Ndërtimi i liqenit të Ujmanit ka filluar në vitin 1972 në afërsi të fshatit Ujman,nga edhe e ka marrë emrin dhe ka përfunduar në vitin 1977. Hidrocentrali është bërë në vitin 1986, vit në të cilin është kompletuar edhe ndërtimi i pjesës veriore të hidrosistemit.
I gjithë ky projekt është realizuar pas miratimit të Ligjit për Ratifikimin e Kontratës mbi Projektin në mes të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) së atëhershme dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, Nr. 777-YU (Ndërtimi i hidrosistemit ‘Ibër” për disa qëllime). Ligji është publikuar në Fletorën Zyrtare të KSAK Nr. 12 datë 26 Prill 1972. Siç mund të lexohet në Fletoren Zyrtare, Kryetar i Kuvendit të KSAK-së, në atë kohë ka qenë Ilaz Kurteshi.
Foto: Ballina e Fletorës Zyrtare të KSAK Nr. 12 datë 26 Prill 1972, ku është botuar Ligji Nr. 777-YU.
Liqeni i Ujmanit është pjesë e Hidrosistemit “Ibër-Lepenc”, i cili përbën një sistem kompleks të pendave, hidrocentraleve dhe kanaleve të ujitjes. Ky hidrosistem përbëhet nga dy njësi: pjesa veriore e cila bazohet në rrjedhat dhe potencialin e lumit Ibër dhe pjesa jugore e cila bazohet në resurset e lumit Lepenc. Pjesa veriore e hidrosistemit ka përfshirë ndërtimin e pendës dhe hidrocentralit “Ujmani”, ndërtimin e pendës së vogël “Pridvorica”, sistemit të stacioneve të pompimit dhe kanaleve nëntokësore dhe mbitokësore të ujitjes.
Financimi i ndërtimit të projektit është bërë nga kredia e marr nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim ( 45 milionë dollarë) dhe një pjesë është siguruar nga buxheti i Kosovës. Projektin e Liqenit e ka hartuar ndërrmarrja ”Energoprojekti” e Beogradit, kurse në ndërtimin e tij kanë marrë pjesë ndërmarrjet: Hidrogradnja, Hidrotehnika, KNI ”Ramiz Sadiku”, Rudis nga Sllovenia dhe shumë nënkontraktorë të tjerë.
Në kohën e ndërtimit të projektit Komuna e Zubin Potokut nuk ka ekzistuar. Procedurat e eksporpruimit (shpronësimit), vlerësimit dhe kompenzimit të pronarëve i ka bërë Komuna e Mitrovicës, me ekspertë shqiptarë e serbë. Edhe pse pronarët kishin marrë kompensimin për tokat e marra nga realizimi i projektit, pas vitit 1981 politika e Beogradit e sulmonte Prishtinën se ndërtimi i projektit ka qenë në shërbim të shpërnguljes së serbëve nga Kosova.
Është folur shumë për rëndësinë strategjike, ekonomike e sociale të Liqenit të Ujmanit ose sikur njihet ndryshe Liqeni i Gazivodës. Në vijim po ofrojmë disa fakte dhe shifra që e argumentojnë rëndësinë multi- dimensionale që ka ky liqen akumulues për Kosovën.
- Pjesa më e madhe e Liqenit të Ujmanit (rreth 75%) shtrihet në territorin e Republikës së Kosovës përkatësisht në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, ndërsa rreth 25% e sipërfaqes së liqenit shtrihet në Serbi, në komunat Tutinit dhe Novi Pazarit.
- Penda e Ujmanit është një prej pendëve më të mëdha në Evropë, me një gjatësi prej 460 metra dhe lartësi 107 metra.
- Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë me sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë dhe rreth 370 milionë m3 ujë.
- Gjatësia e liqenit është 16.5 km, gjerësia 1.10 km ndërsa thellësia maksimale 105 m.
- Në pjesën e pendës së liqenit është instaluar edhe hidrocentrali me dy turbina që prodhon 35 MegaWatt energji elektrike për orë.
- Kanali apo hidrosistemi Ibër-Lepenc që furnizohet me ujë nga Liqeni i Ujmanit është 49 kilometra i gjatë dhe ka kapacitet për ujitjen e rreth 12 mijë hektarëve të tokës bujqësore në disa rajone të Kosovës.
- Ky hidrosistem menaxhohet nga Ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci” me seli në Prishtinë, e cila është themeluar në vitin 1967.
- Në fillim të viti 2008 kjo ndërmarrje është shëndërruar në ndërmarrje të ekonomisë së ujërave “Ibër-Lepenci”, shoqëri aksionare 100 përqind nën pronësinë e Qeverisë së Kosovës.
- Aktualisht ndërmarrja “Ibër-Lepenci” ka rreth 200 të punësuar.
- Uji nga ky liqen përdoret edhe për ftohje gjatë procesit të prodhimit të energjisë elektrike në Termocentralet Kosova A dhe Kosova B, për nevoja industriale të fabrikës së Feronikelit në Gllogovc dhe për nevojat industriale të kompleksit Trepça.
- Përmes këtij liqeni sigurohet furnizimi me ujë edhe për disa komuna të vendit si: Mitrovicë, Vushtrri, Gllogovc, Skënderaj, Obiliq dhe Fushë Kosovë.
- Liqeni dhe zona përreth tij përdoren edhe për peshkim, rekreacion, sport dhe turizëm.
- Në rastet e thatësisë ekstreme, uji nga Ujmani përdoret për mbushje të dy liqeneve tjera akumulues (Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit) uji i të cilëve përdoret për pije për banorët e komunave të Regjionit të Prishtinës.
- Liqeni i Ujmanit gëzon edhe statusin e zonës së mbrojtur ujore me rëndësi të veçantë të shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovës me propozimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Harta e Sistemit të Ujitjes Ibër-Lepenc