Gjykata e Lartë shqyrton sot masën e sigurisë për ish-Guvernatorin, Ardian Fullani, dhe për ish-Inspektoren e Përgjithshme, Elivar Golemi që u arrestuan për vjedhjen e Thesarit të Shtetit.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi arrestimin e Fullanit, ndërsa shkalla e dytë e gjyqësorit e ndryshoi vendimin në “arrest shtëpie”, kurse kryeinspektorja Golemi mbeti në burg.
Rekursi është bërë nga dy të akuzuarit, por edhe nga Prokuroria. Avokati i Ardian Fullanit ka kërkuar heqjen e masës së “arrestit me burg” për Fullanin. Vetë ish-Guvernatori e ka konsideruar të padrejtë vendimin, duke kërkuar t’i hiqet arresti i shtëpisë.
Prokuroria e Tiranës kërkon kthimin në burg të ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Sipas saj, ish-Guvernatori ka shpërdoruar detyrën dhe është përgjegjës për këtë vepër penale. Organi i akuzës ka dyshime se Fullani mund të dëmtojë procesin e marrjes apo të vërtetësisë së provave.
Në rekursin e paraqitur në Gjykatën e Lartë, Prokuroria shprehej se lënia në “arrest shtëpie” apo në gjendje të lirë e Fullanit, paraqet rrezik për dëmtim të provave.
Ish-inspektorja e Përgjithshme, Elivar Golemi, akuzohet se nuk ka ushtruar asnjë audit konform ligjit të Bankës së Shqipërisë, s’ka kryer kontrolle periodike dhe nuk ka bërë verifikime për vitin 2012, 2013 dhe 2014. Ajo ndodhet pas hekurave së bashku me Ardian Bitrajn, Mimoza Bruzian dhe Klevis Bejtjan, hetimi për të cilët ende nuk është mbyllur.