Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë është shtëpi e pyjeve të hershme të ahut dhe kafshëve të rralla, përfshirë shqiponjat e arta dhe rrëqebullin e rrezikuar. Foto nga EuroNatur - Gabriel Schwaderer
Shoferi futi kamionin prodhim sovjetik me marsh të parë kur hyri në rrugën malore. Duke ecur mbi një shkëmb të madh, kamioni u anua rrezikshëm pranë humnerës. Poshtë, një det me re shtrihej në horizont.
“Dashtë Allahu, o do t’ia dalim ose do të vdesim” tha shoferi.
Fatalizmi i tij nuk solli shumë qetësi.
Kamioni u fik, u tund dhe më pas u rikthye në punë. Duke shkelur butë gazin, ai ia doli të kapërcejë shkëmbin për të hyrë në një shteg balte.
Kjo ishte vetëm një nga ditët e zakonshme të tregut të zi të drurit në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë në Shqipërinë lindore.
Pavarësisht ndalimit strikt të prerjes së pyjeve dhe regjistrimit të një pjese të Shebenik-Jabllanicës si vend i trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO, rrjetet kriminale po shkatërrojnë pyjet natyrore për të furnizuar me dru zjarri tregun e vendit, zbuloi një investigim nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative.
Më shumë se 1 mijë metra mbi nivelin e detit, pyjet e virgjëra të ahut në parkun më të madh kombëtar të Shqipërisë rriten të larta dhe të gjera, duke i bërë ato plaçkë të rëndësishme në një vend që ka humbur shumicën e pyjeve të veta përgjatë pesëdhjetë viteve të fundit.
Nga ryshfeti te lejet e falsifikuara apo te flotat e kamionëve të pajisur me mjete gjurmimi satelitore, investigimi i BIRN zbulon përmasat në të cilat druvarët ilegalë shfrytëzojnë zonat e mbrojtura.
Ai thekson gjithashtu kulturën e pandëshkueshmërisë në një vend kandidat për anëtarësim në BE që po vuan të vendosë sundim ligji në fushën e mbrojtjes së natyrës.
Në lojë është shëndeti i një ekosistemi që shërben si mushkëri e Shqipërisë. Pyjet e larta ndihmojnë për të stabilizuar klimën e zonës, duke rregulluar rreshtjet dhe duke ndihmuar qarkullimin e ajrit, thonë mjedisorët.
I gjendur në kufi me Maqedoninë, parku është gjithashtu një nga zonat e fundit të mëdha të egra në Europën juglindore, ku tufa ujqish të hirtë konkurrojnë me sharrat elektrike.
Bashkë me pyjet e virgjëra të ahut, sharra rrezikon bimë dhe kafshë të rralla, përfshirë zambakun shqiptar, ariun e murrmë, shqiponjat e arta dhe rrëqebullin në rrezik zhdukje të njohur ndryshe si ‘’tigri i Ballkanit’’.
“Parku Shebenik-Jabllanicë është një nga parqet më të bukura në Ballkan por në anën juglindore të tij është dëmtuar shumë,” thotë Ahmet Mehmeti, udhëheqës i një grupi mjedisorësh të quajtur Klubi Ekologjik i Elbasanit dhe një konsulent në prokurorinë e shtetit për krimet kundër mjedisit.
“Ata përgjegjës për tregtinë e paligjshme të drurit të zjarrit po thyejnë ligjin dhe po përdorin parkun për të bërë miliona për vete”.
‘Masakra mjedisore’
Më 2016, Shqipëria vendosi një moratorium 10 vjeçar në shfrytëzimin e të gjitha pyjeve të veta dhe ndaloi eksportin e drurit. Ndalimi erdhi pas dekadash shfrytëzimi të egër që zhveshi shpatet dikur të gjelbra të vendit dhe shkaktoi erozion.
Autoritetet mund të vijojnë të lëshojnë leje për prerje pemësh në zona specifike për të plotësuar nevojat për dru zjarri për popullsinë vendase – por parqet kombëtare janë rreptësisht të ndaluara.
Sipas kodit penal shqiptar, shkelësit mund të dënohen me deri tetë vjet burg për dëmtimin e zonave të mbrojtura.
Të dhënat më të fundit nga Global Forest Watch, një shërbim me bazë në SHBA që monitoron pyjet në të gjithë botën, tregojnë se pyjet mbulonin 17% të Shqipërisë më 2010.
Mes viteve 2001 dhe 2017, humbja e mbulesës me pyje në vend ka sjellë çlirimin e pothuajse tre megatonëve dioksid karboni, thotë Global Forest Watch.
Një pjesë e madhe e pyjeve të mbetura në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, përbën 30 për qind të biodiversitetit në Shqipëri, sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Parku me sipërfaqe 340 kilometra është pjesë e Brezit të Gjelbërt të Europës, një rrjet zonash ekologjike me rëndësi për Komunitetin Europian. Pyjet e lashta të ahut përreth fshatit të thellë të Rrajcës në cepin jug-lindor të parkut morën mbrojtje nga UNESCO më 2017.
Pelumb Gjini, ish-kryekomunar në fshatin Steblevë në veri të Shebenik-Jabllanicës, ndihmoi në organizimin e pleqësisë për krijimin e parkut kombëtar më 2008 pasi druvarët shkaktuan dëme “të stërmëdha” për shumë vite me radhë.
“Por ironikisht situata nuk u përmirësua dhe masakra mjedisore vijon,” i tha ai BIRN. “Biznesi prej miliona dollarësh e bën të lehtë injorimin e asaj që po ndodh duke e lënë zonën pa një plan menaxhimi.”
Rreth 80 për qind e banorëve të zonës mbështeten te drutë e zjarrit për ngrohje gjatë muajve të gjatë të dimrit, shtoi Gjini.
‘Biznesi prej miliona dollarësh e bën të lehtë injorimin e asaj që po ndodh’
Ministria e Mjedisit nuk iu përgjigj kërkesës për intervistë apo pyetjeve me shkrim mbi prerjen e paligjshme të pyjeve.
Por Enver Shkurti, drejtor i Inspektoratit të Mjedisit për Qarkun Elbasani, institucioni përgjegjës për zbatimin e ligjit në park, mohoi se këtu kishte një problem gjatë një interviste në një kafene në Librazhd, qyteti më i afërt me parkun.
“Nuk është e vërtetë se ka prerje të paligjshme të pyjeve në park,” tha Shkurti, i cili ka qenë zëvendëskryetar bashkie në Librazhd nga viti 2015 deri në fillim të vitit 2018. “Institucioni jonë nuk ka informacion mbi asnjë prerje të paligjshme në park, megjithëse mund të ketë raste të izoluara.”
Investigimi i BIRN zbuloi një pamje tjetër.
Në një udhëtim njëditor të fshehtë me prerësit në zonën e mbrojtur nga UNESCO pranë Rrajcës, BIRN pa parcela pyjesh të virgjëra ahu që po pastroheshin. Në shpatet e larta mbi retë gjendeshin pirgje me drurë të sapoprerë në pritje për t’u ngarkuar. Zhurma e sharrave dëgjohej kudo.
Ajo që pa BIRN nga bota e tregut të zi të drurëve të zjarrit filloi në mëngjes vere në një kafene pranë rrugës në fshatin Hotolisht, pak kilometra jashtë anës jugperëndimore të Shebenik-Jabllanicës.
Pesë shoferë që punonin për “bosët” e druvarëve po pinin duhan dhe kafe. Theksi i tyre tregonte se vinin nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë. Targat e kamionëve të parkuar aty pranë tregonin për mjete të regjistruara në rrethe të largëta: Durrës, Fier, Korçë dhe Berat.
Secili shofer punonte për një “kompani” të ndryshme. Detyra e tyre ishte që të lidheshin me skuadrat e druvarëve në malet e Shebenik-Jabllanicës dhe të ngarkonin lëndën drusore.
Kullolli tha se zyra e tij kishte dërguar së fundmi katër raste në polici dhe prokurori por asnjëra prej tyre nuk kishte rezultuar në dënime. Krahas vonesave burokratike, investigimet u penguan nga vështirësia për të provuar se nga vinte druri i prerë pasi ai ishte tharë, shtoi ai.
Kërkesat për Prokurorinë e Elbasanit për të dhëna të kohëve të fundit për dënime mbetën pa përgjigje si pasojë e ndryshimeve në prokurorinë rajonale të shkaktuara nga reforma në drejtësi, e cila ka lënë pjesë të mëdha të sistemit të drejtësisë në Shqipëri pezull.
Por një investigim i BIRN i vitit 2017 (teksti është në Shqip) tregoi se nga 26 rastet e prerjes së paligjshme që i janë referuar prokurorëve përgjatë dy viteve të fundit, 23 prej tyre përfunduan me ngritje akuzash por vetëm një person u dënua – një burrë nga Rrajca, i cili mori një gjobë prej 650 eurosh për prerje pemësh pa leje.
Lotët e pemëve’
Mjedisorët thonë se trungjet nga parku përfundojnë në tregjet e druve të zjarrit në të gjithë vendin, ku kanë çmim më të lartë për shkak të trashësisë, për shkak se janë të tharë dhe për shkak se vlerësohet se digjen më gjatë në sobë.
Përgjatë pak orëve, BIRN pa kamionë të rëndë që ecnin në një copë rrugë mes qyteteve të Librazhdit dhe Prrenjasit në qarkun Elbasan, të gjitha të mbingarkuara me trungje gati për t’u nxjerrë në treg.
Tregtarët e druve të zjarrit në qytetet juglindore të Pogradecit dhe Korçës dhe në zonën përreth Librazhdit refuzuan të thonë se cili ishte burimi i druve të tyre, por menaxheri i një tregu në Elbasan që kërkoi të mbetej anonim, tha se druri më i mirë vinte nga Shebenik-Jabllanica.
Ai tha se furnizuesit përdornin dokumente false për të treguar se druri ishte prerë në Dardhë, një zonë jashtë parkut ku autoritetet mund të lëshojnë leje për plotësimin e nevojave të zonës për dru zjarri. Gjatë verës, druri që me të vërtetë vjen nga Dardha shitet për rreth 24 euro (3 mijë lekë) për metër kub ndërsa druri më i mirë nga Shebenik-Jabllanicë shitet për 32-35 euro (4,000-4,500 lekë), tha ai. Në dimër, druri nga parku shitet për 55 euro (7,000 lek).
Pyetur mbi aludimet se druri nga parku shitet sikur vjen nga zona të tjera ku prerja lejohet, Shkurti nga Inspektorati i Mjedisit në Elbasan tha: “Kjo nuk është e vërtetë. Këto janë probleme të së shkuarës.”
Por ai tha se ka pak konfuzion mbi ligjshmërinë e prerjeve jashtë parkut për shkak të koncesioneve të dhëna para moratoriumit të vitit 2016.
“Disa koncesione u dhanë në vitin 2003 dhe vijojnë deri më 2022,” tha ai. “Kjo na jep ne imazh të keq. Por këto lloj koncesionesh nuk janë përgjegjësia jonë.”
Mehmeti, kreu i Klubit Ekologjik të Elbasanit, tha: “Koncesionet kanë abuzuar duke prerë më shumë pemë nga sa janë lejuar, duke prerë në zona pa leje dhe duke ndryshuar letrat për të fshehur origjinën.”
Kastriot Gurra, kryebashkiak i Librazhdit, u pyet së fundmi mbi hapësirat në interpretimin e moratoriumit në një intervistë televizive (në shqip).
“Ne nuk kemi aftësinë për të pezulluar apo anuluar kontratat për shkak se ato u nënshkruan nga Ministria e Mjedisit në vitin 2012,” tha ai.
‘Këto pemë janë rritur me mua… duket sikur [druvarët] më kanë prerë mua’
– Banor i zonës së prerjeve ilegale në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë
Braho nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës e hodhi poshtë idenë se koncesionet e vjetra mund të shkaktojnë konfuzion ligjor ose të pengojnë zbatimin e ligjit.
“Edhe nëse ka një kontratë [para moratoriumit] qeveria mund të gjejë zgjidhje,” i tha ai BIRN.
Fermerët vendës përreth fshatrave të Steblevës dhe Dragostunjës – në anë të ndryshme të parkut – thotë se shpyllëzimi po shkatërron tokat e tyre duke shkaktuar erozion. Fshatarët që mbajnë lopë, dele apo dhi në malet shkëmbore thonë se po humbasin kullotat.
Ndërkohë, njerëzit përreth Rrajcës ankohen se po humbet pylli i virgjër i ahut për të cilin thonë se kanë lidhje shpirtërore.
“Këto pemë u rritën bashkë me mua,” tha një tregtar 35 vjeçar që kërkoi të mbetet anonim nga frika e hakmarrjes nga prerësit e pyjeve. “Unë gdhenda emrin tim në një nga këto pemë dhe shkoja për piknik atje me familjen. Sot, kur u ktheva pas gjeta se pema nuk ishte më. Ata e kishin prerë. Ishte sikur të më kishin prerë mua.”
Në një lëndinë pranë fshatit Rrajca-Skënderbej ku druvarët ishin të zënë duke prerë pemët, një grua në të shtatëdhjetat po ecte me një gomar për të sjellë drekën për djalin e saj, një prej druvarëve.
“A e sheh këtë pikën që rrjedh nga trungu?” tha ajo duke bërë me shenjë nga një ah i madh. “Ne e quajmë atë loti i pemës, për shkak se pemët qajnë kur priten.”
Shënim: Një version i mëhershëm i këtij artikulli shkroi në mënyrë të pasaktë se pyjet e virgjëra të ahut në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë rriten në lartësi prej më shumë se 2 mijë metra mbi nivelin e detit. Lartësia e saktë është më shumë se 1 mijë metra. Ky version saktëson gjithashtu se parku përbën 30 për qind të biodiversitetit të Shqipërisë, sipas Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura. Një version më i hershëm citoi një vlerësim prej 70 për qind nga Klubi Ekologjik Shqiptar.