Impianti i cilësuar si shtëpia e Kombëtares Shqiptare rënkon nga veprimet vandale të disa tifozëve.
“Nisi si një përrallë dhe përfundoi në një tragjedi. Masat ishin marrë nga të gjithë deri në momentin kur ndodhën ato që u panë në stadium. Bilanci është i paimagjinueshëm për një stadium të tillë ku është punuar me pasion për të kënaqur tifozët me gjithçka që ofrohet. Përfundimi është i hidhur, është dëmtuar fusha, sistemi Led, stolat. Nuk mund të themi sesa kushton, pasi dëmi është më i madh, 10, 100 herë më i madh. Le të jetë ky një mësim dhe të mos ndodhin gjëra të tilla. Është dëmtim imazhi dhe çështje ekonomike. Shpenzimet për këtë stadium janë të mëdha dhe është një dëmtim moral më shumë”.
Fjalët e drejtorit të stadiumit të ri përfaqësojnë ato të një kombi të tërë që më 11 tetor të këtij viti dëshironte të ishte i tëri aty për të parë Kombëtaren Shqiptare. Por një muaj e gjysmë më pas dëshira duket e madhe për të shkatërruar të vetmen shtëpi të denjë të futbollit shqiptar. Fajtorë janë të gjithë edhe pse të gjithë kërkojnë të largojnë fajin. Klubet nxituan pas ndeshjes të heqin përgjegjësinë nga vetja ndërsa radha kalon në instanca të tjera. Drejtori i policisë së qarkut të Elbasanit, Neritan Nallbati përgëzon punën e forcave të rendit që u evitua përplasja fizike, duke përmendur shkarazi si pjesë të fajit edhe administratën e stadiumit që nuk lajmëroi për numrin e tifozerisë mike.
“Në minutën e 78 vendasit u afruan në drejtim të miqve të cilët bënë të njëjtin veprim. Policia ndërhyri në kohë duke evituar përballjen fizike. Policia nuk lejoi të hyjnë tifozët në fushë, nuk pati dhunë ndaj arbitrit apo lojtarëve, si dhe u shoqëruan tifozët miq jashtë qytetit. Nga administrata e stadiumit “Elbasan Arena” nuk kemi pasur asnjë sinjalizim për numrin e tifozëve, shoqërimin jashtë qytetit e kemi bërë ne”.
Gjithsesi mbetet fakt që tifozët janë paraqitur me tymuese në stadium, i kanë hedhur në drejtim të fushës dhe mbi të gjitha nuk ka pasur asnjë të shoqëruar kur dihet që mjetet piroteknike nuk lejohen. Më i përmbajtur është dukur numri një i stadiumit “Elbasan Arena”, që pranon se ndoshta ka pasur një neglizhim nga të gjithë duke mos larguar nga përgjegjësia asnjërën palë.
“Mund të konsiderohet si neglizhencë. Ajo që shihet nuk ka nevojë për komente. Ne kemi parë tifozët si shkojnë drejt njëri-tjetrit pa u penguar nga forcat e sigurisë në të cilat bëjnë pjesë edhe policët”.
Drejtori i policisë së qarkut Elbasan, Neritan Nallbati ka bërë të ditur se në polici janë shoqëruar disa tifozë të të dyja skuadrave ndaj të cilëve do të nisin procedurat penale për prishje të qetësisë dhe pronës publike.