Pas publikimit të raportit “Të Bërit Biznes” nga Banka Botërore, ka reaguar Partia Demokratike, e cila ka kritikuar qeverinë aktuale “Rama”, ndërsa ka vlerësuar “lehtësitë e krijuara nga qeveria ‘Berisha’ dhe Bashkia e Tiranës”, të cilat "kanë çuar në rezultatet e raportit".
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, deputetja demokrate, Jorida Tabaku u shpreh sekomentet e Kryeministrit Rama mbi raportin e fundit të BB-së janë të gabuara.
“Edi Rama është i dëshpëruar të gjejë qoftë dhe një notë kaluese për qeverisjen e tij, ndaj dhe gabon lehtësisht kur komenton raportin e fundit të Bankës Botërore për Shqipërinë. Banka Botërore ka vlerësuar Shqipërinë, nisur nga reforma që janë bërë përpara se Edi Rama të vinte në pushtet”, tha Tabaku.
Sipas aj, vlerësimi i BB-së është bazuar në tre kritere, të cilat janë plotësuar nga qeveria e mëparshme.
“Tre janë fushat kryesore ku është bazuar ky vlerësim, marrja e një lejeje ndërtimi, pagesa e taksave dhe regjistrimi i pronës. E bëri qeverisja e mëparshme Ligjin e ri të planifikimit Urban, unifikimin në një leje Zhvillimi të Lejes së Sheshit dhe lejes së ndërtimit, apo Edi Rama, i cili me praktikat e tij si kryebashkiak e kishte lënë Shqipërinë në fundin e listës së Bankës Botërore për më shumë se një dekadë”, vijoi deputetja.
Më tej, Tabaku ngriti disa pyetje, përmes të cilave sqaroi se qeveria “Berisha” hoqi burokracitë për marrjen e një lejeje në bashki, krijoi hipotekën online për aksesimin e informacionit për pronësinë dhe eliminoi pagesat për shërbimet.
“Kush e bëri uljen e numrit të ditëve për marrjen e një lejeje në 45 ditë në Bashkinë e Tiranës duke eleminuar procedurat burokratike, drejtuesit e sotëm të Bashkisë, apo Edi Rama? Kush e bëri eleminimin e çdo dokumenti të tepërt dhe reduktimin e lsitës së dokumenteve të kërkuara, që e vlerëson sot Banka Botërore, Bashkia aktuale, apo Edi Rama? Po platformën online të hipotekës që bën të mundur marrjen e informacionit për pronësinë në kohë rekord, kush e bëri, administrata e mëparshme apo Edi Rama? A përmend raporti në mënyrë specifike one-stop-shop dhe aktet nënligjore të periudhës 2012? Eleminimin e kostove dhe pagesave nga bashkia për çdo shërbim, mos e ka bërë vallë Edi Rama, apo drejtuesit e sotëm të Bashkisë? Po lehtësimin e biznesit me e-taxation, pra pagimin e taksave përmes rrugës elektronike, mos e ka bërë Edi Rama?” ishin pyetjet e ngritura nga Tabaku, të cilave ajo iu përgjigj me “qeveria e mëparshme”.
Në fund, deputetja demokrate vlerësoi se raporti i BB-së është një lajm i mirë për vendin, ndërsa theksoi se ky raport duhet të shërbejë si “këmbanë alarmi” për qeverinë.
“Vlerësimi i “doing bussines” është një lajm i mirë për vendin, dhe është e qartë se vjen si rezultat i reformave të mëdha të marra nga qeverisja e mëparshme dhe Bashkia e Tiranës sot. Shpresojmë që ky raport të shërbejë si këmbanë alarmi për qeverinë e ta bëjë atë më miqësore me biznesin, e të rikthehet tek ky sistem taksash që e vlerësoi edhe Banka Botërore”, e përmbylli deklaratën Tabaku.