Policia e Kavajës ka vënë në pranga dy persona, të dyshuar si autorët e vrasjes së 25-vjeçarit Shkëlzen Kalo, një ditë më parë në Hajdaraj të Kavajës. Burime nga policia bëjnë të ditur se në pranga kanë rënë shtetasit Elton Hoxha dhe Betim Buçi. Sipas hetimeve të para, shkak i vrasjes dyshohet të ketë qenë lidhja që viktima kishte patur më parë me motrën e njërit prej të dyshuarve, Betim Buçi.
25-vjeçari Shkëlzen Kalo u gjet i vrarë me armë zjarri në ndërtesën ku ai ishte punësuar si roje në fshatin Hajdaraj, të komunës Synej. Mësohet se i riu është qëlluar teksa ishte në gjumë.
Familjarët e viktimës hodhën menjëherë dyshime për familjarët e ish-të dashurës së 25-vjeçarit. "Ne nuk e dimë kush na e vrau vëllain. Ai ka dashur një vajzë këtu në fshat dhe këtë e dinë të gjithë. Shkëlzeni është konfrontuar fizikisht me familjarët e saj. Ata nuk donin kurrsesi që vajza të fejohej me vëllain tonë, edhe pse ata duheshin me njëri-tjetrin. Policia e Prokuroria të gjejnë autorët e t'i vënë para drejtësisë, pasi vëllai ishte i ri dhe i pafajshëm të vritej në mënyrë mizore", - tha vëllai i viktimës, Qazim Kala.
VRASJA
Mbrëmjen e së shtunës, Shkëlzen Kala ka shkuar në godinën dykatëshe (lokal e banesë në ndërtim e sipër) ku punonte si roje. E ndërsa ka shkuar në punë, 25-vjeçari nuk ka komunikuar më me familjarët e tij. Të nesërmen (të dielën), rreth orës 18:00, ai është gjetur i pajetë nga banorë të lagjes, të cilët menjëherë kanë njoftuar Policinë. Burime pranë grupit hetimor pohuan se viktima është gjetur i vrarë me dy plumba pistolete në shpatull, në katin e dytë të ndërtesës (në krevat). Pas kryerjes së hetimeve paraprake, ekspertët deklaruan se Kala mund të jetë vrarë në orët e para të mëngjesit të së dielës. Hetuesit e çështjes kanë marrë në pyetje të afërm të një vajze, e cila ka qenë për disa muaj e dashura e 25-vjeçarit.
Familjarët e vajzës kanë qenë kundër lidhjes me Shkëlzen Kalën. Madje në atë kohë ata e kanë denoncuar Kalën për rrëmbim personi. Më pas, Policia e ka akuzuar Kalën për tentativë vjedhjeje. Për këtë akuzë, ai u dënua me 6 muaj burgim, të cilin e kreu në burgun e Rrogozhinës. Midis viktimës dhe prindërve të vajzës ka pasur edhe konfrontim fizik, ndonëse më pas dy të rinjtë u ndanë dhe e dashura e tij u fejua me një djalë tjetër. Sipas hetuesve, pas kësaj ndarjeje, 25-vjeçari kishte krijuar raporte me disa vajza në fshat dhe se lidhjet e tij kanë qenë të paqëndrueshme.