Gjinitë kanë reagime të ndryshme kur shohin një vepër arti, kanë zbuluar shkencëtarët së fundmi. Ata thonë se në fakt, femrat e vlerësojnë artin më shumë. Ndërsa meshkujt nga ana tjetër, përqendrohen tek e shkuara e artistit dhe autenticiteti. Si u krye studimi? Hulumtuesit u kërkuan 518 njerëzve të vështrojnë dy piktura të një artisti të panjohur dhe e shpikën biografinë e tij. Disa pjesëmarrës lexuan jetëshkrimin që e karakterizonte atë si autentik – me fjalë të tjera, një piktor jetëgjatë që krijon punë unike. Të tjerë lexuan një biografi që e përshkruante artistin si një piktor të zakonshëm që kishte filluar punën së fundmi. Kur artisti u karakterizua si autentik, pjesëmarrësit krijuan përshtypje më të pëlqyeshme, si për artistin, ashtu edhe për punën. Pjesëmarrësit thanë se kishin më tepër dëshirë për të blerë veprën e artistit ‘autentik’ dhe ishin të gatshëm të paguanin një çmim më të lartë për të. Burrat ishin ata që përdorën markën e artistit si një faktor vendimtar për vlerësimin e artit. Studimi nga Universiteti Shtetëror i Miçiganit, që është publikuar në revistën “Psikologji dhe Marketing”, është i pari që ka hulumtuar mbi rëndësinë e ‘markës’ së artistit te klientët e zakonshëm, kur ata vlerësojnë artin. Kërkimi mund të ketë ndikim të madh në industrinë 64 miliardë dollarëshe të artit dhe në industritë e tjera të produkteve si ushqimi dhe moda. “Të gjithë klientët në studim, veçanërisht meshkujt, e vlerësuan artin mbi bazën e asaj se sa i motivuar dhe sa i përkushtuar ishte artisti”, tha Stefani Mangus, e cila drejtoi studimin. “Prandaj, nëse je një artist apo menaxhon një të tillë, zhvillimi i ‘markës’ njerëzore, ose shpërndarja e mesazhit që je autentik, është një element thelbësor. Mangus dhe kolegët e saj kërkues vendosën t’i testonin shijet e meshkujve dhe femrave në blerjen e artit, duke i vënë përballë një pikture, autorit të së cilës i sajuan një histori jete. Të gjendur mes dy përshkrimeve të ndryshme për jetën e artistit, ku njëra e tregonte si një piktor origjinal dhe të dhënë pas krijimit të stilit të tij që e nxirrte në pah, ndërsa tjetra si një piktor në fillim të karrierës, por me jetë normale, pjesëmarrësve në studim u duhej të zgjidhnin se cilën pikturë do të blinin. Meshkujt ishin ata që i bënin llogaritë pak më gjatë, pasi merrnin parasysh faktorë si ‘marka’ e artistit. Mangus tha se ky studim i bashkohet një kërkimi të mëparshëm, sipas të cilit meshkujt prireshin të përdornin faktorë që ishin të njohur për ta kur merrnin një vendim. Femrat, nga ana e tyre, e llogarisnin po ashtu autenticitetin e artistit, por për to kishte më tepër rëndësi arti në vetvete. “Femrat janë të gatshme të ndërmarrin procesin më të ndërlikuar që u kërkon atyre të vlerësojnë veprën e artit”, tha Mangus. Ndërsa meshkujt mendojnë ‘ky person është një artist i madh, do t’ia blej këtë vepër’. Tregu i artit është rritur ndjeshëm këto 10 vitet e fundit, ndaj kërkimet që analizojnë sesi vendosin klientët, janë të nevojshme për marketingun. Duke e ditur se ‘marka’ e një artisti luan një rol madhor te klientët, vlerësimi mund t’i ndihmojë menaxherët e artit të vendosin çmime më të mira për veprat. Zbulimet mund të ndihmojnë edhe klientët të vendosin se cilën vepër dëshirojnë të blejnë. Zbulimet me shumë gjasa do të jenë të rëndësishme edhe për industri të tjera të produkteve, ku përfshihen krijues që bëjnë emër, si për shembull në industrinë e veshjeve, këpucëve, bizhuterive dhe restoranteve.