Projektvendimi për Kodin e ri Rrugor në Shqipëri parashikon gjoba të larta për këdo që shkel rregullat e qarkullimit rrugor. Kështu kush kalon semaforin me të kuq do të gjobitet me 40 mijë lekë apo 300 euro. Cilido që e përsërit shkeljen brenda vitit do ti hiqet patenta për 3 deri në 9 muaj. Për më tepër cilido që nuk përdor rripin e sigurimit do të gjobitet nga 5 mijë lekë deri në 15 mijë lekë të reja, ose 40 euro deri në 75 euro. Ndërsa kush drejton makinën pa patentë dënohet nga 25 mijë lekë deri në 100 mijë lekë, ose nga 170 euro deri në 900 euro.
Propozimet e reja të bëra nga Ministria e Brendshme po diskutohen në komisionet parlamentare. Por, edhe pse këto gjoba janë ende në kuadër të një propozimi, ideja ka alarmuar jo vetëm qytetarët por edhe vetë deputetët që po e diskutojnë këtë proejkt vendim të kodit rrugor në komisionet parlamentare. Shumë prej tyre nuk janë dakord dhe kërkojnë ulje të gjobave.
Nga ana tjetër edhe ekspertët e fushës mendojnë se gjoba të tilla nuk përkojnë me standardin e jetesës dhe rrogat që marrin shqiptarët. Eksperti i qarkullimit rrugor Artur Sulce thotë për KosovaPress se gjobat duhet të vendosen sipas një skeme shtresëzimi sa i përket të ardhurave të shqiptarëve ashtu edhe fashës së orarit kur do veprojnë këto gjoba.
“Marzhi i gjobës është i madh sepse duke vendosur deri në 500 mijë lekë të vjetra ose 50 mijë lekë të reja gjobën kjo sjell një handikap , një problem të madh me të ardhurat kombëtare sepse INSTAT dhe Ministria e Financave për çdo vit përcakton pagën mesatare në rang vendi dhe për 2014-ën është afërsisht te 51 mijë lekë apo 55 mijë lekë. Mirëpo kjo është paga mesatare në rang vendi, kësaj i duhet hequr një 42 % ku janë elementët e domosdoshëm apo nevojat e domosdoshme siç është ushqimi, veshmbathja, mjekësia, arsimimi, spitalet, dhe po ti zbresësh kësaj page mesatare që jep INSTAT, 42 % nga këto nevoja që përmendëm atëherë kjo shkon te 27 mijë lekë në muaj, pra gjoba nuk duhet të kalojë 27 ose 30 mijë lekë”, rekomandon ai.
Gjithashtu ai ngre problemin e sinjalistikës rrugore, të cilën ne nuk e kemi në nivelin e duhur dhe kjo lë shteg për abuzime pasi nuk është e mundur të dokumentohet gjoba e vënë. Ndërsa sa i përket patentës me pikë, eksperti Sulçe thotë se është ide e mirë dhe do të ndikojë në uljen e aksidenteve me 10 deri në 20 % në vit.
“Jam i bindur që numri i aksidenteve do ulet 10 % deri më 25 % ,sepse edhe në Itali në momentin që u vendos leja e drejtimit me pikë u ulën aksidentet brenda vitit me 20 %. Dhe problemi është me teknologjinë, me rekordet për të parë.Të gjithë pjesët e tjera të projektvendimit janë domosdoshmëri sepse bëjnë akreditimin e lejes sonë të drejtimit dhe ndarjen njësoj si në BE. Kjo është krejt normale që të kalojë, dhe herë pas here në logjikën time ashtu siç bëhen revizionime apo artifica teknike të reja në infrastrukturën rrugore, këto duhen apdejtuar në kodin rrugor, ashtu siç ishte rrethrrotullimi që nuk është si kryqëzimi që nuk e ka përparësinë në krah të djathtë por e ka në krahun e majtë. Këto gjëra duhen shoqëruar gjithmonë me reklama; të përgatitet publiku që të pranojë çdo të re, çdo zhvillim teknologjik apo çdo gjë që e shoqëron në jetën e vet”, thotë Sulçe.
Sulçe propozon që kjo gjobë të shtresëzohej, për orët e ditës të jetë me e ulët dhe orët e natës të jetë më e lartë.
Duket të ketë problem në vendosjen e gjobave kur nuk respektohet semafori në mungesë të kamerave, shqetësim që vë në dukje analisti Sulçe.
“Policia rrugore ka propozuar që për semaforë të kuq në rast se vërtetohet. Sepse ka dhe një problem sepse nuk dokumentohet ky penalitet, kjo shkelje për kundravajtësit., që mund ta japim në mënyrë dixhitale që ja shkelja juaj, dhe ju duhet të detyroheni, por janë vetëm disa dhe ata nuk janë të plotë, në këndvështrimin profesional ose teknik që të shoqërohet me fotografi me semaforin dhe më targën e mjetit”, shprehet Artur Sulçe.
Për KosovaPress ai sjellë përvoja të vendeve të tjera se si ja bëjnë me cështjen e parkingut, duke përmendur vendet nordike, se si atje gjoba vendoset në funksion të të ardhurave.
“Jashtë ka vende për shembull në vendet nordike, një herë drejtori i Nokias është dënuar me gjobë 110 mijë dollarë në funksion të të ardhurave, pagës që kishte ku punonte te Nokia, vetëm se kaloi 25 km normën e shpejtësisë me motorin e vet, pra gjoba në funksion të të ardhurave që ke. Pra, kjo rregullohet me këtë shtresëzim që thamë , me këtë ndarje në kohë. Dhe pjesa më e madhe e aksidenteve të rënda kanë ndodhur natën dhe jo ditën. Pra në këtë këndvështrim natën ai që del, del për qejef, çka do të thotë që xhepi i tij ka për të paguar këtë vlerë nga 500 deri në 150 mijë lekë të reja”, thotë Sulçe.
Ai përkrahë patentën apo lejen e drejtimit me pikë duke thënë se është domosdoshmëri vendosja e saj.
“Dhe kjo ka atë koston që realisht je i detyruar sepse nëse ju penalizoheni një herë apo dy herë apo tre herë dhe ju hiqen pikët atëherë nuk lë shteg për abuzime për askënd, por je i detyruar të rifillosh nga e para për të marrë lejen e drejtimit dhe kjo duke pasur koston reale që do shkojë deri në fund, sespe nëse ju do bëni tre apo katër shkelje gjatë vitit këto shkelje do ndikojnë në uljen e pikëve, dhe këto do të bëjnë që të bëhesh më i përgjegjshëm në mënyrë që të mos bësh shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe duke u bërë më i përgjegjshëm normal arrihet ajo strategji që ligjvënësi ka dashur të vendos me lejen e drejtimit me pikë duke ulur numrin e aksidenteve rrugore.