Nëse ndiheni të stresuar, të vetmuar apo të lënduar, ndonjëherë mjafton vetëm një përkëdhelje apo një përqafim për t’u ndjerë më mirë.
Ndaj, një grua nga Indiana, SHBA, ka vendosur të hapë biznes, duke i ofruar klientëve këtë shërbim.
Lisa Kelly është nëna e dy fëmijëve dhe zotëron një qendër të quajtur “Indy Cuddles”, ku i ofron klientëve 30 minuta përqafime për 35 dollarë, 60 dollarë për 1 orë dhe 90 dollarë për 90 minuta.
Ajo e ofron këtë shërbim në shtëpinë e klientit, duke i ngushëlluar ata në ambiente të ndryshme të shtëpisë.
Kelly beson se puna që ajo bën është një lloj terapie. Por kritikët nuk mendojnë të njëjtën gjë, duke thënë se ajo që bën kjo grua është vetëm një hap larg prostitucionit.
Duke folur për amerikanen “Indianapolis Star”, Kelly pretendon se puna që ajo bën nuk ka asgjë seksuale.
Madje ajo shpjegon se ka disa rregulla, si të qenit të veshur gjatë seancës dhe prekje të cilat janë të pranueshme edhe për një fëmijë.
Pavarësisht kritikave, studime të shumta tregojnë se përkëdhelja ka një sërë benefitësh.