Zgjedhjet taktike të trajnerit toskan duket se i shkojnë më së miri për shtat ekipit duke patur parasysh kontigjentin e lojtarëve që ka në dispozicion 47-vjecari nga Livorno.
Ndeshja me Olimpiakosin ishte padyshim më e rëndësishmja për skuadrën e Juventusit deri në këtë pikë të sezonit, megjithatë falë kësaj përballjeje “zonja e vjetër” mund të ndryshojë ndjeshëm në aspektin taktik. Ishte një takim absolutisht për t’u fituar dhe përvec suksesit të mesjavës entuziazmi në ambjentin bardhezi është shtuar së tepërmi, sidomos pas modulit ofensiv të përdorur në këtë sfidë nga trajneri Massimiliano Allegri. Zgjedhjet taktike të trajnerit toskan duket se i shkojnë më së miri për shtat ekipit duke patur parasysh kontigjentin e lojtarëve që ka në dispozicion 47-vjecari nga Livorno, sidoqoftë një hap i rëndësishëm është hedhur edhe në fazën mbrojtëse, ku rreshtimi me katër duket se është përfundimtar. Një tjetër gjetje e Allegrit është gjithashtu edhe pozicioni i futbollistit që do të luajë pas dyshes sulmuese, në skemën 4-3-1-2 që mund të jetë binomi spanjoll Llorente – Morata dhe lojtari që duhet të mbulojë këtë rol mund të ndryshojë në varësi të situatës. Mbrëmjen e të martës u përzgjodh Vidal për të ushtruar presion ndaj qendërmbrojtësve të ekipit grek, në momentin që këta kishin zotërimin e topit, megjithatë Allegri është duke marrë në konsideratë edhe dy alternativa të tjera në sulm, me Tevez që ndihet gjithmonë e më mirë jashtë zonës por gjithashtu edhe me Coman, që pavarësisht minutave të pakta që ka grumbulluar gjatë këtij sezoni mbetet një futbollist tepër i vlerësuar nga trajneri toskan.
Natyrisht Juventusi i të martës nuk lindi nga asgjë, por është frut i fantazisë së Allegrit dhe është logjike që si në cdo test të parë të kertë edhe të meta. Jo gjithcka shkoi në perfeksion, sidoqoftë janë dy elementet që e bëjnë 47-vjecarin të insistojë në një modul të tillë: rendimenti i lartë në sulm me raste të shumta për të shënuar, si dhe kontrolli i ndeshjes, ndërsa përsa i përket golave të Olimpiakosit që të dy erdhën nga goditjet standarte, kështuqë skema nuk influencoi aspak në pësimin e tyre. Një ndryshim i tillë deri diku edhe pritej për shkak të karakteristikave të ndryshme ndërmjet Allegrit dhe trajnerit të mëparshën Antonio Conte. Për trajnerin livornez para së gjithash e rëndësishme është të besosh në atë që bën dhe mund të fitohet duke u përshtatur me cdo lloj skeme. Futbolli i tij ka qenë përherë ky, më elastik dhe më pak i automatizuar sesa ai i përdorur nga Conte, ku futbollistët reagojnë në varësi të situatës në bazë të reflekseve të kushtëzuara nga seancat stërvitore, në të kundërt Allegri kërkon më shumë zotërim topi dhe më tepër improvizim mbi vendimet që duhen marrë, pikërisht gjatë momenteve që luhet ndeshja. Pasi përdori fillimisht skemën e vjetër 3-5-2, 47-vjecari u frenua disi në transformimin e skuadrës, për shkak të dëmtimeve të shumta, gjithsesi trajneri i Juventusit nuk priti më shumë dhe e kërkoi një ndryshim të tillë në sfidën më të rëndësishme të vjeshtës, e për më tepër duket se Allegri guxoi dhe e bëri këtë pikërisht në kohën e duhur, pasi duke lënë mënjanë përshtatjen e kundërshtarëve ndaj asaj mënyre loje një ndryshim i tillë ishte i domosdoshëm për të përmirësuar rendimentin e ekipit si dhe për të përfshirë akoma më tepër në aspektin taktik lojtarët e rinj.