SIDA ka lindur në vitin 1920 në Kinshasa, në atë që sot njihet si Republika Demokratike e Kongos. Sipas një studimi të kryer nga një skuadër shkencëtarësh ndërkombëtarë, është arritur në përfundimin se rritja masive e popullisë së qytetit, seksi, shiringat e pasterilizuara dhe hekurudhat, kanë qenë edhe faktorët kryesorë që kanë shpërndarë më pas sëmundjen në të gjithë botën. Shkencëtarët nga Unviersiteti i Oksfordit dhe ai i Leuvenit në Belgjikë, përdorën kampionë të vjetër të kodit gjenetik të virusit HIV dhe dolën në përfundimin se të gjitha provat “fajësonin” qytetin afrikan, i cili në atë kohë quhej Leopoldvil, për nder të Mbretit Leopold të Belgjikës, si pjesë e kolonisë belge në Afrikë. Ata ndërtuan “pemën familjare” të virusit, duke u përpjekur kështu për t’i dhënë fund një debati që zgjat që prej viteve 1980, kur SIDA mori vëmendje globale. Virusi HIV është një mutacion i virusit që shkatërron sistemin imunitar te shimpanzetë dhe është transmetuar te njeriu, – me shumë gjasa, – përmes kontaktit me gjakun e infektuar të majmunëve. Në periudhën e përhapjes së sëmundjes, belgët nisën ndërtimin e hekurudhave në koloninë e tyre, ç’ka solli edhe rritjen e numrit të popullisë. Për shkak të forcës punëtore të madhe, në atë periudhë numri i meshkujve ishte sa dyfishi i femrave, fakt që solli edhe zhvillimin galopant të prostitucionit. Kushtet perfekte për shpërndarjen e virusit zgjatën vetëm pak dekada, por deri atëherë ishte shumë vonë. Deri në fund të viteve 1940, rreth 1 milionë njerëz kishin qarkulluar nëpër Kongo nëpërmjet hekurudhave. Virusi u shpërnda kështu me shpejtësi në Brazavil dhe rrethina e më pas, – siç tashmë dihet, – në të gjithë botën. Deri tani, SIDA ka marrë jetën e rreth 75 milionë njerëzve.