Në Bulqizë po punohet për të ngritur ringun e boksit ku mbrëmjen e së shtunës Gjetan Keta do të përpiqet të mbrojë titullin kampion Euro-aziatik në kategorinë WBC përballë rusit Marat Kazev. Pas 25 vjetësh, Bulqiza do të përjetojë për herë të parë emocione që të dhuron sporti, një fjalë kjo e cila për shkak të vështirësive të jetesës ishte harruar nga qytetarët e këtij vendi. “Nga ana fizike jam shumë mirë, jam stërvitur fort me vëllain në Gjermani”, thotë Gjetan Keta. Ndërsa vëllai i tij, Ismail Keta, thekson: “Është në formë si asnjëherë tjetër. Presioni i ndeshjes në vendlindje, tek Gjetani kthehet në forcë.” Pak më e vështirë do të jetë situata për familjarët e Gjetanit, të cilët edhe pse jo fizikisht, shpirtërisht ata do të ndjejnë çdo grusht të kundërshtarit. “Nuk e kemi të lehtë aspak. Nëna e tij nuk i përballon dot ndeshjet e Gjetanit dhe nuk është e pranishme asnjëherë dhe as në televizor nuk i shikon ndeshjet”, tregon Asllan Keta, babai i boksierit. Vështirësia për të organizuar një ndeshje në Bulqizë është shumë herë më e madhe sesa ajo e të organizuarit në Gjermani. Por, vëllezërit Keta kanë hequr dorë nga fitimi financiar pasi falë transmetimit të kësaj sfide në 137 vende të botës duan të promovojnë vendlindjen e tyre. “Për ne që jemi gjithmonë larg, Shqipëria është shumë e shtrenjtë. Ka shumë sportistë që mund të ndjekin rrugën tonë”, shprehet Gjetani. Ndërkohë që Ismail Keta deklaron: “Donim t’i jepnim vlerë Bulqizës.” “Unë si prind kënaqem kur djemtë e mi bëjnë diçka për Shqipërinë”, nënvizon babai i boksierit. Përparim Spahiu, deputet i Bulqizës, vlerëson: “Ky qytet ka vlera që i sjell nëpërmjet dy kampionëve që janë djem të këtij qyteti. Kjo është një faqe e re në jetën normale që këto qytetarë meritojnë ta kenë.” Të gjitha të ardhurat që do të mblidhen nga sfida Keta–Kazev do të shkojnë për ndërtimin e stadiumit të Bulqizës. Boksieri rus në fakt është favorit, por familja Keta thotë se çfarëdo të jetë rezultati i duelit të së shtunës, kampioni i bulqizakëve dhe i shqiptarëve në përgjithësi do të jetë Gjetan Keta. “Nuk është fundi i botës pasi humbja është pjesë e sportit. I fortë është ai që i bën ballë humbjes në fund të fundit”, thotë vëllai i Gjetanit, Ismail Keta.