêndja e karakter’ i popullit shqiptar. 4. Mund të pranojshim nji bashkim doganuer me Italinë, tue qênë se krejt ekonomija shqiptare lidhej me atë shtet. 5. Asnji koncesjon Italisë në kundrështim me pamvarsinë t’onë kombtare.
Ka qênë, kujtoj, në vjeshtën e 38-s qi pat ardhun Maliq Bushati fill për nji pjekje me mue, mbasi me nji leter nga Beligradi patëm caktuem orokun në nji hotel të Milanit. Maliq Begu më tha: “Flas n’emën të Shkodrës, katholike e myslimane, dhe n’emën të Kapidan Gjonit. Jemi në marrveshtje me legatën italjane të Tiranës për nji kryengritje kundër Zogut. Populli âsht krejt gati. Por shokët më kanë çue te ti me të pyetun në se na kërcnohet ndonji rrezik për Shqipninë, prej anës së Italisë a Jugoslavisë, tue e bâmë këtë kryengritje.” I u përgjegja: “Jemi edhe un me shokët e mij të përjashtëm në kontakt me Romën për të njâjtin qëllim. S’kemi asnji frikë kah an’e Jugoslavisë, qi e dron Italinë si morten. Kjo vetë âsht mjaft e fortë për në dashtë me i bâ ndonji sherr Shqipnisë e s’ka nevojë për me na bâ vegël ne, tue i dijtun mirëfillit edhe qi s’i bâhemi. Italija shka mundet me shpresuem prej nesh mâ tepër se ka pasun e po ka prej Zogut? Pra, duhet me besue shka na thonë, dmth. qi mbasi kanë shtimë në dorë me Zogun gjithë ç’kanë dashun, politikisht dhe ekonomikisht, tash deshirojnë përnjimênd me i sigurue me nji qeverí popullore, dmth. të deshirueme edhe prej popullit. Kini kujdes, veç, e mos premtoni kurrgjâ mâ tepër se nji princ savojan për mbret të Shqipnisë, siç e kemi pranuem edhe na.” Kështu u damë me Maliq Bushatin. Kuptimtar fakti qi në këtë rasë, e vetmja personë përjashta, me të cilën krahina e Shkodrës kishte ndiem nevojën me u kshilluem, qeshë un e as Suma jo qi, si thashë, ka qênë përnjimênd përfaqsues i pohuem i t’Imzot Mjedes.
Në Romë Ernest Koliqi flitte me personalitete italjane edhe n’emën t’em. Un kisha besim të plotë në tê. Në mbarim të 38-s më pat lajmuem se kishte nevojë qi të vinte me më raportuem me gojë shumë gjâna. Damë orok për në Paris, tue e menduem un opurtunitetin qi t’ ishim të gjithë truc edhe me ata të Bashkimit Kombtar. Nga të gjitha lajmet qi na suell Koliqi, na u mbush mêndja se italjanët e kishin damë me hjekun dorë prej Zogut, qi donte me thânë me e rrëzuem e me zvêndsuem me nji princ italjan, siç ishim marrë vesht. Koliqi më paralajmoi n’atë rasë se un do t’ isha i grishun së shpejti për tregtimet përfundimtare, në Romë ose në Milan.
Dhe përnjimênd u thirra në Milan, Hötel Gallia Excelsior. Nuk dij a ka qênë në kallnduer apo kah fillim’i frorit, mâ fort mbrênda kallndorit. Dijsha orën kur Giro bashkë me Koliqin do t’arrijshin e dola e i prita në stacjon, se un kisha mbërrîmë para sish prej Gjeneve. Giro më rroku e më puthi, si Koliqi, me gjithë qi ishte vetëm e dyta herë qi shiheshim. Edhe…fascisticamente, i a nisi me më folë me tu. Fraza e parë qi i duel prej goje, qe: “Non ci piove più sopra” . Âsht e vetmja herë qi më ka ramë me e ndiem kët’italjanizëm, qi po na dashka me thânë si n’atë rasë qi e përdori ai, “la decisione è irrevocabile”. Ishte mbrâme, vojtëm në hotel, u ulëm të tre rreth nji tavoline të sallonit e Giro po më thotë:
“Përgëzime, Kruja ! Tash u takon juve me folë e me na thane kur do t’i nisni veprimet tueja dhe mjetet qi ju duhen ; na jemi të vendosun dhe gati t’u ndihmojmë”. Un i përgjigjem : “Falënderoj, edhe n’emën të shokëve dhe bashkëpuntorvet të mij qeverinë italiane, veçanërisht Duçen dhe ty qi e përfaqëson këtu para meje, si për vêndimin e marrun, si për ndihmën qi na premtohet. Përsa i përket veprimevet t’ona dhe mjeteve qi do të na duhen për atê punë, do të mundem me të njoftue vetëm mbas nji takimi me bashkëpuntorët e mij qi gjinden në Paris. Por nji gjâ duhet të jetë e qartë qysh tash : tue qênë se mes kombeve kurrë nuk jepet e nuk âsht zakon me u dhânë gjâ pa nji shpërblim të barazvlershëm, un e pyes Qeverinë italiane, nëpërmjet teje, nëse Italia do të jetë krejt e kënaqun me nji princ nga shtëpia Savoja mbi fronin e Shqipnisë, apo ka ndërmênd me pretendue edhe diçka tjetër. Do t’isha shumë i kënaqun sikur ti vetë të më jepnje nji përgjigje tashti, qi un të mundem me i kallzue shokëve të mij në Paris.” Giro : “Pa tjetër, mund t’i shpjegoj të gjitha tani. Pikë së pari në Romë âsht gjetun nji zgjidhje shumë mâ e arsyeshme dhe e përshtatëshme n’interesin e të dy palëve : do të ketë nji bashkim personal nën kunorën e Viktor Emanuelit III dhe të pasardhësvet të tij ; për mâ tepër, ndërmjet dy shteteve do të ketë nji shkrimje ushtarake, diplomatike dhe financiare”! Këtu Giro u ndal. Un : “Diçka tjetër ?” Giro : “Jo, s’ka tjetër ; Roma âsht e bindun se, me kushtet e parashtrueme, Shqipnia do të bâhet nji Vênd i lumtun dhe do të ketë përkrahjen e plotë t’Italisë për të gjitha aspiratat e saj legjitime si popull e si komb” Un : “ Atëherë, i dashun Giro, me këta kushte, përsa më përket mue dhe miqve të mij, Mbreti Zog mund të mbretnojë edhe njiqind vjet mbi fronin e Shqipnisë !” Giro i siellet atbotë Koliqit e e pyet : “Po ti Ernest çfarë thue ?” Koliqi : “Edhe un jam dakord me Kryetarin tem.” Giro : “E po, Kruja, ke qênë tepër i ashpër e i premë në shprehjet e tua. Mendohu dhe njiherë sonde e nesër në mëngjez bisedojmë prap” Un : “Un, i dashun Giro, thashë çfarë mendoj personalisht, tue ditun se interpretoj pikërisht ndjenjat e gjithë nacionalistëve shqiptarë. Edhe sikur të mendohem gjithë jetën, nuk besoj se do t’i ndërronja as nji rrokje, as nji theks pohimit tim. Ndryshe do të jetë nëse, bie fjala, ti nesër do të më thonje se i ke tejkalue krejtësisht porositë e kryetarëve tuej. Por të ndigjova tue i thânë Ernestit se të njâjtat gjâna i keni thânë atij së bashku me Jakomonin. Natyrisht nuk mund të ishit gabue të dy në të njâjtën mënyrë”
Kurrë në jetën t’eme s’më ka ndodhun ndonji herë, me sa mbaj mênd, mos me mbyllë sŷ asnji ças, si atë natë. U çova heret nga shtrati, u lava mir’ e mirë, u vesha dhe vëndosa me shkruem. S’gjeta kartë n’odë e zdrypa poshtë në sallën e shkrimit. Mora do leter e hypa prap nalt, se shërbtorët po dlirshin. Vûna të zezë mbi të bardhë bisedimin e mbrâmjes me Giron dhe kur u përpoqëm të tre në sallon, nxora prej xhepit ç’kisha shkruem e firmuem e i a dhashë Giros.
I thashë: “Mendova me t’a lehtësue detyrën tande si ambasador karshi eprorëve tuej, tue e shkruejtë bisedën tonë e tue e firmosë : ja ku âsht!”
E drejta : qëllim’i im ishte tjetër : drojshe se mos të më ndërronte Giro fjalët në Romë. Muer e e lexoi.
Tha: ““ Nuk më ka ndodhun kurrë me këndue nji akt diplomatik si ky, plot me mohime të ngurta, pa asnji pohim a së paku një përpjekje për t’a zbutun disi shprehjen”. Dhe ia shtrîni letrën Koliqit: “Shihe ti Ernest, nëse mundesh t’a ndryshosh pak formën e pëlqimit të Krujës, tue e lânë thelbin siç e ka dashun ai”
Un s’kundrështova. Por kur e prûni Ernesti e m‘a dha me e kënduem atê qi kishte hartuem, s’më pëlqeu e nisa me i bâmë objekcione. Giro hoq dorë atbotë nga ndryshim’i formës qi pat deshiruem dhe muer e shtiu në çantë fletën qi pata shkrue vetë.
Kështu, atë, bâni miku i yt, ndonse kishte 12 vjet qi rronte me bukë t’Italisë me gjithë familje në mërgim e, tue bâmë ashtu, ishte në short me mbetun në rrugë të madhe pa i a ngjitun dorën kurrkush. E pata damë mênden me kthye në Shqipní. Isha i sigurtë se Zogu do t’më kishte falë.