Nuk ka Ebola në Maqedoni, kështu kanë informuar sot shërbimet shëndetësorë në vend. Pasi kanë ardhur përfundimet e analizave nga Gjermania është vërtetuar se viktima që humbi jetën pak ditë më parë, Xhefri Kolin, nuk ishte i sëmurë nga virusi që pasi ka “pushtua” Afrikën po frikëson gjithë vendet europiane.
Autoritetet maqedonase kanë ndërprerë edhe karantinën në repartin e sëmundjeve infektive. Pak ditë më parë, Maqedonia dhe rrajoni u vunë në alarm, pasi turisti britanik shfaqi simptoma të sëmundjes dhe humbi jetën pasi u shtrua në spital.
Ndërkohë, në SHBA, kanë nisur kontrollet në aeroporte. Oficerët e aeroportit të Nju Jorkut, Xhon Fitcxherald Kenedi, kanë filluar të ekzaminojnë pasagjerët në mënyrë që të parandalojë përhapjen. Pasagjerëve nga Libia, Sierra Leone dhe Guinea do t’u matet temperatura dhe do t’u duhet t’u përgjigjen pyetjeve për historikun e udhëtimeve që kanë kryer.
Nëse dikush do të shfaqë shenja të sëmundjes ai do të izolohet menjëherë nga përfaqësues së Qendrës për Parandalimin e Sëmundjeve. Kontrolle të ngjashme do të fillojnë në ditët e ardhshme edhe në aeroportet e Çikagos, Njuarkut, Uashingtonit dhe Atlantës. Nisma, e vendosur për t’u marrë që para disa ditësh, vjen pasi të mërkurën humbi jetën për shkak të Ebolas, personi i parë në Teksas.
Shifrat e fundit të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se sëmundja ka marrë deri tani jetën e më shumë se katër mijë njerëzve. Gjithashtu, kontrolle të rrepta për virusin pritet të fillojnë në ditët në vazhdim edhe në Britaninë e madhe.