100 vjet më parë, Shqipëria anëtarësohej në Lidhjen e Kombeve


Krijimi i Lidhjes së Kombeve ngjalli shpresa të mëdha për më shumë drejtësi në marrëdhëniet ndërkombëtare, kryesisht për shtetet e vogla të krijuara në prag apo pas Luftës së Parë Botërore e një prej tyre ishte dhe Shqipëria.

Lidhja e Kombeve do të sillte një element të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, atë të diplomacisë publike, debatit të hapur dhe sigurisë kolektive.

Më 17 dhjetor 1920, një qind vjet më parë anëtare e saj u bë edhe Shqipëria pas shumë përpjekjesh, sidomos të mërgatës shqiptare.

Sipas arkivave të MEPJ-së, qeveria shqiptare e konsideroi antarësimin në këtë organizatë si garanci për një trajtim më të drejtë të statusit dhe kufijve të Shqipërisë në tryezat vendimarrëse të Fuqive të Mëdha. Ajo shfrytëzoi faktin që me 15 nëntor 1920 do të hapej sesioni i parë i Asamblesë së Lidhjes së Kombeve në Gjenevë të Zvicrës. Me 12 tetor, kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes Pandeli Evangjeli i drejtoi një leter Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve Eric Drummond në të cilën në emër të popullit shqiptar kërkoi që Shqipëria të pranohej anëtare në Lidhjen e Kombeve e të merrte pjesë në Asamblenë e madhe që do të hapej me 15 nëntor.

Qeveria e Sulejman Delvinës e dekretoi imzot Fan S.Nolin kryetar të delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve. Ai loboi fort dhe shfrytëzoi të gjitha kontaktet e tij personale për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve bashkë me Mid-hat Frashërin, Hil Mosin, e Benedikt Blinishti, proces që u finalizua në 17 dhjetor 1920 me pranimin e Shqipërisë si anëtare e rregullt e Lidhjes së Kombeve. Ky moment e bën Nolin themelues të diplomacisë shumëpalëshe të shtetit shqiptar.

Ai ishte përfaqësuesi i parë shqiptar në Lidhjen e Kombeve gjatë vitit 1921. Ai shpresonte shumë tek Lidhja e Kombeve, si një tryezë ku mund të dëgjoheshin edhe përfaqësuesit e shteteve të vogla, përballë tryezave të mbyllura të diskutimeve të Fuqive të Mëdha të kohës, që përcaktonin fatet e shteteve të vogla. Fan Noli argumentoi dhe bindi qeverinë e Tiranës, e më pas nënshkroi pa asnjë hezitim Deklaratën për mbrojtje e minoriteteve në v.1921.

Ky ishte një hap jo i lehtë për fillimin e viteve ’20-të të shek.XX në një rajon si Ballkani që trashëgonte probleme të mëdha me trajtimin e pakicave kombëtare, pasojë e kompromiseve të mëdha në këtë rajon. Ai shpresonte se Lidhja e Kombeve do e trajtonte më drejtë çështjen shqiptare, nëpërmjet një diplomacie të hapur dhe u përpoq shumë për këtë.

“Më në fund, sikur dhe konferenca e ambasadorëve t’apë nji vendim kundra interesit t’onë , ne na rrin shtegu i hapët për me u përpjek ; por duhet me dijtë se nji vendim i dhanun prej Konferences s’ambasadorvet, pa dyshim qi ka m’e influencuem Lidhjen e Kombevet. Nga ky shkak marrëveshja me Italinë çfaqet e domosdoshme. Në qoftë se Shqipnija e 1913 pështon, pa pasë nevojën e nji marrëveshje italiane, këjo ka me qenë nji mrekulli, në vend qi politikën e nji shteti nuk themelohet kurrë mbi çudina”, do të shkruante Fan Noli në raportin e gjatë dërguar qeverisë mbi punimet në Gjenevë, që mban datën 14 korrik 1921.

Periudha 12 tetor 1920 deri me 17 dhjetor 1920, kur Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve, ishte e mbushur me një punë intensive diplomatike të qeverisë shqiptare dhe delegacioneve të saj në Paris e Gjenevë, dhe e mbështetur nga miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku spikat deputeti britanik Aubrey Herbert, etj.

Anëtarësia në organizatën e Lidhjes se Kombeve shënon edhe fillesat e diplomacisë shumëpalëshe për shtetin shqiptar. Delegacioni shqiptar mbajti gjithmonë një qëndrim aktiv dhe progresist në këtë organizatë, e kryesisht në fushën e mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve kudo ku ato ndodheshin.





Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2