Si gjithmonë ata të dy.
Garës në distancë mes Kristiano Ronaldos dhe Lionel Mesit i shtohet një tjetër episod.
Ashtu siç ka ndodhur në vitet e fundit, portugezi dhe argjentinasi janë dy kandidatët kryesorë për të fituar “Topin e Artë”. FIFA ka publikuar listën me 23 lojtarët pretendentë për trofeun më prestigjoz individual të futbollit botëror.
Triumfi në Ligën e Kampioneve por edhe ecuria spektakolare në këtë sezon e vendos Kristiano Ronaldon mes favoritëve për të fituar sërish “Topin e Artë”.
Për Lionel Mesin finalja e Botërorit 2014 e humbur vetëm në kohën shtesë është një plus që mund të ndikojë në votimin e gazetarëve të akredituar nga “France Football”, kapitenëve dhe trajnerëve të kombëtareve.
Favoriti i tretë në këtë garë është Manuel Nojer.
Portieri kampion në Bundesligë me Bajernin e Mynihut dhe kampion i botës me Gjermaninë kërkon të prishë dominimin e Ronaldos dhe Mesit .
Sa për Kupën e Botës, ky trofe ka bërë që në listën e pretendentëve për “Topin e Artë” të jenë dhe pesë lojtarë të tjerë të kombëtares gjermane, si Lahm, Kros, Shvajnshtajger, Gëce dhe Myler. Mes 23 emrave të publikuar nga FIFA janë edhe Arjen Roben, Garet Bejl, Diego Kosta, Karim Benzema, Ibrahimoviç apo Nejmar. FIFA ka bërë publikë gjithashtu edhe dhjetë kandidatët për fitimin e trofeut si “Trajneri më i mirë”.
Në krye të listës është Joakim Lëv, trajneri i kombëtares gjermane. Tekniku kampion i botës duket i favorizuar përballë Karlo Ançelotit që fitoi Ligën e Kampioneve me Realin e Madridit dhe Diego Pablo Simeones, arkitektin e sezonit spektakolar të Atletikos së Madridit të mbyllur me titullin kampion në Spanjë dhe një finale të humbur në Champions.