Real Madridi e ka përmbysur epërsinë e Barcelonës për ta fituar me rezultat 3-1 ‘el Clasicon ‘ e zhvilluar të shtunën mbrëma në Santiago Bernabeu.
Akoma pa filluar mirë sfida, ekipi mysafir kaloi në epërsi. Suarez dërgoi një pasim te Neymar, i cili krijoi hapësirë dhe e mposhti Casillasin (4’).
Nikoqirët u angazhuan në përpjekje për të barazuar duke krijuar raste të mira, ndërkohë që Messi dështoi të ndëshkonte në anën tjetër.
Pas disa thirrjeve për penalti, nga të dyja palët, arbitri akordoi penalti për Los Blancos, pasi Pique ndali me dorë goditjen e Marcelos. Cristiano Ronaldo ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë (35’).
Fillimi i gjysmës së dytë ishte fantastik për Mbretërit. Një harkim nga këndi të Toni Kroos, e priti në zonë Pepe për ta shënuar golin e dytë (50’).
Derisa mysafirët kërkonin ta nivelizonin ndeshjen, u erdhi dushi i ftohtë. Isco vodhi një top, pasoi te James, ky i fundit asistoi për Karim Benzeman dhe francezi e vulosi këtë takim (61’).
Pas këtij triumfi, Real Madridi është në vend të dytë në tabelë me një pikë më pak se Barcelona që mbetet në krye